I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se detajet e planit franko-gjerman së shpejti priten të publikohen. Për këtë ai thotë se pas diskutimeve intensive me të dy qeveritë, do të kuptohet edhe thelbi i propozimit.
Plan i propozuar nga Franca dhe Gjermania, sipas emisarit Escobar, gëzon mbështetjen e plotë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zyrtari i lartë amerikan i bën sërish thirrje autoriteteve në Prishtinë, të pranojnë kërkesën për të shtyrë me 10 muaj zbatimin e urdhrit për targat e makinave të banorëve serbë në veri të Kosovës. Këto deklarata ai i ka bërë në një intervistë për Zërin e Amerikës. Kosova dhe Serbia ndodhen në një fazë të re dialogu, ndërsa trysnia ndërkombëtare është shtuar ndaj të dy vendeve për të shmangur tensionet mes tyre. Detajet e planit franko-gjerman do të publikohen së shpejti.
Qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohiur, ta njohin pavarësinë e Kosovës. Evropa ka përcaktuar rrugën drejt njohjes. Ata kanë përcaktuar rrugën e integrimit evropian dhe kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, vazhdimisht e inkurajoj qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi.
/Argumentum.al