Data 17 shkurt është një datë shumë e rendësishme për gjithë shqiptarët këtej dhe matanë Drinit. Sot bëhen 14 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.
Liderit politik të Shqipërisë, presidenti Ilir Meta, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, dhe Kryetari i Partise Demokratike z. Basha kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Presidenti Meta në urimin e tij të publikuar në rrjetet sociale shkruan “Gëzuar Kosovë e dashur”. “Mirënjohje përjetë heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, ka shkruar më tej Meta.
Po ashtu Presidenti Meta ka derguar mesazh zurimi homologes se Tij Presidentes Osmani.
Kremtimi i 14-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më jep kënaqësinë shumë të veçantë që t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të përzemërta e vëllazërore.
Ju uroj Juve personalisht, autoriteteve shtetërore si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Mirënjohje të gjithë vizionarëve dhe heronjve që luftuan, sakrifikuan dhe punuan për Kosovën e pavarur!
Jam i lumtur të konstatoj se Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, sikundër jam i sigurtë se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje, më shumë unitet dhe më shumë devotshmëri për të vijuar në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore, për një Kosovë më të begatë dhe europiane.
Arritjet e shtetit të Kosovës në drejtim të demokracisë, zgjedhjeve të lira, funksionimit të institucioneve të pavarura dhe mirëqeverisjes, janë mbresëlënëse dhe një shembull pozitiv për tu ndjekur.
Vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe evropiane, na angazhojnë të punojmë më shumë në të gjitha rrafshet, shkruan Meta në letren e tij.
Nderkohe po sot ka pritur edhe Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri z. Skënder Durmishi.
I lumtur të prisja sot në një takim vëllazëror Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z.Skënder Durmishi dhe t’i uroja ditëlindjen e 14 të shtetit të pavarur të Kosovës, në praninë e Kryetrimit të mbarë kombit shqiptar, Isa Boletini, shkruan meta.
Edhe kryeministri Rama ka publikuar një mesazh urimi në rrjetet sociale, duke shkruar “Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës”.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzimi i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri e sovranitet. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj e strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, thuhet në mesazhin e Nikollës, publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Më tej Nikolla thekson se Shqipëria ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në mbështetje të Republikës së Kosovës sipas saj “për përballimin e sfidave të saj, përshpejtimin e zhvillimit, rritjen e mirëqenies, avancimin drejt integrimin euroatlantik dhe rritjen e njohjeve ndërkombëtare.”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar Pavarësinë e Kosovës, nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook,
Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Gëzuar këtë ditë fatlume shqiptarëve kudo në botë.
Në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë.
Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik, i cili punon me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për integrimin euroatlantik.
Edhe në këto kohë sfiduese, jam krenar për arritjet e deritanishme dhe shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës, me të cilën do të ecim vllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian.
Gëzuar Kosovë e dashur!