Deputeti Edmond Stojku ka kërkuar ndryshime në ligjin “Për parandalimin e sëmundjeve infektive”, duke shtuar detyrime në drejtim të dezinfektimit për transportin ndërkombëtar të mallrave. Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend, kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet doganore të instalojnë pajisje tunele të përshtatshme për dezinfektimin e mjeteve të transporti ndërkombëtar të mallrave, kabinave të tyre dhe kontejnerëve në pikat e kalimit kufitar tokësor, detaj e ajror për të siguruar parandalimin e hyrjes së sëmundjeve të rrezikshme dhe sipas një protokolli të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Po ashtu, sipas të njëjti dokument, shpenzimet për këtë process do të duhet të përballohen nga operatori i biznesit përgjegjës për ngarkesën, ndërkohë që tarifat do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Ndërkaq, projektligji parashikon edhe masa ndëshkuese për ata operatorë tregtarë që nuk i binden këtij detyrimi, duke nisur nga gjoba e deri te mbyllja e aktivitetit. Kështu, sipas propozimit “refuzimi për vendosjen nën dezinfektim të mjeteve të transportit ndërkombëtar të mallrave, kabinave të tyre dhe kontejnerëve dënohet me 50 mijë lekë për operatorin tregtar objekt i mbikëqyrjes së dezinfektimit dhe 100 mijë lekë për punëdhënësin si subjekt i mbikëqyrjes së dezinfektimit.
Ndërkohë që, në rast përsëritjeje të shkeljeve administrative nga operatori tregtar, masa administrative është mbyllja e aktivitetit. Ndryshimet do të duhet të diskutohen në komisionet parlamentare, ndërkohë që do të jetë seance plenare që do të vendosë nëse ato do të miratohen apo jo.—— Përjashtimet nga taksa e infrastrukturës/ Zgjerohet baza e përfituesve, lehtësi edhe në kuadër të COVID-19!