Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, liderët e politikës shqiptare kanë uruar njëzeri duke cituar mesazhe nga Nënë Tereza!
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
“Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve”, u shpreh Begaj.
“Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin”, theksoi Begaj.
Kryeministri Edi Rama
Rama u shpreh se Nënë Tereza është gruaja e paqes në botë.
Rama ndau edhe shprehjen e Nënë Terezës, “Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali
“Shenjtja jonë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Spiropali ndau edhe një mesazh të Nënë Terezës, “Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e besimit”.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani përmes një postimi në X, dha një mesazh në 8 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Hasani shprehet se ajo i dha botës një trashëgimi të pavdekshme të dashurisë, duke frymëzuar miliona njerëz anembanë globit.
‘Sot kujtojmë 8 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, shenjtores që i dha botës një trashëgimi të pavdekshme të dashurisë, dhembshurisë dhe shërbimit ndaj më të dobëtëve, duke frymëzuar miliona njerëz anembanë globit.’
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
“Shën Nënë Tereza, krenaria jonë kombëtare dhe simboli i jashtëzakonshëm i nënës shqiptare, është frymëzim që duhet të na nxisë çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, u shpreh Meta.
“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është jo vetëm dite feste për shqiptarët por edhe reflektimi për rëndësinë e jetësimit të veprës së Saj duke ndjekur shembullin e dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit, të shërbimit me përulësi dhe përkushtim ndaj kujtdo që ka më shumë nevojë”, theksoi Meta.
Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup, në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.
Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.
Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 Shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
/Argumentum.al