E ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë Leyla Moses Ones ka kërkuar fuqizim të grave dhe rolit të tyre për çështjet e sigurisë. Në aktivitetin e Institutit për gratë në Politikën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare, diplomatja amerikane tha se gratë në mbarë botën kanë një rol thelbësor për të luajtur në ofrimin e sigurisë, proceseve të paqes, luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e zgjidhjen e konflikteve.
“Ky institut është shembulli i përsosur pikërisht i asaj që pjesëmarrësit në programet tona bëjnë. Gratë në mbarë botën kanë një rol thelbësor për të luajtur në ofrimin e sigurisë, proceseve të paqes, luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e zgjidhjen e konflikteve. Në fillim të qershorit, Shtetet e Bashkuara botuan Strategjinë e SHBA-ve për Gratë, Paqen dhe Sigurinë-një kornizë e gjerë mbarë qeveritare që artikulon angazhimin tonë për të mbështetur pjesëmarrjen domethënëse të grave në përpjekjet për sigurinë. Kjo strategji u mandatua nga Akti Dypartiak i vitit 2017 për gratë, paqen dhe sigurinë, të cilin Kongresi ynë e miratoi për të rritur rolet e grave në të gjithë botën në operacionet e paqes dhe sistemet politike, qytetare, ekonomike dhe të sigurisë. Ashtu siç po bën sot Instituti për Gratë në Politikën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare, duke filluar një diskutim që do të çojë në veprim, në Shtetet e Bashkuara, organizatat e shoqërisë civile do të lanë një rol jetësor për të ndihmuar Departamentet e Shtetit të Mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare si edhe USAID-in për hartimin e planeve të zbatimit të strategjisë”, tha Moses Ones.
Sipas saj, gratë sjellin aftësitë tona më të mira në sektorin e sigurisë-aftësinë për të vlerësuar me ndershmëri atë që ne e quajmë “e vërteta në terren”- ose realitetit; aftësia për të dëgjuar muzikën e konsensusit pavarësisht zhurmës, një vizion afatgjatë të stabilitetit dhe aftësitë negociuese që merr parasysh këndvështrime kyçe të sigurisë që ndikojnë në familjet tona, të tilla si: shkaqet rrënjësore, shëndetësi, arsimi, varfëria, kultura e dhunës dhe intoleranca fetare.
“SHBA-të i kuptojnë shumë mirë sfidat strategjike me të cilat përballen gratë globalisht dhe pengesat për përfaqësim në udhëheqjen politike, dhunën e përhapur kundër grave dhe vajzave, pabarazinë e vazhdueshme. Por, këto çështje mund dhe do të tejkalohen me angazhimin tonë të përbashkët. Jemi entuziastë që jemi bashkuar me partnerë si ju, për të shqyrtuar potencialin e plotë të grave në siguri; për të ngritur tematikën e grave, paqes dhe të sigurisë si përparësi”, theksoi diplomatja e SHBA.
Ajo deklaroi se zëri i grave duhet të përfshihet dhe perspektiva e tyre duhet të merret në konsideratë.
“Fuqizimi i grave duhet të jetë i plotë dhe i barabartë në çdo hap. Ne jemi 50% e njerëzimit që duhet të sillet në vendimmarrjen e së tashmes, si dhe politikat që i japin formë së ardhmes.
Gjatë ditëve në vijim, ju nxis të dëgjoni, të bëni pyetje dhe të debatoni mbi idetë ndërsa angazhoheni me gamën e temave thelbësore që lidhen me sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju jeni udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që ta përgatisni veten për këtë rol të rëndësishëm. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju teksa punojmë për të rritur rolin e grave në kapërcimin e kërcënimeve të jashtme dhe të brendshëm të sigurisë dhe për të përkrahur paqe dhe begati më të madhe”, tha Leyla Moses Ones.