Kryeministri Edi Rama, bëri me dije sot se kanë hartuar një draft për Asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës.
‘Pozicioni i të qenurit kryeministër i Shqipërisë janë palë. Drafti është neutral në këtë pikë. Nuk është bërë as për njërin as për tjetrin, por për Kosovën në radhë të parë. Unë nuk marr vota në Kosovë. Nuk kam asnjë interes në Kosovë as në aspektin profesional dhe as politik ngushtësisht. Si kryeministër i Shqipërisë që sheh sesi një pjesë e kombit tim po hyn në një kurs përplasjesh me ata që lartësuan kombin tim dhe që hodhën bomba ndaj kombit, e ndjej për detyrë.’- tha Rama.
Ky draft ka sjellë dhe reagimet e para këtej dhe matanë kufirit, ku e quajnë të panevojshem ndërhyrjen e z.Rama për këtë draft, duke qene se asociacioni nuk është në favor të Kosovës por të Vuçiç.
Albin Kurti deklaroi gjatë seancës në kuvendin e Kosovës këtë të enjte, se për çështjen e asociacionit nuk mund të pranohen tekste alternative nëse palët nuk dakordësohen parimisht
“Unë kam prezantuar me 2 maj draft – vizionin. Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që unë i kam thënë në Ohër, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”- tha ai.
Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë draft, si një ndërhyrje flagrante në punët e Kosovës.
Ndërsa Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se drafti i propozuar nga Rama është hap i duhur dhe i drejtë dhe se Kosova duhet ta mbështese atë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se për Serbinë kërkesa për një Asociacion të komunave me shumicë serbe nuk është për qëllimin e integrimit të serbëve lokalë në Kosovë. Por, Bislimi thotë se synimi është të vendoset një “Kalë i Trojës” në Kosovë, e për këtë tregon edhe një ‘non-paper’ që së fundi është draftuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë.
Argumentum.al sjell disa nga këto reagime për draftin e propozuar nga Kryeministri i Shqipërisë;
Edhe pse nuk iu referua konkretisht propozimit të kryeministrit Rama, Albin Kurti deklaroi gjatë seancës në kuvendin e Kosovës këtë të enjte, se për çështjen e asociacionit nuk mund të pranohen tekste alternative nëse palët nuk dakordësohen parimisht. Ai tha se draft-vizionin e tij për këtë çështje e ka prezantuar tashmë para ndërkombëtarëve më 2 maj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se vizionin e tij për draft statutin e Asociacionit mund ta thelloj kur të ketë pajtueshmëri në parim më shtyllat që ai ka prezantuar.
Ai deklaroi se nuk mund të shkruajë tekste alternative pa u pajtuar njëherë në parim.
“Unë kam prezantuar me 2 maj draft – vizionin. Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që unë i kam thënë në Ohër, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”- tha ai.
Gjatë seancës së mbajtur në Kuvendin shtoi se draft vizionin e propozuar nga ai në takimin e 2 majit u refuzua nga Brukseli.
“Rrjedhimisht unë kam propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër dhe më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur”- deklaroi kryeministri.
Sipas tij, tash e tutje mund të diskutohet në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit të tij të prezantuar në Bruksel, i cili siç tha ai “prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberal”.
Berisha: Ndërhyrje flagrante në Kosovë
Kryetari i grupit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha e ka cilësuar si një ndërhyrje flagrante në punët e Kosovës, draft marrëveshjen e publikuar nga Kryeministri Rama, që synon zgjidhjen e mos dakordësive mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sot, Edi Rama me detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.Natyrisht vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë”, u shpreh Berisha gjatë një prononcimi për medie jashtë Kuvendit.
“Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin, përbën një akt kur Edi Rrama përpiqet të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin e ka vendin në burg në çdo drejtësi të botës. Përpiqet të sfumojë problemet e tmerrshme që ka krijuar me zgjedhjet në vendin e vet”, tha Berisha.
Ai i bëri dhe një apel autoriteteve në Kosovë që “të ndjekin procesin e shtensionimit të situatës në veri të Kosovës duke proceduar në bashkëpunim me KFOR, BE-në dhe SHBA, duke zbatuar atë skedulë për të cilën insiston komuniteti ndërkombëtar”.
“Në rast se zgjedhjet u bënë dhe ato prodhuan një produkt të votuar nga vetëm 3, 4 apo 5 përqind të etnisë joserbe, vetëkuptohet se ky nuk mund të pranohet si një produkt i suksesshëm. Ky është një dështim. Pas kësaj, në mënyrë ligjore përcaktohen hapat që ndërmerren për të pasur rezultatin e suksesshëm”, vijoi Berisha.
“Këto hapa gjykoj se janë përcaktuar drejt edhe nga autoritetet e Kosovës, edhe nga autoritetet ndërkombëtare, që kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve në një afat kohor sa më shpejt të mundshëm në mënyrë që të zgjidhen kryetarët që duan. Mendoj se ky është një hap demokratik, një masë demokratike, një përgjigje demokratike që i jepet çështjes.
Prandaj në këtë kontekst mendoj se qeveria e Kosovës e ka një detyrim që të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar”, shtoi Berisha.
I pyetur nga gazetarët për asocacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Berisha u përgjigj se i mbështet ato.
“Përsa i përket Asociacionit, e kam mbështetur dhe do e mbështes si një derivat themelor i lirisë. Por theksoj se Asociacioni nuk mund të jetë kurrë jashtë prerogativave kushtetuese të Republikës së Kosovës. Çdo Asociacion që del jashtë kësaj kornize, është një rrezik i vërtetë madhor jo vetëm për Kosovën, por për paqen e stabilitetin në gadishullin e Ballkanit, një faktor jashtëzakonisht i rrezikshëm i serbomadhnisë apo i shtrirjes së shtetit serb”, përfundoi Berisha.
Enver Hoxhaj: Drafti i propozuar nga Rama hap i duhur dhe i drejtë, Kosova ta mbështese
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi sot se draft-asociacioni i kryeministrit Edi Rama duhet ta ketë mbështetjen në Kosovë.
“Unë e përshëndes dhe e çmoj shumë kontributin e kryeministrit Rama dhe Shqipëria ka pasur rol në të kaluarën dhe duhet të ketë edhe sot, në tejkalimin e situatës në veri të vendit. Asociacioni nuk është një shpikje e kryeministrit Rama, është një obligim nga vitit 2013, për te cilën unë kam qenë edhe në atë kohë që të zbatohet, që të krijohet. Nëse do të krijohej në 2013, në vitin 2023 nuk do të kishim këto probleme që i kemi sot. Zotëri Kurti e ka pranuar asociacionin me pikën e shtatë, me një paketim të ri ‘vetëmenaxhim’. Iniciativa e kryeministrit Rama duhet të ketë mbështetjen në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ai theksoi po ashtu se drafti i propozuar nga Rama është hap i duhur dhe i drejtë.
“Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodhë në veri të vendit. Sepse në fund të ditës jemi dy vende shqiptare në Ballkan dhe vëllezërit tanë në Maqedoni, banojnë në një hapësirë e cila nuk është larg hapësirës qe banon Kosova politikisht. Është mirë që të ketë përkrahje edhe nga Tirana edhe nga Shkupi”, tha ai.
Hoxhaj shtoi se ekzistenca e vendit është e lidhur me pikëpamjet dhe mbështetjen amerikane. Sipas tij, duhet të kontribuohet që ky raport të fuqizohet.
“Ne e kemi një situatë të tillë politike ku zotëri Kurti nuk i beson dialogut dhe këtu ka shpërputhje të qëndrimeve të tij me partnerët tanë”, ka vijuar ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi,
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se për Serbinë kërkesa për një Asociacion të komunave me shumicë serbe nuk është për qëllimin e integrimit të serbëve lokalë në Kosovë. Por, Bislimi thotë se synimi është të vendoset një “Kalë i Trojës” në Kosovë, e për këtë tregon edhe një ‘non-paper’ që së fundi është draftuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë.
“Kosova ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për arsyet e vërteta të Serbisë për këmbënguljen për formimin e AKS. AKS nuk kishte për qëllim asnjëherë të integronte serbët vendas në Kosovë, por si ‘Kali i ‘Trojës’së Beogradit për ta bërë vendin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Sipas tij në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar i “‘Botës serbe’” nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike, raprotonRTKlive. “Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizmat fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe”, tha ai.
Bislimi tha se themelimi i ASK-së duhet të jetë imperativi kryesor për politikëbërësit serbë, duke ofruar një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të serbëve.
“Non-paper shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për AKS-së, por duhet ta bëjë komunitetin ndërkombëtar të rishqyrtojë të tijën”, tha Bislimi.
Kujtojmë se sot (8.6) në një konfernece me gazetaret, kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka përcjellë Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz një draft për Asociacionin e komunave serbe për të cilin ka vënë në dijeni dhe Presidentin e KE-së, Charles Mishel dhe palën amerikane.
/Argumentum.al