Dr. Marsela MUSABELLIU
Për dekada, demokratizimi i politikës globale është bërë një temë e rëndësishme e agjendës ndërkombëtare. Duket qartë se çfarë nevojitet më shumë se kurrë është mundësimi i pjesëmarrjes së të gjithëve dhe intensifikimi i bashkëpunimit në nivele të shumta të qeverisjes globale.
Jetojmë në një moment të përshtatshëm në histori, për të shqyrtuar dinamikat në ndryshimet globale. Me rritjen e shpejtë të Kinës, me kushtet kaotike në mbarë botën, ato të sigurisë, të paqes dhe zhvillimin njerëzor, është me rëndësi të madhe që roli i Kinës së pari të kuptohet dhe së dyti të vlerësohet.
Për ta kuptuar atë, është më mirë të mbështetemi në burime kineze, në vend të interpretimeve të të tjerëve, të cilat janë kryesisht të njëanshme dhe politike. Për t’a vlerësuar si duhet, mjafton të shohim qasjen e Kinës në arenën ndërkombëtare me disa fjalë/fjali si komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit, bashkëpunim me përfitime të ndërsjella, multilateralizmi i vërtetë, mosndarja e botës në blloqe, refuzimi i “mentalitetit të Luftës së Ftohtë”..etj.
Por, si u arrit këtu, dhe si mund të shpjegohet më mirë udhëtimi i Kinës për një audiencë globale? – Le ta nisim me një ndarje në faza historike. Profesor Feng Zhongping, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Studimeve Evropiane në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës (CASS) dhe President i Institutit Kinë-EQL, e ndan rrugën e Kinës në tre faza.
Faza e parë përfshin tridhjetë vitet e para, që janë ato të pavarësisë. Kjo zgjati nga themelimi i RPK-së në 1949 deri në vitin 1979. Në këtë kohë, fokusi i Kinës ishte vetëvendosja, autonomia, fokusi i brendshëm dhe më shumë vëmendje në këtë fushë të pavarësisë.
Faza e dytë, duke filluar nga viti 1979 deri në vitin 2009, është ajo e integrimit. Në këto dekada, Kina po lidhej me pjesën tjetër të botës dhe bota po zbulonte Kinën.
Faza e tretë vjen në pikën e kthesës, në vitin 2009 deri më sot, ajo që Prof. Feng e quan faza ku Kina është duke sjellë më shumë kontribut në formësimin e rendit botëror. Ndërsa bota priste që Kina të bënte më shumë, që nga ai vit e deri më sot, Kina po kontribuon më shumë në të mirat publike, me disa iniciativa sipas nevojave të kohës dhe duke krijuar kështu një rrjet global partneriteti.
Në të vërtetë, pas vitit 2009, ka pasur një varg deklaratash e iniciativash dhe Kina po i flet botës disi më ndryshe nga më parë. Arritjet e saj ekonomike, rritja e mirëqenies dhe çrrënjosja e varfërisë tani po i prezantohet botës me një perspektivë për të ardhmen. Kina mendon globalisht, nuk mendon ngushtë, nuk mendon as rajonalisht.
Pekini zyrtar po përpiqet të adresojë problemet globale me idenë e “fatit të përbashkët” të njerëzimit. Në vend që të konsiderohet si rivalitet, ajo duhet të konsiderohet se ofron një fener shprese me përvojën e saj, me rrugën drejt modernizimit dhe nismat e fundit globale për siguri, zhvillim dhe qytetërim.
Kina përfaqëson një forcë stabiliteti në një botë plot pasiguri, dhe kjo është tërheqëse për ato vende që duan paqe e zhvillim. Shumica e kombeve janë të kënaqura me aktivizmin kinez dhe shprehjen më të zëshme të interesit kinez, sepse u ofron atyre alternativa për zhvillim dhe modernizim.
Pse është joshëse? – sepse Kina flet për çështjet që me të vërtetë kanë rëndësi për njerëzit, zhvillim, modernizim, bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë…këto janë prioritare për shumicën dërrmuese të njerëzve dhe të kombeve. Kina po promovon dhe mbështet në mënyrë të pareshtur multilateralizmin e vërtetë. Gjatë dekadës së fundit, Kina ka ngritur disa platforma aktive të multilateralizmit, të cilat kanë nxitur ndërveprim të intensifikuar midis institucioneve, qytetarëve dhe qeverive.
Aktualisht, Kina shfaq përvojën, synimet, mjetet dhe garancitë për të ardhmen.
Përvoja – Duke filluar me Iniciativën “Një brez, një rrugë” (BRI), Iniciativën për Zhvillimin Global (GDI), Iniciativën e Qytetërimit Global (GCI) dhe më shumë, Kina është instrumentale, proaktive dhe në përputhje me atë që shumica duan në formësimin e së ardhmes së multilateralizmit të vërtetë. Megjithatë, ato duhet të shihen në terma afatgjatë, sepse janë një mënyrë e të menduarit për botën duke identifikuar si prioritete, një mënyrë të qëndrueshme për t’u zhvilluar më tej.
Mjetet/mënyrat – Qasje proaktive, Kina i inicioi ato dhe po i nxit, i promovon dhe po i zgjeron ato nisma, të cilat kanë potencialin të bëhen një motor i fuqishëm i rritjes dhe përmirësimit të ekonomisë, duke u shërbyer vendeve që janë pjesë e saj për të arritur zhvillim të mëtejshëm.
Synimet – agjenda diplomatike kineze po intensifikohet çdo ditë në shkallë globale, në mjedise formale dhe joformale, dhe diskursi që dëgjojmë është jashtëzakonisht inkurajues. Dëgjojmë fraza të tipit “Vendet në zhvillim e “bartën” Kinën në OKB; Kina ka vepruar në të njëjtën frymë duke folur për botën në zhvillim.” Ose, “Përballë hendekut global të financimit të zhvillimit, Kina i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të bashkëpunojë sinqerisht dhe të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet e vendeve në zhvillim, veçanërisht të vendeve të varfra“. Të thëna në platforma globale, qëndrimet rezonojnë thellë dhe këto fraza impaktojnë shumë vendet që kanë nevojë të dëgjohen në skenën ndërkombëtare.
Garanci – Vazhdimësia e udhëheqjes kineze është një garanci se gjatë rrugës, Kina ka qenë dhe do të jetë konsistente në ndërveprimet e saj me pjesën tjetër të botës.
Si po paraqitet Kina në botë gjatë dekadës së fundit? – Angazhimi i Kinës për të punuar me pjesën tjetër të botës, drejt “komunitetit të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin” ripohon politikën e saj të jashtme afatgjatë për paqe dhe prosperitet, dhe ky vizion kinez nuk është një skemë gjeopolitike për të gdhendur sfera influence, por përfaqëson ndjekjen e aspiratave të shumë popujve në botë për bashkëpunim dhe jo varësi.
Krijimi i një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin buron nga kultura tradicionale kineze dhe filozofia e saj disa-shekullore e harmonisë dhe unitetit. Presidenti Xi këtë vizion të Kinës e përshkroi me pesë drejtime “politike, sigurie, ekonomike, kulturore dhe ekologjike” dhe ai bën thirrje për krijimin e një “komuniteti…që është i hapur, gjithëpërfshirës, për një botë të pastër dhe të bukur që gëzon paqe të qëndrueshme, siguri universale dhe prosperitet të përbashkët.” Ajo që Kina mbron në dimensionin gjeopolitik është një botë sovrane e orientuar në barazi, ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut dhe paqja ndërtohet mbi partneritete në vend që të zbatohet përmes aleancave ushtarake apo forcës politike.
Por, çfarë do të thotë në praktikë kjo qasje kineze në skenën ndërkombëtare? – Shumë shpesh dëgjohet nga politikëbërësit kinezë shprehja “konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta”. Kina po u drejtohet vendeve të tjera duke thënë se së bashku ndërtojmë rregullat e lojës, së bashku punojmë dhe po bashkë ndajmë frytet e bashkëpunimit.
Asnjë vend nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e shumta me të cilat përballet njerëzimi; asnjë vend nuk mund të përballojë që të rrijë në izolim. Por ndërkohë që në Kinë deklaratat janë drejt botës për respekt kulture, historie, rrethanash dhe çdo gjë tjetër, e njëjta gjë kërkohet nga pjesa tjetër e botës kundrejt Kinës, dhe etiketimi, kategorizimi dhe përshkrimi sipërfaqësor nuk kanë vend, sidomos kur shihet sistemi politik.
Si bashkëjetojnë vazhdimësia me ndryshimin në sistemin kinez? – Sistemi politik i Kinës, sidomos në Perëndim, shikohet si antitezë e aktualitetit dhe shpesh herë merret si pikë referimi për të justifikuar mungesën e dëshirës për bashkëpunim. Por në fakt, Socializmi me Karakteristika Kineze ka prodhur më shumë mirëqenie, më shumë efektivitet të qeverisjes, dhe në fund të fundit në Kinë e dinë shumë mirë se substanca është më e rëndësishme se forma.
Një vend me më shumë se 1.4 miliardë banorë nuk mund të qeveriset mirë pa institucionet e duhura, të shëndosha dhe të qëndrueshme. Institucionet politike si bartëse dhe zbatuese të vullnetit të popullit përfaqësojnë ambicien dhe realitetin e një kombi. Dhe qëllimi përfundimtar i një lidershipi të suksesshëm është të kombinojë në mënyrë harmonike aspiratat kombëtare, sociale dhe individuale.
Marrëdhënia midis shtetit dhe shoqërisë në Kinë është e ndryshme nga ajo në Perëndim. Në Kinë, shteti gëzon shumë legjitimitet, shumë autoritet dhe shumë miratim nga qytetarët, sepse mbart një kuptim të veçantë si përfaqësues, mishërues dhe mbrojtës i kombit.
Në këtë modernizim kinez, aspiratat e njerëzve kanalizohen përmes angazhimeve qeveritare për përparim. Është një linjë mendimi dhe veprimi në të cilën njerëzit kanë rëndësi dhe shqetësimi kryesor është se cila është ideja më e mirë e përparimit dhe si të arrihet ajo. Sistemi si i tillë është një plan i asaj që i përshtatet më mirë realitetit të një kombi dhe çfarë plotëson më mirë nevojat e qytetarëve, nëpërmjet përkushtimit për avancimin e drejtësisë sociale dhe mirëqenies së përgjithshme njerëzore.
Në Kinë qeveria përmbush pritshmëritë e njerëzve nëpërmjet një selektimi rigoroz të zyrtarëve, nëse do të shohim vetëm nivelin, sfondin dhe CV-në e njerëzve që qeverisin Kinën, atëherë do të kuptohet se kapaciteti i tyre përputhet me pritshmëritë dhe projeksionet e vendit. Pjesëmarrja e njerëzve dhe përmirësimi social dhe material kanë qenë përvoja të jashtëzakonshme që Kina i ka demonstruar botës. Numrat nuk gënjejnë kurrë, 800 milionë njerëz që nxirren nga varfëria brenda disa dekadave është një arritje e jashtëzakonshme me çdo kalibër matës dhe me çdo lupë të shihen.
Vendosja e qëllimeve afatgjata, objektivave afatmesme dhe afatshkurtra që monitorohen dhe modifikohen vazhdimisht, dhe vënia në praktikë e konceptit të hierarkisë, meritokracisë dhe vizionit të mirëstrukturuar – ky është plani i një historie suksesi. Përveç përshtatjes ndaj situatave në ndryshim, Kina ruan gjithashtu vazhdimësi në strategjitë e mëdha dhe aplikimin e socializmit me karakteristika kineze. PKK-ja ka udhëhequr transformimin e gjithanshëm të vendit për më shumë se shtatë dekada, duke lënë një gjurmë të thellë në modernitetin e Kinës dhe më gjerë.
Mrekullia ekonomike e Kinës nuk ndodhi rastësisht. Ajo u zhvillua drejtpërdrejt nga politikat e nisura, zbatuara dhe vëzhguara nga qeveria në nivel qendror, rajonal dhe lokal. Një nga mjetet më të fuqishme të politikës që Kina ka dhe do të vazhdojë të ketë, është përshtatja ndaj ndryshimeve dhe reformave.
Mënyra se si politikëbërja kineze është përballur me ndryshimet dhe transformimin duhet të analizohet në kontekstin e asaj se si Kina e sheh veten, jo se si e sheh bota Kinën.
T’ju japësh njerëzve mirëqënie do të thotë t’ju japësh atyre dinjitet, t’i japësh popullit dinjitet do të thotë ti japësh kombit lavdi, dhe kjo është për t’u admiruar.
© 2023 Argumentum