Dr. Jorgji KOTE
Vërtet janë dhjetë “JO“; veç jo formale, as rastësore, por me gërma të mëdha, të qarta, të hapura, dashamirëse, konsensuale, hera herës dhe diplomatike; janë “JO“ me substancë, me “brumë“ dhe me gjeografi të larmishme gjeopolitike.
Është shkruar dhe folur shumë për këtë nismë, që në fakt dhe tani, 30 muaj pas lançimit ka mbetur vetëm “Trilateral Ballkanik“. Falë shumë shkrimeve dhe kontributeve për këtë temë, tashmë gjithçka është e qartë si drita e diellit për ata që duan të kuptojnë dhe të shohin realitetet konkrete.
Gjithsesi, në respekt të kohës së lexuesve, në vijim të zhvillimeve dhe të rejave më të fundit, këtë radhë po i ripërsërisim shkurt këto “JO“ dhe autorët e tyre, aktorë dhe faktorë madhorë gjeopolitikë, të cilat, përse të mos e themi e “fundosin“ “Ballkanin e Hapur“ pra, e “fshijnë nga defteri“ apo katalogu i larmishëm i nismave rajonale. Më konkreisht:
Jo-në e parë vazhdon ta thotë fort Prishtina zyrtare; pothuajse të gjithë i japin asaj të drejtë; sepse Serbia, si nismëtare e “Ballkan i Hapur“ vazhdon të injorojë krimet ndaj saj dhe të mos e njohë si shtet. Ndonëse ka qenë dhe është në gati 20 nisma të mëparshme rajonale të drejtuara nga BE-ja në 20 vitet e fundi, Beogradi nuk ka lëvizur asnjë centim përpara nga pozicionet e saj refraktare, as në rastin e dialogut, madje po bën hapa prapa.
Kësisoj, lind pyetja e drejtë: Kur në këto dhe në drejtime te tjera nuk ka patur rezultat në nisma të kryesuara nga BE-ja dhe SHBA-të, si mund të ketë shpresë me gjysëm “Ballkanin e Hapur“, që duket qartë se bëhet kryesisht për të “pudrosur“ imazhin e Serbisë dhe për të njollosur Kosovën në sytë e botës?
Dy JO-të e tjera i takojnë Malit të Zi dhe Bosnie – Hercegovinës, për mungesë besimi dhe skepticizëm ndaj politikave dhe praktikave të ndjekura nga Sebia në 20 vitet e fundit me ndikime të njohura negative në të dy këto vende.Vërtet që Kryeministri i ri Abazoviç ka lënë të nënkuptohet se Mali i Zi mund t’i bashkohet nismës, por dhe ai vetë nuk është aq i bindur; ca më tepër që Presidenti i fuqishëm me Partinë e tij të madhe është kundër; por, sikur ta miratojë me sforco të madhe politike kjo qeveri, dihet se ajo është e përkohshme; ndaj, kjo çështje atje do të mbetet “as në qiell dhe as në tokë“ dhe më shumë do të ndajë se do bashkojë!
Jo-në e katërt do ta gjeni, po, po, në të tri vendet e “Ballkanit të Hapur“- diku te opozita, diku të kryetari i shtetit, te media, ekspertët e mirënjohur, etj. Kështu dhe Po-ja atje nuk është me gojën plot, por me gysëm zëri, kalimtare, e pjesshme dhe e përkohshme; sa për Po-në e Këshillimit Kombëtar te ne ajo mund të jetë thjesht alibi politike, por pa vlerë. Sikurse tregohet dhe më poshtë, nuk janë “disa njerëz që thonë….“ por shumë shumë më tepër se aq kundër “Ballkan i Hapur“.
Jo-ja e pestë vjen nga Ukraina, pas agresionit rus ndaj saj. Beogradi është i vetmi vend në rajon dhe kandidat për BE që nuk zbaton sanksionet ndaj Rusisë. E ç‘kuptim ka të hapësh Ballkanin kur ti mbyllesh ndaj Europës dhe Ukrainës, sidomos tani që për të gjithë është bërë “prova e zjarrit“! Sa për “Po“-në serbe në dy rezoluta të OKB-së, jo vetëm që nuk kishte peshë në 141 votat e tjera, por as që e qederosi aleatin e vet Rusinë. Shkurt, ajo ishte “sa për të hedhur lumin! Ja pse sot shqetësimi dhe interesi nuk është që Serbisë t‘i kërkohet nxitja e “Ballkani i Hapur“, por t’i bashkohet, tani, shpejt dhe pa rezerva BE-së dhe SHBA-ve në qëndrime unike ndaj Rusisë agresore si aleat i saj! Kjo u pa fare qartë në Darkën Informale të liderëve të Rajonit më 11 Maj dhe në Takimin Informal të Ministrave të tij të Jashtëm në Bruksel më 16 Maj.
“Jo“-ja tjetër e radhës vjen nga realitetet e reja dhe sidomos mësimet që po nxirren pas agresionit rus; me dështimin e teorisë së globalizmit naiv se krijimi dhe zhvillimi i tregjeve dhe i zonave të lira do të zgjidhte problemet, tensionet dhe konfliktet politike, siç pretendohet dhe me “Ballkani i Hapur“. Tashmë BE dhe të gjithë aktorët e tjerë madhorë gjeopolitikë po kalojnë në “lupë“ të gjitha nismat e tyre, dhe ato rajonale, me qëllim rikualifikimin e tyre me orientim demokracinë dhe politikën, si përparësi absolute ndaj ekonomisë dhe tregtisë. Kësisoj, “Ballkani i Hapur“ skualifikohet pa hyrë fare “në garë“. Vërtet ai mund të të sigurojë mallra dhe shërbime më të lira sot, por për shkak të politikave të pabesueshme serbe mund t’i paguash “si frëngu pulën“ nesër, siç po ndodh me energjinë, gazin dhe mallrat bazë ushqimore sot në Europë.
Jo-ja e shtatë vjen nga BE-ja, një JO e shumëfishtë, me peshë dhe në unison të rrallë të Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit Europian. Këshilli e ka thënë këtë “Jo“ të heshtur në dy samite, në Sofje dhe Brdo më 2020 dhe 2021 dhe në Bruksel më 14 Dhjetor 2021, Komisioni në Tetor 2020 dhe Parlamenti Europian e në Rezolutën e tij më të fundit të muajit Prill. Kjo“ JO“ shprehet me injorimin e plotë të “Ballkan i Hapur“, duke mos e pëmendur as si term në asnjë dokument zyrtar.
BE-ja thotë “Jo“ sepse nuk u pyet dhe as u konsultua paraprakisht për këtë nismë; ajo lindi si karshillëk ndaj saj disa ditë pas Jo-së së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Tetor 2019; mbas 30 muajsh pas krijimit, në vend t’i bashkojë “Ballkan i Hapur“ i ka ndarë dhe më shumë dhe “mes vedi“ vendet dhe njerëzit.
“Jo“-ja e tetë, e lidhur ngushtë me BE-në është pikërisht projekti i saj për Rajonin, me miratimin e të 6 liderëve të rajonit, pra gjithëpërfshirës – Tregu i Përbashkët Rajonal ( TPR ) Ky është termi dhe projekti që figuron në të gjitha dokumentat zyrtare të BE-së dhe që ka objektiva të njëjta me Ballkanin e Hapur, duke e bërë këtë të fundit dhe një mbivendosje fare të panevojshme. Vetëm se TPR është gjithëpërfshirës dhe ka mbështetje politike dhe financiare nga BE-ja. Siç dihet, ajo ka akorduar 29 miliard Euro për Planin e saj gjigand të Investimeve në Rajonin tonë deri në vitin 2027 për zbatimin e TPR-së dhe projekteve të tjera që ajo drejton; sidomos CEFTA, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Komuniteti Rajonal i Energjisë së bashku me Procesin e Berlinit. Ndaj, ajo nuk ka si “të zgjidhë qesen“ për një nismë gjysmake, të cilën nuk e njeh dhe që ka për nismëtar Serbinë problematike. Se pastaj kësaj do t‘i thonin “dhentë dhe dhitë e Zeres dhe nami i Hasan Qerres“!!
Jo-në europiane e kuptoi dhe pohoi javën e kaluar edhe Kryministrja serbe Babiç, pas një takimi mbi të ardhmen e BE-së zhvilluar më 6 – 7 Maj në Firence. Sipas saj, Europa nuk e do Ballkanin e Hapur, sepse ai ndan dhe këtë e kishte shprehur dhe Borrell me Lajçak.
“JO“-ja e nëntë e rëndë është gjermane; ajo është shprehur e përsëritur qysh Tetorin e kaluar nga Merkel në Tiranë në shtator 2021 në Tiranë; atë ia tha akoma më troç Ramës në Berlin në prill edhe Kancelari Scholz përpara medias, duke mos e përmendur fare si term, megjithë këmbënguljen e gazetarëve të pranishëm. Një “Jo“ fare e kuptueshme, sepse Gjermania është nismëtarja e Procesit historik të Berlinit. Pretendimi se “Ballkan i Hapur“ është njësi apo zbatim i saj, sepse Procesi i Berlinit gjoja ka dështuar, nuk ka bindur kërkënd në Berlinin zyrtar dhe te vendet e tera aktive në atë proces. Madje i irriton ata. Ndaj, Scholz, duke injoruar Ballkanin e Hapur e tha qartë se do të punojnë, siç e tha ai, për rigjallërimin e Procesit të Berlinit.Të njëjtin qëndrim mbajti dhe me 4 maj në takimin me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Mirëpo kur thotë Berlini “JO“, edhe Parisi, Haga e të tjerë është tejet e vështirë të thonë “Po“.
Mirëpo, kjo JO është e pakthyeshme dhe e pakorrigjueshme, siç shpresojnë me naivitet partizanët e “Ballkanit të Hapur“. Çdo demarsh diplomatik per të shtuar qoftë dhe vetëm emrin “Ballkan i Hapur“ në dokumentet zyrtare të BE-së do të dështojë; sepse për Ballkanin e Hapur nuk ka konsensus brenda BE-së; kësisoj, kundërshtarët do të pyesnin me shqetësim se përse do shtuar diçka tjetër kur TPR-ja i plotëson të gjitha kushtet? Përse na duhen mbivendosje dhe paralelizma të tilla, ca më tepër për protagonizëm rajonal?
Së fundi dhe jo më pak e rëndësishmja, “Jo“ ka thënë me diplomaci dhe në heshtje edhe SHBA-ja; rasti më i fundit ishte në fund të Prillit kur Rama deklaroi publikisht se Ndihmës Sekretarja e Shtetit Donfried i kishte dhënë mbështetje të fuqishme Ballkanit të Hapur. Mirëpo, Njoftimi për shtyp pak më vonë i Departamentti Amerikan nuk e përmedte fare “Ballkan i Hapur“. As me Blinken më 15 shkurt në takimin me Ramën nuk u përmend, ndonëse Rama pretendoi se kishte marrë “PO“. Edhe Mike Pompeo, ish sekretari amerikan i Shtetit që ishte në Tiranë më 15-16 Maj nuk hodhi ndonjë fjalë të mirë, qoftë dhe ashtu privatisht, ndonëse më 4 Shtator 2020 Mini- Schengeni figuronte në Marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës që ai e kishte sponsorizuar!
Së fundi, ky është ndoshta shkrimi i 10-të i autorit, ku krahas mirëkuptimit, janë shprehur rezerva dhe kundërshtime për këtë temë. Veç jo si oponent politik apo kritik i qeverisë, të cilës i kam shërbyer për një kohë të gjatë si diplomat, por si ekspert i kësaj fushe dhe me dëshirën e mirë. Nga këto pozita, dua të përsëris sugjerimin e bërë në shkrimin e kaluar “Ballkani i Hapur nuk ngjit as në Bruksel dhe as në Berlin“ që sa nuk është vonë, pala jonë, me lezet dhe në rrugë diplomatike, të propozojë shkrirjen e saj në Tregun e Përbashkët Rajonal, të drejtuar nga BE-ja. Kështu do të marrë fund kjo histori e pasuksesshme; keni për të parë se si të 10 “JO“-të e mësipërme do të kthehen mee njëherë në “PO“ të shumëpritura!
© 2022 Argumentum