Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot se Evropa do të jetë më e plotë vetëm me integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të Ditës së Evropës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi sot panelin “Evropa në shtëpi”, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit të delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, kryenegociatores Majlinda Dhuka etj.
Në fjalën e tij, ministri Hasani u shpreh se “përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, ekziston një interes i përbashkët”, ndërsa theksoi se “lufta në Ukrainë është një tjetër makth apokaliptik që i kanoset Evropës”.
“Agresioni putinian synon të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës. Armiku i tij nuk është vetëm një vend, por një sistem që mishërohet sot nga BE. Ky konflikt mes demokracisë dhe diktaturës, përforcon besimin tonë në BE”, u shpreh Hasani.
Sipas tij, mbetet thelbësor përshpejtimi i procesit të integrimit, pasi vetëm kështu Evropa do të jetë më e plotë dhe më e sigurt.
“Slogani ‘E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’, sot është teza parësore e politikës tonë të jashtme. Integrimi evropian mbetet detyrim i madh moral i yni ndaj brezave të rinj”, shtoi ai.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare të BE-së, Hasani theksoi se “është e rëndësishme që përshpejtimi i procesit të mbetet në fokus të axhendës”.