Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit këtyre dy vendeve.
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dy liderët kanë bërë progres dhe janë zotuar që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel.
Ai ka vlerësuar faktin se të dy palët janë deklaruar se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit evropian që e ka titullin ‘Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka theksuar Borrell, sipas të cilit ky plan do të publikohet nga BE.
Ai tutje ka thënë se kjo marrëveshje mbi të gjitha është për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, pasi ofron mundësi të mira për lëvizje të lirë, tregti të lirë pa burokracitë e deritashme.
Ai ka thënë se për serbët në Kosovë kjo do të thotë më shumë siguri dhe përshtatshmëri dhe më shumë të drejta.
Borrell ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. “Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar marrëveshjen, porse nevojiten ende negociata tjera për të përcaktuar modalitetet. Diplomacia ecajake do të vazhdojë”, ka shtuar Borrell, i cili ka bërë të ditur se në mes të muajit të ardhshëm do të ftojë dy liderët për një takim tjetër, për siç ka thënë finalizimin e diskutimeve.
Vete Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me shefin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka theksuar se propozimin evropian nuk e ka nënshkruar, meqë sipas tij, për këtë nuk është pajtuar pala serbe.
“Unë e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për nënshkruar, unë kam shprehur gatishmërinë që ta nënshkruaj këtë tekst dhe fundja nuk do ishte nuk do ishte teksti i parë që nënshkruhet kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë”, tha Kurti.
“Sot patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel. Ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë se është bazë e mirë dhe platformë solide për ecje para. Tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Do të ketë edhe diplomaci fluturuese po edhe takim të radhës të nivelit të lartë kah mesi i muajit të ardhshëm. Unë i falënderoj z. Borrell dhe z. Lajçak për punën që kanë bërë deri më tash dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëpasnjëshme të normalizimit të marrëdhënieve për fqinjësisë së mirë evropiane”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri e ka konsideruar si dëm faktin që sonte nuk është nënshkruar asgjë lidhur me atë për të cilën palët janë pajtuar.
“Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst, por pala tjetër nuk ishte e gatshme, edhe pse u pajtua”, ka shtuar Kurti.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të zbatohet Asociacioni me këtë plan, kryeministri Kurti ka thënë se “ajo është fjalia e fundit, praktikisht e nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”.
Nga ana tjeter, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas takimit të mbajtur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Vuçiq tha se takimi ishte “shumë i vështirë”, por shtoi se bisedimet do të vazhdojnë në “periudhën e ardhshme”.
Në këtë takim, sipas BE-së, në agjendë ishte propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
“Mendoj se është e rëndësishme që njoftimi i BE-së do të përmbajë fjalë për domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, tha ai.
Vuçiq paralajmëroi një takim të ri me Kurtin më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.
“Me sa kam kuptuar, më 18 [mars] do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, [shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep] Borrell do ta vizitojë rajonin”, tha Vuçiq.
Në agjendë të bisedimeve në Bruksel më 27 shkurt ishte propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja deklaroi se palët janë pajtuar që nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme për këtë propozim dhe kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e tij.
“Pres të shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha Vuciq, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyesin, por se para së gjithash për atë që është rënë dakord më parë, siç është Asociacioni”, tha Vuçiq.
“Sido që ta shikoni, në radhë të parë është Asociacioni i komunave serbe”, theksoi ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015.
/Argumentum.al