Realpolitik “ Flash” No. 56
17 – 31 TETOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik Dr. Jorgji KOTE
1.Dialogu strategjik pa Ramën u zhvillua më 25 Tetor në Uashington midis qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane. Ndryshe nga forumet e tjera, ndonëse ” strategjik” ai pati jehonë të vakët publike dhe mediatike. Njoftimet për shtyp ishin telegrafike; me formulime të përgjithshme të përsëritura; asnjë e re, pothuajse asgjë për demokracinë, korrupsionin, azilin e paligjshëm që po ”bën kërdinë” dhe të këqia të tjera që na kanë pllakosur. Ra në sy mosprania e Kryeministrit Rama. E çuditshme kjo mungesë kur ai nuk le as takime komunash pa shkuar; ca më tepër, kur në dialogjet strategjike me Greqinë, Turqinë, etj kanë qenë të pranishëm Kryeministrat e tyre. Emri i tij nuk u përmend në njoftimet e shtypit dhe as në Deklaratën e Blinken. Të jenë shenja të ftohjes së përfolur me Ramën, pas ”periudhës së gjatë të mjaltit? Sidomos kur veç Biden, nuk ngeli politikan pa pritur me bujë Veliaj disa javë më parë. Apo kjo ishte një ” Jo” diplomatike për sjelljen politike, aferat dhe skandalet që Rama i quan suksese?
Gjithashtu, pak kohë më parë, Rama pati paralajmëruar se në dokumentin strategjik do të shprehej fuqishëm mbështetja amerikane për Ballkanin e Hapur. Por ai nuk figuron askund. Normal, përderisa më 3 Nëntor në Berlin do të mblidhet Samiti i Procesit me të njëjtin emër, që do ta skualifikojë dhe çmontojë ”Ballkanin e Hapur”! Sepse ai nuk solli asgjë të re, veç sherr dhe ndarje, madje ” dhe mes vedi”
2.Tur zyrtar apo qokë rajonale? Kjo është pyetja që shtrohet pas vizitës zyrtare në Ballkanin Perendimor të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen më 26 – 29 Tetor. Ky tur ishte në kuadrin e eventeve, samiteve dhe proceseve, që janë pjesë e kthesës historikë të BE-së në rajon; ku ”qershiza mbi tortë » do të jetë Samiti BE- Ballkani Perendimor në Tiranë më 6 Dhjetor. Leyen pasoi turin e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe vizitat e para rajonale të Kancelarit gjerman Scholz, Presidentit italian Mattarela, kryeministrave të Finlandës, Hollandës dhe Lukseburgut.
Mirëpo, Leyen zhgënjeu, sepse nuk dha asnjë sinjal apo mesazh të ri, veç ” avazit” të vjetër, evokimit të rrezikut rus, ndihmave për kapërcimin e krizës energjitike dhe elozheve për mikpritësit; ajo takoi dhe Presidentin e ri të Republikës Serpska Dodik, ” non – grata” nga SHBA-të. Por, shumë pak, për të mos thënë asgjë dëgjuam për demokracinë, azilin e paligjshëm alarmues, krimin e organizuar, skandalet… Vetëm fjalë të mira, gajret, elozhe dhe ” Gjithçka OK” E pakuptueshme kur ky tur bëhej 10 ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit të saj Europian, plot problematika shpërthyese. Si diplomat e di mirë se këto shqetësime janë përmendur në takimet me dyer të mbyllura. Gjithsesi, nisur nga serioziteti i situatës dhe kthesa historike që synon BE-ja, ia vlente të thuheshin, me gjuhë/eufemizma diplomatike, pra me ” pambuk” dhe ” lezet” disa fjalë kritike për qeverinë dhe pse jo inkurajuese për opozitën. Vetëm kështu ky tur zyrtar nuk do të katandisej në ”qokë” rajonale.
3.“Ec e ja, e dialog s’ka!“ Kjo mund të thuhet për vizitat e të Dërguarve të Posaçëm të BE-së dhe SHBA-ve, Lajçak dhe Eskobar në Beograd, Prishtinë dhe Bruksel gjatë këtyre dy javëve, me deklarime, paralajmërime dhe njoftime kontradiktore për modelin franko-gjerman. Por prapë, asgjë, dialogu ka ngecur në baltë, pa shenjë jete. Dhe nuk ka si të lëvizë përderisa SHBA dhe BE-ja vazhdojnë ta mbajnë naivisht « me hatër» Serbinë, pavarësisht trysnisë së tyre, e cila tani së fundi është rritur ndjeshëm.Fatkeqësisht, ato ende nuk po e kuptojnë se Beogradi dhe Vuçiç nuk ka shanse të ndryshojnë; ja, dhe qeveria e re serbe, asgjë të re, veç tanimë 4 ish ministrave të Milosevicit dhe betimit “ do ta mbajmë Kosovën dhe Metohinë brenda Serbisë“! Të tjerat janë llafe pa bereqet, ose “fjalë të mira dhe gurë në trastë“.
Tani gjithkush duhet te kuptojë se me Serbinë “nuk pi më ujë“ diplomacia ” e butë”( soft power) dhe me ” ec e jake“(shuttle); as vetëm ”me kulaç”! Me Beogradin është koka për « kërbaç” politik, “ ama ” o tani, o kurrë“!
4.Avari e rëndë në “motorrin” e BE-së ose në boshtin franko-gjerman, i cili po kalon ditët e tij më të vështira. Për shkak të qëndrimeve të njëanshme të Kancelarit Scholz në shumë drejtime gjeopolitike, si miratimi i fondit gjerman prej 200 Miliard Euro për të mbuluar pasojat e krizës energjitike, pa asnjë konsultim me Parisin dhe aleatët; kundërshtimin e vendosur ndaj propozimit për krijimin e një tavani/korridor europian çmimi të gazit dhe energjisë; kundërshtim i propozimit francez për sovranitet mbrojtës europian; qëndrimin tregtar ndaj Kinës pro interesit tregtar dhe jashtë politikës së jashtme të vlerave dhe parimeve, duke i dhënë Portin e Hamburgut konsorciumit kinez ”Coscot” dhe aspekte të tjera. Për pasojë, u anullua dhe mbledhja e përbashkët vjetore e dy qeverive.
Në këto rrethana, më 25 Tetor, Macron dhe Scholz drekuan bashkë në Elizée, në përpjekje për t’iu dhënë fund këtyre përçarjeve dhe për ta mbajtur në punë ” motorrin” e BE-së. Sepse nuk ka alternativë tjetër, sidomos në kushtet e krizave të thella dhe të agresionit rus. Me siguri që do të gjindet zgjidhja, por çështja është se kur dhe me çfarë kosto, jo vetëm për boshtin franko-gjerman, por gjithë BE-në!
5.“Kurbanë“ VIP të Brexit në 5 vitet e fundit janë 4 kryeministrat britanikë Cameroon, May, Johnson dhe Liz Truss bashkë me dhjetra ministra e qindra zyrtarë të tjerë të lartë të larguar ose dorëhequr. Të katërt artizanë dhe partizanë të zellshëm “BREXIT“. Liz Truss theu rekordin me vetëm 55 ditë qeverisje; pasardhësi i saj, Rishi Sunak më shumë po bën bujë për pasurinë e tij më të madhe se vetë Mbreti dhe thirjet për “shtrëngim rripi“. Në fakt, ndarjet, grindjet dhe përçarjet brenda konservatorëve vazhdojnë.
Fakti është se pas BREXIT britanikët kanë ”rënë nga shiu në breshër“. Sepse premtimet e bujshme të Brexit nuk zbatohen dot, mbasi mungojnë burimet dhe përfitimet e Brukselit. Gjithsesi, populistët dhe euroskeptikët në Londër nuk duan t’ia dinë për kostot, ata janë gati “ të hanë dhe bar por në Bruksel të mos shkelin» Por, shyqyr u kanë ardhur mendtë homologëve të tyre francezë, italianë, gjermanë, etj që nuk duan më “exit“ por vetëm „ta marrin nga brenda dhe ta ribëjnë kalanë e Brukselit“.
© 2022 Argumentum