Reformat ekonomike në Bashkimin Evropian janë bërë edhe më urgjente me zgjedhjen e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, paralajmëroi sot ish-kryeministri italian Mario Draghi, i cili erdhi për t’i paraqitur propozimet e tij liderëve të BE-së, në samitin jozyrtar në Budapest.
Mario Draghi publikoi një raport në fillim të shtatorit për të ringjallur rritjen në një Evropë që po ngec në krahasim me Shtetet e Bashkuara.
“Rekomandimet në këtë raport ishin tashmë urgjente, duke pasur parasysh situatën ekonomike në të cilën ndodhemi sot, ato u bënë edhe më urgjente pas zgjedhjeve në SHBA”, tha ai.
“Nuk ka dyshim se presidenca Trump do të shënojë një ndryshim të madh në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Jo domosdoshmërisht në një mënyrë krejtësisht negative, por sigurisht që ne duhet ta marrim parasysh atë”, tha ai.
Miliarderi amerikan ka premtuar se do të trajtojë tepricat tregtare të BE-së duke vendosur taksa mbi importet.
”Evropa duhet të ringjallë rritjen e saj përmes investimeve masive në inovacionin digjital, tranzicionin e gjelbër dhe industritë e mbrojtjes”, vlerëson Mario Draghi në raportin e tij mbi konkurrencën.
”Nëse nuk bën ndryshime rrënjësore, BE do të përjetojë një agoni të ngadaltë”, paralajmëroi ai në shtator.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pohoi nga ana e tij se krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të miratojnë një deklaratë të përbashkët për temën e raportit të Draghit.
”Raporti i Draghit është një bazë e shkëlqyer, një dokument i shkëlqyer”, tha ai./ATA