MPB Maqedoni njofton se sot (09.04.2024) rreth orës 09:45 në SPB Shkup është raportuar se ka shpërthyer zjarr në Sallën Universale në Shkup.
Nga MPB thonë se menjëherë pas denoncimit, në vendngjarje janë dërguar efektivë policorë dhe efektivë të Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri, të cilët kanë shuar zjarrin rreth orës 11.30.
“Dy persona E.S (48) dhe A.T (41) janë dërguar në Klinikën e Toksikologjisë me një automjet të ndihmës së shpejtë mjekësore, për shkak të thithjes së tymit. Ekipet e EVN-së kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike në të gjithë afërsinë e sallës dhe në ul. “Petar Pop Arsov” ka ngecur dy femra në ashensorët e pallatit, të cilat janë nxjerrë nga Njësia e Policisë Intervenuese”.
“Lidhur me zjarrin, në Stacionin Policor Qendër janë ndaluar tre punëtorë ndërtimi, të cilët në momentin e shpërthimit të zjarrit kanë kryer punë, përkatësisht B.R. (50), Z.T. (60) dhe B.I. (53). Po merren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska ka kërkuar veprime të shpejta nga institucionet. Ajo apelon që të mos spekulohet për shkaqet e zjarrit.
“Dëmi material do të konstatohet para se të vazhdohet me aktivitetet e mëtejshme ndërtimore dhe do të përcaktohet shkaku. Objekti është i siguruar”, theksoi Kostadinovska Stojçevska. Do t’ju informojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt në mënyrë që të ketë informacione për atë që ka ndodhur, për të shmangur spekulimet”,- deklaroi ministrja Bisera Kostadinovska Stojçevska.
Pronari i “Universal Ballkan”-Shkup, kompanisë ndërtimore që po merret me rikonstruimin e sallës, u shpreh se zjarri ka ndodhur në pjesën e vjetër dhe janë djegur materiale të vjetra, dërrasa, pllaka, dhe se pjesa e re nuk është prekur. Sipas të dhënave të para, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një kabllo ose nga instalimi i vjetër.