Dr. Jorgji KOTE
Më 9 Nëntor përkujtohet 33 Vjetori i Shëmbjes së Murit të Berlinit, simboli i ribashkimit gjerman dhe europian. Ngjarje historike me jehonë dhe rrjedhoja epokale, për të cilën kemi shkruar shumë dhe në ARGUMENTUM. Këto ditë në Gjermani këto ditë po zhvillohen shumë veprimtari përkujtimore, politike dhe homazhe në nderim të 136 dëshmorëve të atij impianti vdekjeprurës.
Gjithsesi, “ highlighti” ose ajo që bie në sy është koncerti i “Korit të Lirisë”( Volny Chor) nga Bjellorusia në vendin ku mbaheshin të burgosurit politikë nga Stasi i tmerrshëm gjermanolindor më 9 Nëntor. 150 koristët e maskuar të “ Volny Chor” janë këngëtarë, inxhinierë, mësues, mjekë, studentë, gra, burra, oponentë të rregjimit të Lukashenkos. Me këngët e tyre ata do të denoncojnë masakrën zgjedhore të gushtit 2020, do të ekspozojnë fatin e mijra të burgosurve dhe përndjekurve politikë të rregjimit dhe do t’i rijkujtojnë botës tragjedinë bjelloruse që nuk do harruar, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Ky koncert dhe veprimtari të tjera artistike evokojnë dhe rolin jetik që luajti arti dhe muzika elitare në procesin historik të shembjes së Murit të Berlinit, ky mishërim i gjithë mureve dhe gardheve ndarëse. Këtë realitet e ka sintetizuar filozofi Prof. Përparim Kabo te libri “ Tingulli” kur pohon se “ Muri i Berlinit nuk ishte depërtuar më parë nga politika, as nga shërbimet inteligjente, por nga një magji, që quhet muzikë, këngë. Pararendësit e një bote ndryshe, larg konformizmit dhe ideologjive të ngrira e shpesh luftarake ishin “ BEATLES” me muzikën e tyre, e cila u këndua në Liverpul, por edhe në Varshavë, Pragë dhe në Berlin”.
Këtu po ndalemi në disa fakte dhe dukuri pikante përpara dhe pas ngritjes/ shembjes së Murit të Berlinit. Gjatë periudhës Dhjetor 1958 – Mars 1960, super ylli amerikan dhe botëror i rock&roll-it, Elvis Presley, u dërgua në Friedberg të RFGJ-së për kryerjen e shërbimit ushtarak. Vajtja e ELVIS-it në Gjermani u kthye në një mesazh kuptimplotë njerëzor që SHBA-të i dërgonin popullit gjerman, të apasionuar pas muzikës, sidomos Elvisit ë ishte në zenithin e vet. “Ray Barracks” në Friedberg, ku ai shërbeu në divizionin e tretë të mjeteve të blinduara, dhoma e tij në Godinën 3707 dhe shtëpia ku banoi në Bad Nauheim janë kthyer në Muze.
Pas ngritjes së Murit të Berlinit dhe më vonë, vizitorët e tij të shumëpritur, me mesazhe shpresëdhënëse, krahas Beatlesave legjendarë, u bënë artistët dhe grupet më të famshme botërore të muzikës së asaj kohe, Rolling Stones, Abba, No Angels, Madona dhe mbi të gjithë, Mbreti i Popit, Michael Jackson. Këto “peligrinazhe” muzikore dhe artistike me një jehonë planetare tronditën themelet e vetë Murit të Berlinit dhe apolegjetët e tij në Berlin dhe në Kremlin.
Për ta ilustruar konkretisht këtë fakt, po tregojmë alarmin e madh që shkaktoi koncerti madhështor i Michael Jackson në Berlin, më 18 Qershor 1988. Në Gjermani ka kohë që janë botuar kopje fashikujsh të dosjeve të Stasit të atëhershëm gjermanolindor, ku shprehet paniku i madh nga jehona e këtij koncerti që u dha tek Portat e Brandenburgut, aty ku kalonte Muri famëkeq.
Sipas agjentëve të Stasit, ishte programuar që të rinj demokratë berlinezo-lindorë, ta përcillnin koncertin dhe në pjesën e tyre. Madje, në këto dosje, agjentët e Stasit deponojnë se Michael Jackson shkoi për vizitë para koncertit në “Checkpoint Charlie”, pika nevralgjike ku ndahej zona sovjetike nga ajo amerikane, duke vështruar i habitur atë absurd antinjerëzor të Murit ndarës. Natyrisht që rregjimi e kaloi situatën, duke i arrestuar të rinjtë, me shpresë se do të shuante jehonën xheksoniane anti-mur; por Honecker kishte gabuar rëndë; arti dhe magjia e Jacksonit dhe e artistëve të tjerë elitarë e kishte bërë punën e vet; aq më tepër se gjatë atij viti, rregjimi lindor në Berlin dhe Honeckeri i kishin ditët e numëruara.
Gjithsesi, vështirë të gjindet një këngëtar që “ngjiti” dhe vazhdon të ketë jehonë aq të madhe publike në prag të shembjes së Murit famëkeq se kantautori dhe aktori i mirënjohur amerikan me origjinë gjermane, David Hasselhoff ; i mirënjohur për rolet e tij te « Alerte à Malibu » dhe « K – 2000 » dhe në fillim të viteve 90 te « Baywatch ».
Por famën më të madhe, sidomos në Gjermani ai e fitoi me këngën « Looking for freeedom » ( Në kërkim të lirisë) Më 21 Qershor 1989, Hasselhoff e ftuan në Berlinin Perendimor. Ai u plotësoi dëshirën fansave të shumtë dhe interpretoi për herë të parë atë këngë, duke çuar peshë zemrat dhe mendjet e gjermanëve për ribashkim.
Brenda natës kënga u kthye në himn; ajo kryesoi çartet muzikore në Gjermani për 8 javë rresht, në shumë vende të tjera dhe renditet e 4-ta në 100 hitet europiane.
Kënga tregon historinë e një djaloshi nga një familje e pasur të lindur 20 vjet më parë në Qershor; ai kishte lënë shtëpinë, ku i kishte patur të gjitha, por jo lirinë, të cilën siç thotë dhe kënga, nuk mund ta blesh, por duhet ta fitosh. Gjithsesi, ajo çka tërhoqi vëmendjen e miliona shikuesve dhe dëgjuesve, ndonëse nuk ka asnjë fjalë për murin, ishte refreni i përsëritur fare i thjeshtë por tingëllues, i lehtë për t’u mbajtur mend dhe për t’u kënduar me fjalën e bukur « liri»
I’ ve been looking for freedom, Po kërkoj të gjej lirinë
I have ben looking for long kam kohë që e kërkoj
I’ ve been looking for freedom Po kërkoj të gjej lirinë
Still the search goes on. Dhe kërkimi do vazhdoj
Vetëm 4 muaj më vonë Muri i Berlinit u shemb. Kënga e tij ishte një mesazh i fuqishëm kundër tij. Këtë e konfirmojnë miliona gjermanolindorë, kur e cilësojnë “ I am looking for freedom” hit legjendar muzikor.
Pas shembjes së Murit, atë e ftuan ta interpretonte hitin e tij, pikërisht aty, në Portat historike të Brandenburgut. Ai ua plotësoi sërish dëshirën, u shfaq aty më 31 Dhjetor 1989 në atë që u quajt « Nata e parë e Lirisë » sepse ishte hera e parë që nata e Vitit të Ri festohej bashkë. Hasselhoff e intepretoi i hipur në një vinç gjigand, bashkë me një milion të pranishëm atë himn lirie, aty ku u ça muri, mes brohoritjeve të parreshtura dhe përsëritjes pa fund të refrenit emblematik. Shumë të pranishëm pohonin se kishin ndjerë të njëjtat emocione si në fjalimin e famshëm të Kenedit me 1963 dhe Reganit më 1987. Hasselhoff vazhdon të jetë i ftuar nderi në shumë ngjarje, koncerte dhe studio televizive në Gjermani me këngën e tij frymëzuese. Fotoja e tij mbi vinç ka vendin e spikatur te Muzeu i Murit të Berlinit.
Edhe artistët dhe këngëtarët gjermanoperendimorë nuk mbetën pas në këtë drejtim. Shquhet rokeri emblematik Udo Lindenberg, i cili pas refuzimeve 5 vjeçare për të dhënë koncert në RDGJ, kompozoi këngën ” Me tren special në Pankow. Pankow ishte ” Blloku” i rregjimit gjermanolindor deri në vitin 1960. Kënga e tregon Honeckerin në shërbim të sovjetikëve, por gjithsesi i bën thirje të dëshmojë se e do dhe e ka në shpirt muzikën rock. Më vonë, Lindenberg i dërgoi Honeckerit një letër me një jelek lëkure, bashkë me kërkesën për koncert në Berlinin Lindor. Më në fund, nisur nga fama e Lindenberg, Honeckeri i çoi letër falenderimi, bashkë me një tip fyelli si dhuratë, instrumenti që ai i binte në fëmijëri dhe e lejoi të merrte pjesë në Festivalin e Rockut në Pallatin e Madh të Koncerteve me 4500 të pranishëm; ndonëse jo “ me tren special në Pankow” të cilën gjithsesi ai e këndoi në një rast tjetër. Për pasojë, ia anulluan të gjitha koncertet, ia ndaluan hyrjen në Berlin, ku ai shkeli sërish disa ditë pas shembjes së Murit, me këngën ” Me tren special për në Pankow” dhe me një tren të zbukuruar si për festë, i shoqëruar nga mijra e mijra fansa të tij. Lindenberg 76 vjeçar është pikë referuese legjendare e muzikës gjermane dhe e magjisë së artit dhe muzikës elitare në përmbysjen e mureve dhe gardheve ndarës.
Duke ardhur te arti pamor, kur largohesh nga qendra e Berlinit, në pjesën ish lindore, ndeshesh me fragmentin më të plotë të Murit të Berlinit, i cili i shpëtoi urrejtjes popullore, 1,6 km i gjatë. Në vitin 1990, 118 artistë dhe piktorë nga gjithë Europa erdhën dhe bënë vizatimet e tyre mbi blloqet e këtij segmenti muri, tashmë të njohur si “ East Side Gallery ( “ Galeria Lindore.) Ishte vërtet ide e gjetur që ky segment muri të rinovohej dhe kthehej në një “muze” artistik dhe atraksion turistik. Me rastin e 20 Vjetorit të shëmbjes së Murit, u dha një fond prej 2.5 Milionë Euro, dhe shumica e piktorëve/ artistëve të atëhershëm erdhën dhe bënë rinovimin e veprave të tyre artistike në muret e këtij segmenti.
Fragmente të këtij Muri ndodhen në formë statuje artistike në shumë vende të botës; në SHBA, ato i kanë Presidentët e mëdhenj, të cilit i dhanë goditjen dërmuese këtij Muri dhe bunkerëve; në Bibliotekën e Ish-Presidentit Ronald Reagan, në Universitetin “Xhorxh Bush” në Teksas, etj. Ato i gjen dhe në selinë e Shenjtë në Vatikan, në Francë, Itali, Australi, deri në Kosta Rika dhe Venezuelë. Relike të tij në formën e suvenireve në përmasa më të vogla ndodhen kudo, ato i kanë sjellë në Shqipëri me qindra e mijra shqiptarë që kanë qenë në Berlin.
Këtë simbolikë, krahas autorëve ttjerë me emër, e ka sintetizuar me origjinalitet poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu në Prill 1999 me dy poezi të “qëndisura” pikërisht aty ku më parë kalonte Muri famëkeq: “Muret“ dhe “Shitja e absurdit“.
Krahas poezisë, edhe muzika shqiptare nuk ka qëndruar indiferente ndaj Murit. Kjo u pa dhe në Nëntor 2009, kur u lançua “ Stafeta Akustike” e rregjizorit të njohur gjerman Uli Jekle. Nga 315.000 tituj vjershash, këngësh e poezish” anti-mur” nga gjithë Europa, ai kishte përzgjedhur 60.000 titujt më të mirë, të cilët u recituan gjatë një maratone të vërtetë artistike për disa ditë me radhë nëpër skenat e Berlinit. Ndër to ishte dhe Kënga shqiptare “ Toka e Diellit”, e interpretuar në Festivalin e Këngës në Radio dhe Televizion në vitin 1990 nga Rita dhe Frederik Ndoci, Manjola Nallbani, Morena Reka dhe Dashnor Diko. Një këngë e gjallë dhe entusiazte që shpaloste flladin e ri që solli ribashkimin gjerman dhe europian.
Së fundi, siç e kam nënvizuar te libri “ Berlini pa Mure” ( 2009 ) falë ndihmesës madhore të artit, letërsisë dhe muzikës elitare, nga një sindromë e frikshme, “ Muri” është kthyer në logos monumental, simbol i triumfit të njeriut, lirisë dhe demokracisë mbi çdo lloj muri, sado i gjatë, i lartë dhe i shtrirë në kohë që të jetë; si një proces dinamik dhe i vazhdueshëm, ku muret ngrihen, bien dhe shemben, ngrihen të tjerë, për t’u shembur sërish në përmasa edhe më të mëdha dhe për t’u zëvendësuar me ura lidhëse dhe bashkuese kombëtare, rajonale dhe planetare.
© 2022 Argumentum