Intervistë me z.Daim Ilazi, diplomat dhe poet nga Maqedonia e Veriut, ekskluzivisht për Argumentum.al
Nga Marjana Doda
“Ne mund të konkurojmë me vlera kulturore, mund ta afirmojmë shtetin, popullin me artistë, me poetë, shkrimtarë, piktorë, film, balet…pra me kulturë për të cilën lami mund të konkurojmë në këto shtete Europiane sepse kemi artiste të shkëlqyer nga çdo fushë”, kështu shprehet Poeti dhe Diplomati Z. Daim Ilazi, në një intervistë ekskluzive për Argumentum.al
Ai eshte diplomat karriere për një kohë të gjatë 22 vjeçare, i dekoruar nga Qeveria e Francës me medaljen “Kalorësi i Palmës Akademike”. Anëtar i Bordit të Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, festivalit më të madh ndërkombëtar të poezisë në Maqedoninë Veriore. Botues i 6 librave me poezi dhe një libër publicistik në shqip, një liber me poezi në frëngjisht-shqip “Marrëzi ballkanike-Folie Balkanique” dhe një në maqedonisht ,, Bie shi në Tetovë- Vo Tetovo vrne dozhd”.
“Krejt mosmarrveshjet duhet të zgjidhen me biseda, me durim e takt, me fjalë të matura e të zgjedhura. Krejt këto gjëra kërkojnë të disponosh një art të komunikimit dhe negocimit..Pra, duhet të jeshë një artist i negocimit për arritjen e suksesit. Po ashtu edhe për të shkruar një poezi të bukur ose një librë me poezi ose roman, duhet të zgjedhësh temën e romanit ose tema të poezive… Poezia njësoj si bisedat diplomatike, bëhet ose shkruhet me fjalë të zgjedhura, me figura stilistike, metafora,me sens , takt e ritëm. Pra, diplomacia dhe poezia e përmbushin njëra- tjetrën. Kanë pika të përbashkëta. Të dyja janë art. Në diplomaci ka norma, metoda, fjalë të bukura, me sjellje korekte e të matur ta bësh edhe armikun të të dojë e të respektoje”, thotë diplomati dhe poeti Z.Ilazi
Në këtë horizont e kërkoj edhe fatin e kombit dhe tragjikën e tij si pasojë e paradokseve ballkanike. Poezia ime flet për Ballkanin ende të trazuar, ende si regjion pa pranverë, pasi ende zbulojmë varre masive nga kasaphana ballkanase. Mesazhi i poezisë sime është ta bëjë jetën e njeriut më të mire, më humane, më fisnike, më të denjë për njëri tjetrin, për ta shëruar ,,marrëzinë ballkanike,,të botës, përmbyll intervistën e tij Z.Ilazi
Intervista e plotë:
Argumentum.al:Z.Ilazi, Ju jeni diplomat, shkrimtar, poet i njohur në Maqedoninë e Veriut. A mund të tregoni diçka më shumë për veten tuaj në këtë prezantim të parë për lexuesit e Argumentum.al ?
– Z.Daim Iljazi: Jam lindur në vitin 1954 në fshatin Zhelinë-Tetovë, aty përfundova shkollën fillore, gjimnazin me sukses të shkëlqyer në Tetovë, Republika e Maqedonisë Veriore dhe u diplomova në Universitetin e Zagrebit, Kroaci – Arkeologji dhe gjuhë frenge në 1979.
Punova si profesor në shkollën e mesme bujqësore dhe medicinale në Tetovë për më shumë se dy dekada. Jam një diplomat i karrierës për një kohë të gjatë 22 vjeçare në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Punova si Konsull në Ambasadën tonë në Bernë-Zvicër (1995-990) dhe Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë Veriore në Paris (2002-2006), Ministër-Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë Veriore (2011-2013 ) në Bruksel dhe Ministër Këshilltar në Ambasadën e Maqedonisë Veriore në kryeqytetin turk Ankara. Kam punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në sektorë të ndryshëm. Jam dekoruar nga Qeveria e Francës me medaljen “Kalorësi i Palmës Akademike”. Isha anëtar i Bordit të Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, festivalit më të madh ndërkombëtar të poezisë në Maqedoninë Veriore.
Kam fituar çmimin për poezi Euro-Frankofone në Paris në 2006 dhe gjatë viteve 1991-94 isha president dhe themelues i Klubit Kulturor Francez në Tetovë. Kam marrë pjesë në shumë festivale poetike në vendin tonë dhe në shumë vende të Evropës. Jam nga themeluesit dhe nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve OENEUM në Tetovë. Kam botuar 6 libra me poezi dhe një libër publicistik në shqip, një liber poezi në frëngjisht-shqip “Marrëzi ballkanike-Folie Balkanique” dhe një në maqedonisht ,, Bie shi në Tetovë- Vo Tetovo vrne dozhd”. Së shpejti do të botoj librin ,,Nobelistët botërorë të letërsisë. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë, plus 3 nipa e tre mbesa (Altini, Eliza, Redoni, Erlisi, Eda dhe Ela e vogel) që ma kënaqin shpirtin e ma zgjasin jetën. Tani jam në pension dhe jetoj në Tetovë.
– Shikoj që ju i flisni për çështje të caktuara nëpërmjet poezisë. A është kjo një forme e re diplomatike për ti thënë gjërat ashtu siç janë por me notat e krijimtarisë? Çfarë e lidh shpirtin e nje poeti me artin e diplomacisë?
Arti i diplomacisë zakonisht nënkupton afirmimin e vendit tënd në atë shtet ku shërben si diplomat, thellimin e marrëdhënieve miqësore në mes dy shteteve respektive, zhvillimin e negociatave ndërmjet përfaqësuesve diplomatikë profesionist me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për situata të ndërlikuara dhe me synimin që situata të mos përshkallëzohet duke përmbushur interesat e të gjitha palëve. Pra me metoda diplomatike, ato rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare me ndërmjetësimin e diplomatëve profesionistë, për çështje që synojnë arritjen e paqes, bashkëpunimin më të mirë ekonomiko-kulturorë dhe tejkalimin e barrierave tregtare, si dhe parandalimin, tejkalimin e situatave të renduara dhe konflikteve
Krejt mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me biseda, me durim e takt, me fjalë të matura e të zgjedhura. Krejt këto gjëra kërkojnë të disponosh një art të komunikimit dhe negocimit..Pra, duhet të jeshë një artist i negocimit për arritjen e suksesit. Po ashtu edhe për të shkruar një poezi të bukur ose një libër me poezi ose roman, duhet të zgjedhësh temën e romanit ose tema të poezive. Poezia njësoj si bisedat diplomatike, bëhet ose shkruhet me fjalë të zgjedhura, me figura stilistike, metafora, me sens, takt e ritëm. Pra, diplomacia dhe poezia e përmbushin njëra- tjetrën. Kanë pika të përbashkëta. Të dyja janë art. Në diplomaci ka norma, metoda, fjalë të bukura, me sjellje korrekte e të matur ta bëjsh edhe armikun të të doje e të respektoje. Po ashtu edhe poeti kur shkruan poezi zgjedh fjalë të bukura, metafora, stil, takt, rimë, që lexuesi ta pëlqen, të bëhet i dashur për lexuesit, të zgjon ndërgjegjen, të lanson një mesazh e ta fisnikëron shpirtin e lexuesve. Kontesha e bukur Hanska e Polonisë ishte dashuruar deri në vesh në Balzakun pa e pa fare, vetëm duke i lexuar romanet e tij. E mandej bile edhe pas një korrepsondence prej më shume se 800 letrave dashurie e disa takimeve të mëshefta në Zvicër, ajo pasi i vdes burri vjen në Paris dhe martohet me Balzakun. Po për fat të keq, Balzaku vdes i ri në moshën 51 vjeçare. Ekziston edhe diplomacia kulturore që është një shtyllë e fuqishme për afirmimin e vlerave kulturore në shtetin ku vepron. Sepse vendi ynë, ose krejt shtete e Ballkanit nuk kanë se me çfarë gjëra të konkurojmë ose të afirmojnë në France, Gjermani, Amerikë, Suedi, Belgjikë,etj, as vetura nuk prodhojmë, as trena të shpejtë, as aeroplana, as anije, as tenka ,as helikoptera, as drona,…etj. Ne mund të konkurojmë me vlera kulturore, mund ta afirmojmë shtetin,popullin me artiste, me poetë, shkrimtarë, piktorë, film, balet…pra me kulturë për të cilën lami mund të konkurojmë në këto shtete ku veprojmë,sepse kemi artiste të shkëlqyer nga çdo fushë.
–Ballkani sërish ndodhet përballë rrezikut. Situata në Bosnjë-Hercegovinë është alarmuese. Duke e lidhur edhe me poezine tuaj “Marrëzi Ballkanike”, z.Iljazi, cila është marrezia nga e cila nuk po del dot Ballkani?
Shteti im Republika e Maqedonisë së Veriut është një shtet multinacional e multikonfesional, pra mozaik me kultura të ndyshme …Pra kjo larmi e komuniteteve e kulturave të ndryshme është interesante dhe duhet të ruhet e të ketë respekt e tolerancë reciproke. Ne jemi të interesuar që të fillojmë bisedimet e ti hapim kaptinat me Bashkimin evropjan si piksynim kryesor. Sepse jemi pjesë e Evropës. Por këto biseda u zgjatën shumë kohë dhe si duket edhe ne edhe Shqipëria që pret gjatë, e kemi humb durimin. Evropa duhet të tregohet zemërgjërë e të na i hap dyert e BE që edhe ne të mund të jetojmë si evropian, jo si ballkanas. Por edhe ne duhet ti përveshim duart, ti bëjmë detyrat e shtëpisë, ta ndalojmë korrupsionin. Se, nepotizmin, punësimet partiatke, hajdutët qoftë, deputet, qoftë ministër që ka keqpërdor pozitën shtetërore duhet futur në burg e konfiskuar pasurinë e paligjshme. Tolerancë zero per korrupsionin. Se Evropa na vëren, na përcjell, na shiqon me dylbi. I faleminderohemi NATO-s e Amerikës që na futën nën ombrellën e Natos, tani ndihemi me të sigurtë, investimet e huaja do të dyfishohen, sepse kanë siguri më të madhe. Duhet thelluar bashkëpunimin rajonal, thelluar besimin dhe miqësinë e respektin reciprok. Kaloi koha kur kasapi i Ballkanit Slobodan Milosheviq donte me fuqi, me pastrim etnik, me luftë të krijontë Serbine e madhe. Neve në Ballkan më shumë prodhojmë histori se sa mund ta konsumojmë. Ne patëm problem 30 vjeçar me Greqinë për shkak emrit, dhe ja që para një viti ky problem mori fund, e ndërruam emrin e shtetit tonë dhe falë këtij kompromisi ne u futëm në NATO. Greqia e hoqi veton. Tani kemi problem me Bullgarinë për BE, por besoj se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy shtete që edhe Bulgaria ta heq veton e të fillojmë bisedimet edhe ne edhe Shqipëria negociatat për Bashkimin Evropian. Për fat të keq, ende ka disa politikanë që merren më histori të vjetra, me elegji e balada, me përralla dimri. Le ta marrin shembull zonjen Merkel se si e udhëhoqi Gjermaninë 3 mandate, pa asnjë skandal, me modesti duke shku vet ne market e dyqane, duke jetuar në Berlin në një banesë tridhomëshe. Primitivizmin dhe megallomaninë ballkanike duhet lërë së kaluarës, dhe të ecim drejt BE me transparencë, respekt reciprok, me kulture, tolerance dhe përgjegjësi. Në Japoni, nëse treni vonohet dikund 5 minuta, Ministri i transportit jep dorëheqje.Te ne nuk ndodhin këto dorëheqje bile edhe në raste më të rënda.
-“Open Ballkan”, Bota serbe”, Treg i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, janë këto disa nisma për të cilat mbahen takime të ndryshme. Cilën prej këtyre nismave duhet të ndjekë sot Ballkani Perendimor?
Nuk ka asgjë të keqe të bashkëpunojmë të gjithë në Balkanin Perëndimor, por të jemi korrekt me gjithë shtete e Ballkanit Perëndimor. Ky është mendimi im personal…Duhet të ulen në tavolinen e bisedimeve 6 shtetet, pra edhe Bosnia e Herzegovina, edhe Kosova edhe Mali Zi. Ju e dini se ende plagët e luftës në Kosovë, në Bosnjë në Kroaci nuk janë tharë, ende kullojnë gjak. Ende zbulohen varre masive me civilë, burra, gra, fëmijë, që u vranë nga ushtria e policia serbe. Në Bosnjë ende ka shtërzime aborti, shikime të marrëzishme hasmërie, ende pamjet të Gernikës na paraqiten para syve,, ende dëgjohen klithma e vajtime në Prekaz ,Reçak, Srebrenicë, Vukovar etj. Pra jemi për bashkëpunim, për Open Balkan, por pa nënçmim, me njohje e respekt reciprok. Nuk duhet anashkaluar asnjë nga 6 shtetet e Ballkanit perëndimor. Pra,Serbia duhet ta kupton një realitet qe e ka kuptuar tërë bota se Kosova është shtet i pamvarur, me kufijt, Parlamentin e Qeverine e vet, është një nga 6 shtetet e Ballkanit perëndimor. Shihni, Ballkani çdo herë ka qenë bure barruti, ka qene si zorrë qorre e Evropës. Sa më shpejt te integrohemi në BE aq më mirë do të jetë për ne e për Evropën, sepse regjioni do stabilizohet një herë e përgjithmonë, do hapen kufijt, njerëzit do qarkullojnë llirshëm, do njihen më mirë me njëri-tjetrin, do të ketë investime të huaja, do shrytëzohen fondet evropiane, do ketë progress ekonomik, etj.
– Për të vijuar konkretisht me situatën politike në Maqedoninë e Veriut. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve lokale kanë tronditur vetë qeverinë qendrore. Zoran Zaev dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe lider i LSDM-së , duke rrezikuar dhe një krizë politike në vend. Mendoni se kjo lëvizje e Zaev po e largon RMV-në nga integrimi Europian?
Po , për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kryetari i Partisë Social Demokrate Zoran Zaev dha dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të partisë por edhe të Qeverisë. Ky ishte një akt sublim dhe sens i përgjegjësisë për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale të ne që u mbajtën në tetor 2021. Por tani presim të formohet Qeveria e re, me kryeministër të ri nga socialdemokratët, zotëri Dimitar Kovacevski, me disa rokada në resoret ministrore. Por me rëndësi ësht se ne jemi mjaft të përkushtuar drejt integrimeve euro- atlantike dhe tjetër alternative nuk kemi. Ne jemi edhe për bashkpunim më të thellë rajonal, por prioritet e kemi BE.
-Çfarë reflekton poezia juaj dhe mesazhi juaj për për shqiptarët ketej dhe andej kufirit?
Poezia ime është pasionante, e paqetë, me një vrojtim shqetësues apo soditje të thellë ku pasqyroj imazhet karakteristike të jetës në metropole të ndryshme të botës, duke i krahasuar me imazhet a valvitura dhe botëkuptimet tona, pra poezi me imazhe ballkanike e europiane. Në këtë horizont e kërkoj edhe fatin e kombit dhe tregjikën e tij si pasojë e paradokseve ballkanike. Poezia ime flet për Ballkanin ende të trazuar, ende si regjion pa pranverë, ende zbulojmë varre masive nga kasaphana ballkanase. Shkruaj për edhe për tema universale, për të ligat që e ngulfatin botën dhe jetën tonë, përpërplasjet e traumat, ankthet ekzistenciale të kohës tonë në kohë të globalizmit, kur,,kosmosi duket epruvetë boshe,, dhe thuren epitafe çmendurie.
Mesazhi i poezisë sime është ta bëjë jetën e njeriut më të mirë, më humane, më fisnike, më të denjë për njëri tjetrin, për ta shëruar ,,marrëzinë ballkanike,,të botës. Kurse mesazhi im për ne që më pyete, e dijmë fort mirë çfarë ka thënë intelektuali shumë i lartë Faik Bey Konica para një shekulli për ne. Nuk dua ta përsëris, se 100 vjet e përsërisim.
Në fund Urime Viti iri 2022 të gjithëve, Zoti të na jep shëndet,suksese e lumturi.
© Argumentum