REAL POLITIK FLASH NR. 95
1 – 16 SHTATOR 2024
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Dialogu i vdekur! Deri tani kemi thënë se dialogu Prishtinë – Beograd ishte ”në koma” dhe “mbahej me frymëmarrje artificiale”. Mirëpo incidentet më të fundit midis Prishtinës dhe Beogradit, “tregimi i muskujve” nga Serbia, sidomos 7 pikat e Vuçiç, disa veprime të panevojshme nga Prishtina dhe ca më keq akoma të pabashkërenduara me aleatët perendimorë dëshmojnë se ky dialog është “i vdekur por i pakallur”. Ja pse, mbas 12 vite dështimesh është koha që mbas krijimit të instancave të reja drejtuese në Bruksel dhe Uashington, të veprohet me forma dhe formate të reja në rajon dhe në veçanti në marrëdhëniet Kosovë- Serbi. Madje dhe vetë BE-ja me SHBA-të, krahas telasheve me Rusinë, Kinën dhe Lindjen e Mesme të ndryshojnë strategjinë dhe taktikat e veprimit ndaj tyre. Boll më ” tërhiq e mos e këput”, “kulaç për Beogradin dhe kërbaç për Prishtinën”. A do të ndodhë kjo deri nga tremujori i parë 2025 ? Le të presim dhe shpresojmë, veç pa telashe të tjera, punë muajsh është!
2. Jo vetëm vetoja greke! Po flitet shumë këto javë për çeljen e negociatave për grupin e parë të kapitujve me BE-në. Me një farë lehtësimi që Çështja « Beleri » dhe e Bashkisë së Himarës u mbyll pa zhurmë dhe ku BE-ja duhet të japë një mesazh për rajonin. Gjithsesi, kujdes, « të mos i bëjmë hesapet pa hanxhinë ». Vërtet që Greqia mund ta heqë veton « Beleri” në tetor apo dhjetor, por ajo ka paralajmëruar se çështja e pronave të pakicave greke mbetet thelbësore për anëtarësimin tonë në BE ; duke nënkuptuar se veton do të na e mbajnë te koka « si shpata e Demokleut». Nga ana tjetër, ekziston rreziku që në rastin e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen Xhaçka, Brukseli dhe ndonjë kryeqytet tjetër tjetër të na thonë ” pritni sa të vijë përgjigja nga Venecia, pastaj shohim e bëjmë”. Ndaj pa eufori dhe propagandë, sepse sidomos me Greqinë nuk jemi ende « as në qiell dhe as në tokë ».
3. Aktivë, ç’ne aktorë? Mbas anëtarësimit tonë dy vjeçar në KS të OKB-së, kryesimit të OSBE-së dhe zhvillimit të 4 samiteve në Tiranë, Kryeministri Rama ka njoftuar se vitin e ardhshëm Tirana do të mikpresë 44 liderët e Komunitetit Politik Europian, më 2027 Samitin e NATO-s dhe në fillim të muajit Mars 2025 do jemi vend nderi në Panairin më të madh të turizmit në botë në Berlin. Të gjitha këto dhe të tjera akte/fakte tentojnë të krijojnë përshtypjen se Shqipëria po kthehet në një aktor, madje me peshë në skenën ndërkombëtare. Kjo duke përfituar dhe nga gjuha me komplimenta dhe eufemizma diplomatike që përdorin të huajt në takimet e tyre me liderët tanë. Fakt është se sidomos këto vitet e fundit jemi bërë më tepër aktivë; mirëpo kjo është fare normale, mbas 34 vite pluralizëm dhe me gjithë atë përvojë të madhe. Pastaj, jemi anëtar i NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe aspirojmë të futemi në BE. Por, aktorë gjeopolitik, kursesi. Se ka vende më të mëdha që kanë dekada që mikpresin samite shumë më të mëdha dhe me kontribute të tjera dhe prapë nuk pretendojnë të jenë aktorë me peshë. Pastaj, mjafton të shohësh treguesit tanë kryesorë ekonomikë, sociale, financiare dhe ushtarakë dhe bindesh lehtë. Veç gjendjes së brendshme plot sfida dhe probleme që “na nxjerrin zbuluar”, migrimit të pandalshëm dhe plot telashe të tjera. Ndaj, të mos imitojmë propagandën e monizmit, kur pretendonim të ishim “fanar i socializmit“ ndonëse çoheshim me natë në rradhët e gjata të blinin gjërat më jetike. Shumë mirë që jemi më aktivë, por aktorë që të sjellim ndryshime qoftë dhe rajonale, as që bëhet fjalë.
4.Ligj për çbërjen e diplomacisë ka propozuar MEPJ-ja javët e fundit, që është bërë i njohur dhe te ARGUMENTUM, bashkë me shkrime dhe qëndrime profesioniste dhe nga Këshilli i Ambasadorëve. Ky projekt-ligj absolutizon ministrin si drejtues politik, duke nënvleftësuar Sekretarin e Përgjithshëm, si funksionari më i lartë i shërbimit civil. Së dyti, ndërsa shtrëngon masat për diplomatët e karrierës, ky Projekt-Ligj lehtëson kooptimin dhe katapultimin e njerëzve nga jashtë sistemit, duke hequr çdo masë kufizuese ndaj tyre. Kësisoj, ai hap shtegun për mbushjen e shërbimit tonë të jashtëm me diplomatë dhe ambasadorë nga politika, ekonomia, kultura, punonjës të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të dërguar në ambasadat tona jashtë, deri dhe te dublimi absurd i ambasadorëve me një tjetër të dërguar nga ministri! Konkretisht, këto vitet e fundit, mbas ndryshimit të Ligjit më 2015, kemi 20 ambasadorë politikë ose “ të jashtëm” nga 56 gjithsejt, ose mbi 30 për qind, nga 20 për qind që ishte kuota deri në vitin 2015, kur ajo u hoq padrejtësisht. Ndonëse në 34 vitet e fundit, te ne është krijuar një trupë diplomatike profesioniste, e cila ia ka kushtuar jetën diplomacisë, me disa mandate brenda dhe jashtë vendit. Dhe sukseset apo arritjet tona diplomatike vitet e fundit i atribuohen në një masë shumë të madhe pikërisht kësaj trupe profesioniste, me diplomatë dhe ambasadorë karriere, të cilët “nuk i lenë asgjë mangut” kolegëve të tyre perendimorë. Ndaj, nuk ka asnjë arsye përse të shtohet, por të pakësohet numri i atyre që kooptohen nga jashtë. Ca më tepër se veç 4 – 5 ambasadorëve që kanë qenë deputetë të njohur, të tjerët nuk janë as personalitete të shquara e as të njohura publike. Çudia më e madhe është se projekt-ligji i ri propozon që këta « outsiders », ndonëse kanë deri në 10 vjet rresht në të njëjtin vend jashtë çdo ligji dhe norme, të fitojnë statusin e diplomatit të karrierës , diçka e padëgjuar gjetkë!
Veç të tjerash, kjo do ishte padrejtësi dhe diskriminim i madh social me diplomatët e karrierës, të cilët rekrutohen dhe kalojnë me shumë përpjekje në të gjitha shkallët e hierarkisë diplomatike! Për pasojë, shërbimi ynë diplomatik rrezikon seriozisht të mbushet me njerëz që vetëm emrin kanë diplomat, duke krijuar trauma të reja në rastet e rotacionit politik, siç ndodhte 15 – 25 vite më parë; probleme që u zgjidhën drejt me mundim por që do të dalin sërish në sipërfaqe!
Tani mbetet të shpresojmë që ky Projekt-ligj të mos kalojë për miratim kështu siç është por me ndryshimet që janë kërkuar zyrtarisht nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, shumë ish diplomatë dhe ekspertë të të tjerë të nderuar, dhe mbi bazën e përvojës më të përparuar perendimore.
© 2024 Argumentum