Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka zhvilluar seancën dëgjimore për drejtuesen e komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Procesi i vettingut për Prelën është kryer nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.
Prela ka zgjedhur të jetë vetë e pranishme në seancë, pa avokat. Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari, tha se bazuar në raportin e ILDKPKI-së, Donika Prela nuk ka deklaruar huamarrjen në shumën 1 milionë lekë.
Vlera e blerjes së një toke arë nga Prela është e dyshimtë pasi zona është në zhvillim.
Sipas KPK-së, të ardhurat e Prelës janë nga paga si prokurore dhe paga e bashkëshortit si inxhinier.
“Nga të ardhurat e bashkëshortit kanë rezultuar disa problematika për vitet 2003-2005. Për një pjesë të pagës së bashkëshortit nuk janë paguar kontributet shoqërore dhe taksat. Prela ka deklaruar se bashkëshorti i ka huajtur shtetasit R.N shumen 25 mije euro ne dy keste. Shuma eshte marre tek kusheriri i tij. Bashkeshorti ka ndjekur kthimin e borxhit dhe interesat” tha relatorja.
Dosja e Prelës ka sjellë reagimin e ashpër të përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs, i cili duket se e ka rrëzuar Donika Prelën.
Gjatë fjalës së tij, Jacobs ka shprehur rezerva të mëdha për kryeprokuroren e Krimeve të Rënda.
Jacobs është shprehur: Jam i sigurt që ju keni provuar që të pini ilaçe në mëngjes dhe ato ilcace të lënë një shije të keqe dhe s’mund ta pish mire kafen.
Dhe pas drekës shija përmirësohet. Kam lexuar dosjen tuaj dhe akoma nuk kemi arritur në kohën e drekës për të shmangur dyshimet për të larguar shijen e keqe në gojën time. Pse bashkëshorti juaj e ka marrë rrogën në të holla edhe pse ai ka pasur llogari bankare? Kjo mund të duket pyetje pa vend, por ju e dini në diskutimet tona dhe se nuk janë paguar taksat me koincidence ose jo?
Më ndihmo të kuptoj se kjo nuk është rastësi pse bashkëshorti juaj është gënjyer nga kompania e ndërtimit. Ato e kanë ndërtuar në këtë mënyrë për të shmangur pagesën e taksave. Pyetja është bashkëshorti juaj është viktimë apo bashkëpunëtor në këtë skemë?
Ti duhet të shplash shijen e keqe që ka ngelur në gojë, çfarë e mbështet këtë shije të keqe është fakti se pavarësisht se bashkëshorti juaj është gënjyer, është i dyshimtë fakti që ju keni akoma kontakt me ish-punëdhënësin.
Bashkëshorti juaj është në gjykatë me kompaninë por mesa di unë ai ka kërkuar edhe ndërmjetësim.
Çështja e dytë është mundësia financiare e kushëririt të bashkëshortit tuaj. Kur lexova përgjigjen tuaj dje në mbrëmje në një moment të caktuar ju thoni që nga viti 1996 ka fituar 10 milionë lekë.
Ju lutem më ndihmoni të justifikoj shumën 10 milion lekë për 10 vite.
Hetimi është kryer edhe për një apartament banimi me sipërfaqe 96 metra katrorë në emër të bashkëshortit, i cili është blerë për 32 mijë e 100 euro. Çmimi i apartamentit, rezulton më i ulët nga ai i tregut. Lidhur me vlerën e blerjes, u kryen disa hetime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si dhe u pyet shoqëria ndërtuese.
Kjo shoqëri ktheu përgjigje, duke thënë se zoti Vangjel Prela ka qenë i punësuar aty dhe për këtë është dhënë me këtë çmim. Sipas shoqërisë, këtë praktikë e ka bërë edhe me punonjës të tjerë.
Kush është Donika Prela dhe skeda e pasurisë
Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.
Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Donika Prela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Donika Prela nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003; kohë që përkon me deklarimin e saj të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.
Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 11.1 milionë lekëve.