Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë fjalës së mbajtur në Akademinë e Shkencave për ceremoninë e diplomimit të 246 punonjësve të rinj të Policisë së Shtetit i ka sugjeruar atyre që të mos joshen nga korrupsioni dhe krimi pasi jo vetëm do përballen me forcën e ligjit por edhe do zhvishen nga dinjiteti.
“Sot ju nisni një rrugëtim të gjatë të vështirë, por aq të bukur dhe fisnik. Karriera në Policinë e Shtetit fillon këtu dhe për pjesën më të madhe tuajën do përfundojë në moshën kur do dilni në pension. Do jeni njerëzit që do keni përballjen e parë me krimin dhe në kushtet kur krimi sa vjen dhe sofistikohet me figura të reja veprash penale, gjë që padiskutim e vështirëson punën tuaj.
Dua t’iu jap disa porosi, këshilla jo vetëm si Ministër. E para mos u joshni nga korrupsioni dhe nga krimi.; Jo vetëm që do përballeni me forcën e ligjit, por si korrupsioni dhe rimi do ju zhveshin nga dinjiteti. E dyta, mos u thyeni nga krimi. Jini të guximshëm jo vetë, nga krimi por dhe nga politika që për fat të keq, ende vazhdon atë rrugën e përbaltjes që e ka ringjallur dhe po e ringjallin fantazmat e politikës së vjetër”, tha Çuçi.
Ministri theksoi më tej se policia vijon të jetë një nga institucionet me besimin më të lartë në komunitet pavarësisht të gjitha tentativave për përbaltjen e saj. Çuçi ka bërë me dije më tej se në buxhetin e 2023 pagat për trupën policore do të rriten me 15%.
“Kemi operacione të përbashkëta policore me agjencitë ligjzbatuese evropiane. Janë 17 të tilla që janë në proces sot që flasim. Lajmi mirë erdhi me buxhetin e ri për vitin 2023. Në tërësinë e tij në gjithë buxhetin e policisë së shtetit kemi rritur 16 % buxhetin krahasuar me një vit më parë. Dhe për 75% të trupës policore ne kemi filluar që prej tetorit rritje page prej 15%. Me buxhetin 2022 trajtuam ata punonjës policie që banonin jashtë qendrës së punës duke rritur pagat dhe shpërblimet deri në 50%, këtë vit po rrisim për pjesën më të madhe të trupës policore 15 % pagat. Këtë vit investimet në policinë e shtetit do jenë 56% më shumë se viti 2022”, tha Ministri.