Të martën më 15 qershor do të mbahet takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç,
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor, njoftoi të mërkurën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Do të jetë ky takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Procesi i bisedimeve ka ngecur vjeshtën e vitit të kaluar, kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Përpara konfirmimit të datës për rinisjen e procesit, zyrtarët e të dyja palëve kanë vazhduar me deklarata kontradiktore në lidhje me këtë Asociacion.
Kurti ka thënë se nuk mund të formohet asnjë asociacion njëetnik, ndërsa Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.
Kurti, në disa raste, ka thënë se takimi i tij me Vuçiqin, në kontekst të dialogut, nuk do të jetë vazhdim i dialogut, por “fillim i procesit të ri”.
Megjithatë, BE-ja këmbëngul se gjatë procesit të dialogut do të flitet për të gjitha çështjet që janë hapur më herët.