Asnjëherë më parë gjuha shqipe nuk ka qenë kaq e rrezikuar nga shkurtesat, teknologjia, pushtuesit tanimë imagjinarë që vijnë nga globalizmi.
Të gjitha e bëjnë të vështirë ta mbash të pastër gjuhën shqipe, e atdhetarët, apo studiuesit, duket se sot nuk dëgjohen shumë. Gjuha e mesazheve, e rrjeteve sociale por edhe imazheve që po zëvendësojnë shprehinë përmes një togfjalëshi të plotë e të shkruar mirë.
“Çdo gjuhë ka në përbërjen e saj pasthirrma që kuptohen e kuptohen prej të gjithëve, por në komente vihet re që kopjohen edhe këto pasthirrma”, tha Anila Çepani, pedagoge në Universitetit e Tiranës.
Por, ky ishte vetëm një nga shqetësimet që beri bashkë sot Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit. “Kombi dhe identiteti është i lidhur thellësisht me gjuhën, kështu që çdo nismë që kërkon të përsosë këtë lloj komunikimi, apo këtë lloj raporti, mendoj që është e nevojshme”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. “Aq më tepër për gjuhën shqipe që pothuajse për 30 vite, studimet mbi të kanë qenë episodike, kështu që është shumë e nevojshme të kemi studime tepër serioze të cilat do të sjellin shqipen në gjithë përmasën e saj të jashtëzakonshme”.
Shqipja përballë presioneve të kohës, nuk është e vetme në këtë betejë, pasi ky është një fenomen me të cilën po përballen shumë gjuhë, e ato të popujve më të vegjël janë të parat që nuk do të mbijetojnë.