Flamuri kombëtar i Shqipërisë është ulur sot në gjysmështizë për viktimat e tërmetit tragjik në Turqi dhe Siri, jo vetëm në të gjitha institucionet shtetërore, por edhe në ambasadat shqiptare në vende të ndryshme të botës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje nga flamujt në gjysmështizë në ambasadat shqiptare në kryeqytetet e shumë prej vendeve të botës.
Flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, si dhe në ambasadat shqiptare në Stamboll-Turqi, Bruksel-Belgjikë, Prishtinë-Kosovë, Shkup-Maqedoni e Veriut, Athinë-Greqi, Romë-Itali, Milano-Itali, Beograd-Serbi, Budapest-Hungari, Tel-Aviv-Izrael, Moskë-Rusi, Vjenë-Austri, Mynih-Gjermani, Abu-Dabi-Emiratet e Bashkuara, Qyteti i Kuvajtit-Kuvajt, Kajro-Egjipt, etj.
Dita e sotme u shpall ditë zie kombëtare nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti me Turqinë, e cila iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Mbi 37 mijë viktima janë konfirmuar deri më tani në Turqi dhe Siri. Çdo orë që kalon rrit numrin e jetëve të humbura si dhe ul mundësitë për gjetjen e të mbijetuarve.