Intensive mund të thuhet se ka qenë dita e sotme e delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë, ndërsa ai ka zhvilluar një sërë takimesh me krerët e politikës shqiptare.
I pari, ka qenë ai me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas këtij takimi ai u shpreh se u shpjegoi eurodeputetëve gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
“Shqetësimi i ndërkombëtarëve është stabiliteti, por Rama në emër të stabilitetit shkatërroi drejtësinë. Ai ka qasje anti-europiane dhe anti-NATO. Miqtë tanë që duan të mirën e Shqipërisë hap pas hapi do ta kuptojnë se fillimisht është demokracia dhe më pas stabiliteti, gjë që Edi Rama e ka shkatërruar”, tha ai. Sipas Bashës, “Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë dhe mund të zgjidhet vetëm me një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira”.
Kurse kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi dje pas takimit me eurodeputetët se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas dhe se rruga që po ndjek është e ajo e duhura.
“Opozita nuk do të ketë asnjë hap pas. Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra. Protesta e 16 shkurtit, protesta e 21 shkurtit dhe protesta e djeshme tregoi edhe njëherë se opozita është në rrugën e duhur. Gjëra të bukura do të vijnë për shqiptarët”, tha ajo.
Nga ana tjetër, eurodeputetët kanë takuar edhe kryeministrin Edi Rama, si edhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ndërsa pritet që ditën e enjte, ata të dalin me një deklaratë zyrtare në lidhje me situatën politike në vendin tonë.