Në katedralen e Shën Palit në Tiranë u shfaq drama “Gjaku i martirëve të kombit”. Produksioni i kësaj drame është realizuar me mbështjetjen e Ministrisë së Kulturës, TKOB, Teatrit “Kujtim Spahivogli” si dhe nën kujdesin e Imzot Arjan Dodaj, Kryeipeshkëv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës.
Drama “Gjaku i martirëve të kombit”, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako, prek temën e martirizimit të kombit shqiptar, sidomos të klerit katolik, i cili i dha këtij kombi 38 martirë gjatë periudhës së errët të diktaturës.
Drama shfaqet pikërisht në periudhën e Kreshmëve, në Katedralen e Shën Palit, aty ku Krishti kryebari, bekon popullin dhe mësuesit shpirtërorë, duke iu kujtuar amanetin e dashurisë dhe së vërtetës, si rrugë që vetë Krishti e ka shënjuar me gjakun e tij.
Në dramë interpretoi një kastë aktorësh të shquar, si Bujar Asqeriu, në rolin e protagonistit Padër Lazër, si edhe në rolet e malësorëve, aktorët e mirënjohur: Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Erjon Hinaj, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, etj.
Ngjarjet e dramës zhvillohen në hetuesinë dhe burgun e qytetit të Shkodrës, djepin e qëndresës dhe të plagëve të popullit martir gjatë periudhës së diktaturës. Në skutat e errëta të hetuesisë dhe burgut, që përbëjnë skenat e ngjarjes, gjendet Padre Lazëri, malësori Gjin, e malësorë të tjerë si Kola, apo gruaja e Kolës.
Regjisor i dramës është Bajram Torba, muzika dhe efektet muzikore janë përgatitur nga kompozitori Artur Dhamo.
Sipas disa statistikave të Autoritetit të Dosjeve, numërohen rreth 360 klerikë të feve katolike, ortodokse, myslimane dhe asaj bektashiane, që janë pushkatuar e përndjekur nga regjimi komunist.