Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka reagoi sot për devijimin e avionit ”Ryanair” dhe kërkoi lirimin e gazetarit Roman Protasevich.
Ajo theksoi se Shqipëria bashkohet me thirrjet për hetim ndërkombëtar për këtë incident të rëndë dhe të rrezikshëm.
“E shokuar nga rrëmbimi i ‘Ryanair’. Shqipëria bashkohet me thirrjet për hetim ndërkombëtar për këtë incident të rëndë dhe të rrezikshëm dhe lirimin e Roman Protasevich”, u shpreh Xhaçka në një reagim në rrjetet sociale.
Një aeroplan udhëtarësh i kompanisë ”Ryanair” u ul në Vilnius të dielën në mbrëmje, pas një devijimi prej shtatë orësh në kryeqytetin bjellorus, Minsk.
Fluturimi ”Ryanair FR4978” ishte rrugës për në kryeqytetin lituanez nga Athina, kur autoritetet bjelloruse e urdhëruan atë të kthehej dhe të ulej në Minsk, duke thënë se kishte një kërcënim të mundshëm të sigurisë në bord.
Asnjë kërcënim i tillë nuk u gjet në aeroplan. Por, gazetari i shquar i opozitës bjelloruse Roman Protasevich, i cili ishte një pasagjer në bord, u arrestua.
Gazetari i shquar i opozitës bjelloruse Roman Protasevich, i cili ishte një pasagjer në bord u arrestua. ”Pasagjerët dhe ekuipazhi kaluan rreth shtatë orë në Minsk para se avioni të nisej për në Vilnius”, deklaroi ”Ryanair”.