Kanë kaluar 20 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhe ka 11 vite që Kosova është me kufijë të definuar që njihen ndërkombëtarisht. Por, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duket se kanë marrë drejtim tjetër.
Të dy presidentët Thaçi e Vuçiç tani po bisedojnë për mundësinë e një shkëmbimi territorial. E ky devijim në dialog, sipas Doris Pack, politikanes së njohur gjermane, që e njeh mirë rajonin, do të sjellë gjakderdhje, duke kthyer dy vendet 20 vite mbrapa. Pack ka folur për Gazetën Express.
“Ata që e mohojnë ndikimin e ndryshimit të kufijve në Ballkan, janë rrezikshmërisht naiv. Nëse fillojmë të dizajnojmë shtete sipas përkatësisë etnike, do të na kthejë në kohët e përgjakshme të shekullit të kaluar” tha Doris Pack.
Doris Pack ka qenë deputete në Bundestagun gjerman dhe deputete në Parlamentin Evropian.
Pack tha se krijimi i shteteve etnikisht të pastra nuk do e zgjidhte problemin mes Kosovës dhe Serbisë, e mbi të gjitha as qytetarët e Kosovës, nuk janë të interesuar për këtë zgjidhje, e aq më pak serbët të cilët jetojnë në jug të lumit Ibër.
Madje Pack, thekson se një korrigjim i kufijve do ta çonte rajonin drejt ideve për krijimin e Shqipërisë së Madhe e Serbisë së Madhe.