Dr. JORGJI KOTE
Këto kohë, kur gjendja në Lindjen e Mesme është tensionuar si asnjëherë më parë mbas sulmeve terroriste nga Hamasi më 7 tetor ka dalë sërish në pah dhe çështja palestineze si element kyç i zgjidhjes së rebusit të ngatërruar gjeopolitik në atë rajon shpërthyes. Duket qartë dështimi i teorive të gabuara perendimore për një paqe të menaxhuar, se marrëdhëniet mes shteteve armiqësore në Lindjen e Mesme dhe paqja e qëndrueshme atje janë të mundura edhe pa Palestinën, apo se këto objektiva mund të realizohen me forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar; siç veproi ish Presidenti Trump 4 vite më parë kur në këmbim për sa më sipër i premtoi Palestinës 50 miliard Euro dhe kur Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmut Abbas e refuzoi duke deklaruar se ” Palestina nuk është tokë në shitje”.
Sepse gjendja, sfidat dhe kërkesat janë të ngjashme, madje më të mëdha se atëhere.
Këtë e konfirmoi dhe një ndër liderët më të shquar palestinezë, Prof.Dr. Sari Husseibeh në intervistën me gazetaren e mirënjohur të « Zërit të Amerikës » në Uashington, Klementina Cenkollari më 7 Dhjetor kur pohoi se :« të them të vërtetën nuk jam shumë i sigurt për të ardhmen. Në të kaluarën i thoja vetes se mund ta shihja të ardhmen. Ndërsa tani, i them vetes se e ardhmja duket shumë e mjegullt ».
Mora shkas për këtë shkrim dhe nga rasti që pata plot 45 vjet më parë kur bëra udhëtimin e parë jashtë shtetit; shkova në Beirut, i ftuar nga Bashkimi i Përgjithshëm i Studentëve Palestinezë ( GUPS) në Kongresin e tyre të rradhës. M’u dha kjo mundësi meqenëse gjatë periudhës së viteve 1972 – 1982 isha zgjedhur anëtar i KQ të BRPSH-së dhe në këtë kuadër kishim lidhje me GUPS-in palestinez; ata dërgonin përfaqësuesit e tyre në kongreset dhe veprimtaritë tona rinore. Madje në vendin tonë në ato vite vinin për studime dhe një numër i caktuar studentësh palestinezë, sidomos për mjekësi, nisur nga ideja që të ishin në gjendje të kuronin shokët e tyre të plagosur në luftimet e përgjakshme.
Kështu, më 15 Dhjetor 1978 u nisëm me të ndjerin Ylli Backa, ish sekretar i Parë i Rinisë së Tiranës. Për të dy ne ishte hera e parë që shkonim jashtë shtetit. Gëzimi ishte i madh, por dhe shqetësimi jo më i vogël mbasi në Beirut sapo kishte përfunduar lufta civile e viteve 1975 – 1978 dhe gjendja ishte e rrezikshme.
Në Aeroportin ndërkombëtar të Beirutit na priti Këshilltari i Ambasadës sonë në Kajro, i ndjeri Qazim Tepshi, i cili na shoqëroi vetëm gjatë qëndrimit 2 ditor në Beirut. Rruga nga aeroporti për në kryqytetin libanez ishte e frikshme, plot postblloqe; për fat kishim dy shoqërues palestinezë, të cilët e bënin të lehtë dhe pa problem kalimin te to deri në Hotel ” Carlton” ku ndenjëm dy netë. Shënojmë se në ato vite, OÇP e kishte selinë në Beirut. Beiruti si i pari kryeqytet që vizitonim mbas Athinës na mrekulloi me bukuritë e tij; bardhësi kombinuar me gjelbërimin e ullishtave, kodrave dhe malit si kurorë e gjelbër. Njerëz miqësorë dhe tejet bujarë.
Vizitën e parë në Beirut e bëmë te Monumenti i Pashko Vasës, i cili kishte qenë Governator i tij në vitet 1883 – 1892, kur dhe kishte vdekur në krye të detyrës.
Mbas dy ditë qëndrimi në Beirut na çuan në fshatin Kaifun, në Souk El Gharb në Malin e Bejrutit, i cili shtrihej në të njëjtin pozicion si Mali i Dajtit në Tiranë. Kongresi i GUPS-it u zhvillua atje për arsye sigurie, sepse në Beirut kishte ende shpërthime bombash dhe të shtëna armësh ndërmjet fraksioneve rivale fetare myslimane dhe të krishtere.
Delegacionet e huaja, kryesisht nga vendet ish komuniste u vendosën në godina të veçanta, ndërsa delegatët palestinezë që kishin ardhur nga shumë e shumë vende të botës nëpër konvikte. Aty kaluam 10 ditë tejet të ngarkuara me debate dhe diskutime mes delegatëve dhe drejtuesve të tyre.
Është e pamundur të përshkruash me pak rreshta ndjenjat dhe emocionet e shumta dhe të thella që ndjemë gjatë atyre ditëve të zjarrta dhe në veprimtaritë e tjera ku na ftuan mikpritësit. Ajo që linte më shumë përshtypje ishte fryma luftarake, entusiazmi, referimi te e kaluara, traditat e bukura të popullit palestinez, dashuria për tokën e të parëve, për Palestinën që e kishin mashtruar ndërkombëtarisht duke e përzenë nga trojet e veta duke i shpërndarë në Liban, Sirti, Jordani, Egjipt, Jemen e gjetkë. Etja dhe besimi i patundur për liri, të drejta dhe Atdheun e tyre!
E ndjemë këtë atmosferë në takimin zyrtar me Haxhë Tallal, bashkëpunëtor i ngushtë i Jaser Arafatit, ministër i Mbrojtjes bashkë me një lider tjetër kryesor që kishin qenë në Shqipëri disa vite më parë, të cilët na mikpritën bujarisht në një drekë në anije aty në det, mesa duket dhe ata për arsye sigurie.
Vendosmërinë palestineze për të rifituar lirinë me çdo çmim e pamë sidomos gjatë vizitës në dy kampe ushtarake palestineze në Sidon dhe Tripoli, ku na pritën shumë ngrohtë mbasi u njohën me ndjenjat e solidaritetit tonë.
Tejet emocionuese ishte vizita e organizuar në një spital ku mjekoheshin me qindra të plagosur palestinezë. Pavarësisht nga gjymtimet e rënda dhe dhimbjet, kur mësonin se vinim nga Shqipëria ata mblidhnin vehten dhe na flitnin me krenari. Nuk janë asgjë dhimbjet dhe jetët tona për Palestinën e lirë -pohonin me krenari. Situata ishte tejet prekëse aq sa në një moment, Ylli Backa shprehu gatishmërinë për të dhuruar gjak. Kjo nismë u mirëprit dhe bëri që dhe delegacionet e tjera të ndiqnin shembullin tonë. Drejtuesit e spitalit na falenderuan duke na dhënë dhe dëshmitë përkatëse të dhurimit të gjakut.
Po ashtu, gjatë vizitës në dy ndërmarrje prodhimi veshjesh për luftëtarët palestinezë dhe tjetra për mallra eksporti, për të siguruar valutën e nevojshme për të fianancuar rezistencën e armatosur, ku punonin kryesisht gra dhe vajza sundonte e njejta frymë mobilizimi. Ndërkohë, këtë frymë, mobilizim dhe gatishmëri për çdo sakrificë e pamë në dy shfaqje të bukura artistike që dhanë në mal dhe në Beirut artistë amatorë dhe aktivistë palestinezë, me flamurin e palstinës në ballë, me këngë dhe valle tradicionale që ngjalinn nostalgjinë dhe dashurinë për Palestinën e bukur.
Në të gjitha këto dhe të tjera raste shihej qartë pathosi dhe dashuria e të gjithëve për lidershipin e tyre e sidomos për Jaser Arafatin karizmatik. Arafati ishte me të drejtë idhulli i të gjithëve, ishte si Perëndi për palestinezët. Patëm rastin ta takonim për disa çaste në një mbledhje pune në një vend sekret në Beirut, ku na u deshën dy ditë në lëvizje përpara se ta takonim për arsye sigurie. Një entusiazëm i papërshkruar, brohoritje, standing ovations, këngë e valle.
Arafati energjik na përqafoi dhe na falenderoi për mbështetjen e dhënë nga vendi ynë dhe na përcolli përshëndetje revolucionare për popullin dhe udhëheqjen tonë.
Kështu përfundoi dhe Kongresi i GUPS-it, mes diskutimesh, kritikash dhe shqetësimesh të shumta për të ardhmen e Palestinës e cila ngjante me një ëndër të bukur, realizimi i të cilës nuk do të vononte shumë.
Në dekadat që pasuan kemi qenë dëshmimtarë të punws, përpjekjeve, proceseve dhe dështimeve të paqes, të dy intifadave palestineze, të Marrëveshjes së Paqes së Oslos plot 3 dekada më parë, etj bashkë me mungesat, pengesat dhe pendesat e shumta deri në vdekjen e Arafatit më 2005.
Mirëpo, në 15 vitet e fundit, ndihet shumë mungesa pikërisht e frymës, vendosmëria dhe besimi në fitore. Kam takuar gjatë shërbimit diplomatik në shumë vende bashkëmoshatarë, kolegë dhe miq palestinezë dhe të tjerë, të cilët kanë folur me shqetësim për gjendjen e krijuar në Rramallah.
Për fat të keq, sot Autoriteti Palestinez dhe lidershipi i tij dëgjohen më tepër për afera dhe skandale korruptive, apati dhe lënien pas dore të objektivit madhor historik, krijimin e Shtetit tw Palestinës krahas atij të Izraelit, në paqe dhe begati.
Sipas një sondazhi të muajit tetor të një ekipi të drejtuar nga Amaney Jamal, profesoreshë e shquar amerikano-palestineze në Universitetin Princetown, 67 për qind e popullsisë në Gaza janë të pakënaqur me Hamasin diktatorial. Por dhe në Bregun Perendimor shumica shprehen se veç Izraelit, tani janë të pushtuar nga Hamasi dhe Autoriteti Palestinez. Ca më keq akoma, vetëm 9 për qind e popullsisë në Bregun Perendimor i besojnë Presidentit Mahmut Abbas.
Tregues jetik tejet i rëndësishëm është fakti se sipas këtij sondazhi, 80 për qind e të anketuarve janë për zgjidhje diplomatike me Izraelin, ndë të cilët 67 për qind për zgjidhjen me dy shtete dhe 20 për qind janë në favor të zgjidhjes së armatosur.
Ja pse gjendja e tanishme kërkon detyrimisht vitalizimin dhe zgjimin nga letargjia politike të lidershipit palestinez, që të jetë në lartësinë e sfidave të mëdha që ka përpara; sidomos tani kur po forcohet gjithnjë e më shumë bindja dhe te faktori ndërkombëtar se çdo alternativë paqeje në Lindjen e Mesme duhet të përfshijë Autoritetin Palestinez dhe në Rripin e Gazës. Po ashtu, përkrahja ndërkombëtare për Palestinën është e madhe dhe në rritje. Ndryshe nga fillimi, kudo tani po e ndajn ” shapin nga sheqeri” dmth Hamasin nga populli palestinez. Kjo duket qartë dhe në manifestimet e shumta publike masive kudo në botë, në favor të popullit dhe kauzës palestineze; me siguri këtë do ta mbajë parasysh politika dhe diplomacia ndërkombëtare në demarshet e saj për zgjidhjen e rebusit të ngatëruar politik në Lindjen e Mesme me dy shtete, Izraelin dhe Palestinën, në paqe dhe harmoni të qëndrueshme me njeri tjetrin dhe krejt rajonin.
Sepse, sado plane dhe projekte të bukura ta hartohen në letër, vendimtare për sukses në këtë drejtim do të jetë rikthimi i kësaj fryme mobilizimi dhe realizimi i konsensusit për zgjidhjen paqësore me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar e në radhë të parë të SHBA-ve dhe të BE-së.
Në përfundim, le të jetë ky shkrim modest dhe një homazh për ata mijra palestinezë që nuk kursyen asgjë, as rininë e tyre plot ëndra, që u vranë, u plagosën, u burgosën; por dhe dedikim e respekt për mijra e mijra të tjerë të mbijetuar, përfshirë shumë miq e shokë ish studentë dhe të rinj palestinezë me të cilët kaluam gati dy javë në Souk El Gharb atë dhjetor të vitit 1978; ata vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre te vyer për një Palestinë të re në paqe e siguri në tokën e vet.
© 2023 Argumentum