Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë thënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse. Njëjtë kanë vepruar edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Goran Rakiç kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.
Kujtojme se në orët e para të ditës së shtunë, Lista Serbe mbajti një mbledhje ku u diskutua aktualiteti në veri. Pas kësaj, konfirmuan se po largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës. Një veprim i tillë shkaktoi shumë reagime, si tek akterët politikë në vend, ashtu edhe te ata ndërkombëtarë. Kryeministri Kurti pas këtij vendimi, u kërkoi serbëve që mos t’i braktisin institucionet e vendit, ndërkaq presidentja Vjosa Osmani deklaroi se një veprim i tillë, është kundër demokracisë e sundimit të ligjit. Opozita ndërkaq, i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të reflektojë pas këtyre zhvillimeve.
Si reaguan ndërkombëtarët?
Një prej reagimeve më të ashpra në lidhje me këtë situatë, e bëri shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borell, i cili tha se këto zhvillime mund të vendosin në rrezik vite punë në kuadër të dialogut. Borell mes tjerash, deklaroi se tërheqja nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe përshkallëzon më shumë tensionet.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Ndërkohë, kryediplomati ripërsëriti kërkesën për zgjatjen e menjëhershme të vendimit për targat, e po ashtu, ka kërkuar edhe që të nisin hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke përmendur ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.
Në lidhje me këto zhvillime, reagoi edhe zëvendëssekretari gjeneral i NATO-s, Mircea Geoana, i cili konfirmoi se KFOR-i po qëndron në gjendje gatishmërie në rast të tensionimit të situatës.
“Bisedova me Përfaqësuesin Special, Mirsolav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina duhet të përmbahen dhe të parandalojnë eskalimin. NATO- KFOR qëndron vigjilent dhe është gati të ndërhyjë nëse rrezikohet situata”, ka thënë ai.
Emisari për dialogun, Miroslav Lajçak e shpërndau këtë postim të zëvendëssekretarit Geoana duke u shprehur mirënjohës, por megjithatë, nuk dha ndonjë deklaratë konkrete për zhvillimet.
“Pajtohem plotësisht me Mircea Geoana. Mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes NATO-s dhe BE-së, edhe me lidershipin e nivelit të lartë, edhe me KFOR-in në terren”, ka thënë ai.
Italia ishte e para reagoi nga parnerët ndërkombëtarë, në lidhje me tensionimin e situatës në veri të vendit, ku u shpreh e brengosur për këto zhvillime.
“Jemi të brengosur për tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës. U kam kërkuar ambasadorëve tonë në Beograd dhe Prishtinë që të bëjnë thirrje për moderim të situatës dhe për dialog deri sa të ketë një kompromis të duhur. Italia është e angazhduar për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar zëvendëskryeministri italian.
Ndërkaq deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka pasur reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çka ndodhi dje në veri?
Pas takimit të së shtunës, Lista Serbe vendosi që të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”– theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij./Nacionale