Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri publikoi sot edicionin e 9-të të Indeksit të Biznesit, i njohur për perceptimin e klimës së Biznesit (2020-2021).
Indeksi vë në dukje se, Shqipëria është një vend potencial për investime në të ardhmen dhe reformat janë të thelbësore për të arritur progres.
Sipas Indeksit, “edhe pse veprojnë në një mjedis sfidues biznesi, kompanitë anëtare janë të angazhuara për të vazhduar aktivitetin e tyre të biznesit në Shqipëri, pasi vlerësojnë potencialet e vendit dhe shpresojnë për përmirësime të mëtejshme në reforma dhe në kuadrin ligjor. Ata i kërkojnë qeverisë të zbatojë shpejt reformat për të zhvilluar ekonominë e tregut dhe për të rritur rolin e saj në rajon. Në komentet e tyre, të anketuarit shprehin besimin se një mjedis transparent, me praktika të drejta dhe standarde demokratike do të garantojnë një të ardhme më të mirë për investimet dhe zhvillimin ekonomik”.
Përmbledhja e raportit të Indeksit, citon se ndikimi i pandemisë Covid-19 dhe progresi më i ulët se sa pritej në treguesit kryesorë janë faktorët kyç në rezultatin e indeksit.
Rënia e besimit të përgjithshëm të biznesit ishte relativisht e vogël – 0.5 % nga 100 % – por e rëndësishme pasi shënoi nivelin më të ulët të besimit nga bizneset, që nga fillimi i Indeksit në 2012. Për më tepër, perceptimi i përgjithshëm i biznesit nuk ishte në gjendje të rikuperonte nga rënia e thellë prej 5 % një vit më parë. Kontributi në një rënie të mëtejshme duket se lidhet me ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë e përgjithshme. Nevoja për një ndryshim më të fortë të politikave për reformat në mjedisin e investimeve është reflektuar gjerësisht në sondazh, sipas Dhomës Amerikane.
Angazhimi i përgjithshëm i bizneseve në indeks vazhdoi të rritet ndjeshëm, 71 % e anëtarëve të dhomës ose 150 kompani, morën pjesë në sondazh, duke shënuar nivelin më të lartë të kontributit ndonjëherë dhe duke shprehur një dëshirë të fortë për t’u angazhuar në aktivitete të lidhura me reformën.
Sondazhi tregon disa përmirësime në faktorët tradicionalë në krahasim me vitin e kaluar, të tilla si: “Klima e brendshme politike” (+7.69 pikë), “Niveli i korrupsionit” (+3.09 pikë), “Rendi dhe Siguria në Vend” (+5.70 pikë), Monopoli dhe Konkurrenca e padrejtë” (+6.02 pikë),“ Burokracia qeveritare” (+1.74 pikë) dhe “Zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve” (+1.16 pikë).
Anketa tregon përmirësime në marrëdhëniet me disa nga institucionet më të rëndësishme publike dhe autoritetet qeveritare.
Krahasuar me një vit më parë, ky perceptim është përmirësuar përgjithësisht për ministritë (+3.25 pikë), qeverisjen vendore (+2.23 pikë) dhe Gjykatat (+0.93 pikë). Perceptimi i përgjithshëm për Infrastrukturën (+2.41 pikë) dhe Furnizimin me Energji (+2.98 pikë) për të plotësuar nevojat e tyre është përmirësuar gjithashtu gjatë vitit 2020.