Dita e Verës është një festë pagane me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë pikërisht në 14 mars.
Ballokumja është gatimi tradicional që e karakterizon këtë festë. Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores” një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet në qytetin e Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).
Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit, veçanërisht në Tiranë.
Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.
Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët, zakonisht, e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë, elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.
Ballokumet
Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit “alla-elbasançe” të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7-8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi… Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Unë kam vrojtuar, madje prej shumë vitesh, përgatitjen e ballokumeve të Elbasanit. Dhe mund të pohoj me bindje se edhe sikur gjithçka materiale të jetë njësoj (duke përfshirë edhe profesionalizmin e atij që i përgatit), përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë. Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një “element” plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Sado vështirë që është.
Pse kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani
Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.
Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë)shqiptare?
Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarëshqiptare, mbasi është më tradicionale se të kremtet fetare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar.
Dita e Verës sipas Kristo Frashërit
Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas kalendarit Julian. Siç dihet, në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë. Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë.
Faik Konica: Ç’është Dita e Verës?
Botuar më 1911
Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.
Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.