Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë para mediave në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.
“Dialogu duhet të përgatitet mirë dhe të bazohet në parime të qarta”, shtoi Kurti.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 26 prill ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të vazhdojë më 11 maj. Ai këto komente i bëri pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Deklarimi për “non-papers”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë ka komentuar edhe çështjen e “non papers” të publikuara nga mediat në Ballkan, për zgjidhjen e mundshme të çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të mundësisë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’ është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ (pa koment) sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe se raportet në “Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor”.
Gjatë javëve të fundit nga mediat në Ballkan janë publikuar dy qarkore, njëra nga mediat sllovene në të cilën pretendohej se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një dokument, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar, dhe tjetri nga gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë, për të cilin është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.
Takimet e Kurtit në Bruksel
Kurti ka nisur të mërkurën takimet zyrtare në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Ky i fundit ka arritur në Bruksel të martën dhe po atë ditë ka pasur një takim joformal me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.
Kurti së pari ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Belgjikës Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian.
Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, ka thënë se ka pasur një “takim të mirë, të parë” me Kurtin dhe të ka diskutuar për agjendën e reformave në gjyqësorin e Kosovës, për rimëkëmbjen ekonomike, procesin e vaksinimit, por edhe për aspektin evropian dhe atë trans-atlantik.
Kryeministri belg po ashtu ka thënë se gjatë këtij takimi, e ka ripërsëritur mbështetjen e fuqishme të shtetit të tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga BE-ja.
Më 28 prill, Kurti do të ketë kryesisht takime me komisionarë të fushave që janë më pak politike, por që mbulojnë sektorë për të cilët Komisioni Evropian beson se kanë rëndësi edhe për Kosovën.
Delegacioni i Kosovës pritet që të takohet të mërkurën edhe me Komisionarin evropian për Bujqësi dhe Zhvillim rural Janusz Wojciechhowski, atë për Drejtësi Didier Reynders, Komisionaren për Energji Kadri Simons, për Ekonomi dhe Financa Paolo Gentiloni dhe nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian për Ekonomi Valdis Dombrovskis.
Gjatë ditës, Kurti pritet ta takojë edhe presidentin e Parlamentit Evropian David Sasolli.
Të enjten, ndërkaq, ai do t’i ketë takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me Përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell.
Kurti takimin me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel e ka zhvilluar në mënyrë virtuale të martën pasi ai është dashur të shkojë në një udhëtim jashtë shtetit me urgjencë.
Kurti do të ketë takim gjatë vizitës në Bruksel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Edhe burimet e BE-së pohojnë se kjo vizitë ka një agjendë të ngjeshur dhe takime për të diskutuar shumë tema e jo vetëm ato të karakterit politik.
Bashkëpunimi i Kosovës me Komisionin Evropian në fushat e bujqësisë, zhvillimit rural, energjisë, ekonomisë dhe financave vlerësohet si mundësi për të nxitur investime dhe përmirësuar jetën e qytetarëve.
Kosova, sipas raporteve të progresit të Komisionit Evropian, në shumë prej këtyre fushave ka ngecje të mëdha dhe BE pret që Qeveria të ketë më shumë vëmendje për të shënuar progres.
Vëmendja më e madhe megjithatë pritet të jetë për temat siç janë ndihma në procesin e vaksinimit, ku Kosova ka problem serioze me sigurimin e vaksinave deri tash dhe BE planifikon të ndihmojë, sikur edhe në përgatitjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Të mërkurën në mbrëmje Kurti do të ketë edhe një darkë me Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog Miroslav Lajçak./Rel