Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Po, mund të thuhet me gojën plot Qershor Europian pas fjalimit programatik që Presidenti francez Macron mbajti më 9 Maj në Parlamentin Europian në Strasburg, edhe si Kryesues i BE-së për këtë gjashtë mujor. Atje ai shprehu solemnisht idetë dhe vizionet për një Europë të reformuar rrënjësisht, nga brenda dhe nga jashtë; e aftë për t’u bërë ballë sfidave serioze madhore me të cilat po dhe do të ndeshet në të ardhmen në politikën e jashtme dhe të sigurisë, energjitikë, shëndetësi, bujqësi, transport, mirëqenien sociale, etj.
Në këtë arkitekturë të re europiane vend të veçantë pritet të zejë dhe propozimi i Macron mbi krijimin e “Bashkësisë së Re Politike të Zgjeruar Europiane“. Aty do të ftohet të luajë rol kryesor Britania e Madhe dhe do të bëjnë pjesë 6 vendet e Ballkanit Perendimor, së bashku me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Këtë konstruksion të ri politik europian Macron e shpjegon mbi faktin se përkatësia europiane nuk ka pse dhe nuk duhet kufizuar vetëm te antarësimi në BE.
Paraprakisht, sipas këtij vizioni të ri, ndonëse këto vende jo domosdoshmërisht mund të bëhen antare të BE-së, çka dhe nëse ndodh do t‘i takojë një periudhe tejet të largët, ndoshta me dekada, për shkak të hendeqeve tejet të mëdha, sërish ato do t‘i përkasin BE-së; konkretisht, ato do të gëzojnë përfitimet e saj kryesore në shumë programe, projekte dhe fusha; duke përfshirë dhe praninë e përfaqësuesve të tyre në takimet e niveleve më të larta, me statusin e të ftuarit apo vëzhguesit, por pa të drejtë vote.
Kësisoj, kjo ngjarje e vendosi krijimin praktikisht të një Europe në krye të pritshmërive dhe të panjohurave të tjera madhore të Qershorit për Ballkanin Perendimor – vendimi i mundshëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; liberalizimi i vizave me Kosovën dhe antarësimi në KiE; përparimi i Malit të Zi dhe i Serbisë së bashku me qëndrimet ndaj kësaj të fundit pas refuzimit të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë si dhe ecuria në Bosnie – Hercegovinë. Po aq e rëndësishme është se çdo të ndodhë më tej me sanksionet ndaj Rusisë, zëvendësimin e gazit dhe naftës ruse, kompensimin e humbjeve të shkaktuara, etj.
Do theksuar se Macron e ka patur këtë vizion qysh me fillimin e mandatit të parë presidencial; rikujtojmë se pas tezës së një Europe me dy korsi/shpejtësi, më 27 Korrik 2018, në ligjëratën tij në Universitetin e Lisbonës, ai trajtoi posaçërisht idenë e një Europe “ me tri rrathë koncentrikë“ etj. Mirëpo krizat e shumta brenda dhe jashtë Francës, proceset e ndryshme zgjedhore në BE dhe vendet antare, COVID – 19 dhe së fundi agresioni rus ndaj Ukrainës nuk krijuan hapësirën e nevojshme për ta shpalosur dhe venë në rrugën e realizimit, siç bëri më 9 Maj.
Një datë kjo jo vetëm simbolike për Europën, por dhe me kushte më të favorshme, kur Macron sapo ka fituar, edhe pse pa shkëlqim, mandatin e dytë në Elysée; kur nga dhjetori i kaluar në Gjermani kemi një koalicion bindës tripartiak me Kancelarin Scholz dhe kur sapo përfundoi konsultimi i madh qytetar në të gjitha vendet antare të BE-së mbi të ardhmen e Europës; aty janë bërë mbi 3.000 propozime, duke përfshirë dhe ndryshimin e Traktateve bazë të BE-së, që t’i çelet rruga reformimit të saj cilësor, këtë radhë, si një NDRYSHIM HISTORIK!
Qysh atë ditë në Strasburg, veç mirëkuptimit të Europarlamentit, Macron mori dhe mbështetjen e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe të Kancelarit gjerman Scholz në Berlin; çka do të thotë se pavarësisht nga nuancat në dallime, boshti franko-gjerman si “motorri“ i BE-së ka rifilluar të punojë me ngarkesë të plotë për muajin Qershor; kur do të mblidhet Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme më 20 dhe Samiti i BE-së më 23/24 Qershor, të cilët do të shqyrtojnë dhe shpresohet të miratojnë këtë vizion të ri; kjo do t’i çelë rrugën debateve dhe diskutimeve në të gjitha nivelet e BE-së, deri në miratimin përfundimtar. Do të jetë një rrugtim i gjatë, me përplasje, polemika, rezerva, kundërshti, por dhe me leëshimet e kompromiset e rastit, për të cilat BE-ja shquhet.
Edhe vizioni i Macron për të ardhmen europiane të Ballkanit Perendimor ka kohë që “gatuhet“ mbasi rajoni ka qenë në vëmendjen e veçantë të Francës, vendeve të tjera dhe BE-së në përgjithësi. Së fundmi, në Programin e Presidencës franceze të BE-së për këtë gjashtëmujor, veç Samitit të BE-së, përmendet si ngjarja më kryesore Konferenca kushtuar Ballkanit Perendimor në fund të muajit Qershor. Vetëm se atje ra në sy fakti domethënës që nuk përmendet as si term “Zgjerimi /Antarësimi“, por flitet për “sqarimi i Perspektivës dhe Përkatësisë“ së Rajonit tonë në BE.
Kjo dukuri jo e papritur në shumë vende antare të BE-së është shkaktuar për 10 shkaqe të analizuara hollësisht në shkrimin tonë “Zhgënjimi nga zgjerimi“ më 2 Shkurt 2022 dhe që po i përsërisim fare shkurt më poshtë.
Lodhja (fatigue) nga zgjerimi është bërë e papërballueshme, duke u kthyer në një alergji të vërtetë. Kështu, në sondazhet e fundit në vendet kryesore të BE-së, gjysma e të anketuarve apo dhe më shumë janë kundër zgjerimit të mëtejshëm. Për një numër shkaqesh dhe faktorësh – krizat që i kanë shtuar hallet e përditshme, të paimagjinueshme më parë në Perëndim, papunësia, azili dhe emigracioni, krimi i organizuar dhe mafia, rënia e nivelit të jetesës dhe perceptimi negativ ose shqip nami i keq i Ballkanit.
Koha shumë e gjatë e procesit të Zgjerimit. Kështu, antarësimi i 10 vendeve ish-lindore zgjati gjithsejt 16 vjet nga paraqitja e kërkesës zyrtare. Ndërsa në vendet e Ballkanit Perendimor, dhe tani, plot 21 vite nga fillimi i këtij procesi, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar negociatat, por me ndërprerje dhe pa perspektivë të qartë e të afërt kohore. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin ende çeljen e negociatave me plot pasiguri, në rastin tonë 12 vite pas kërkesës zyrtare.
Forcimi i populizmit dhe ekstremizmit në disa vende europiane me peshë, sidomos në Francë, Itali, Gjermani, Holandë dhe gjetkë që e kanë shpallur “ non-grata” zgjerimin, sidomos drejt Ballkanit Perendimor. Për pasojë, zgjerimi nuk josh dhe nuk frymëzon si më parë, nuk jep vota, por vetëm se hap dhe shton telashet.
Shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë përvoja e hidhur me antarësimin e 10 vendeve të tjera të ish Lindjes. Me disa prej tyre, siç dihet, vetë BE-ja ka probleme serioze të shtetit të së drejtës, mbasi ato duan ta ribëjnë BE-në, por tashmë si « demokraci jo liberale ! Shihni sa « dhimbje koke « i kanë shkaktuar BE-së Bullgaria dhe Rumania, antarësimi i të cilave 20 vite më parë ishte vërtet “dilemë hamletiane” Por BE-ja u tregua fleksibël, dhe me premtimin/ besën që i dhanë ato dy vende i pranoi më 2007. Koha tregoi se BE-ja gaboi, dhe pse “pa dashje”!
Lind pyetja: dakord, por me çeljen e negociatave tona si do t’i vejë halli? Vetëkuptohet se në këto kushte, ekziston rreziku që ato të lihen disi në hije, edhe pse demarshet vazhdojnë. Ndikim jo të vogël do të ketë dhe fakti se dhe kur të çelen, duke iu referuar sërish Presidentit Macron, nuk dihet, sepse nuk do të ketë ndonjë afat përfundimtar, që gjithsesi pritet të jetë dhe më i largët se sa mendohej më parë. Sepse antarësimi praktikisht do të kalojë “prapa liste“
Në fakt, edhe mesazhet në prag të tij, nga Brukseli, Berlini, Parisi, Sofja dhe Shkupi, si dy më të interesuarat, megjithë gjuhën e kujdesshme diplomatike të rastit nuk premtojnë dhe nuk japin shumë shpresa reale, veç retorikës boshe.
Kjo mbasi heqja e vetos bullgare, e cila kërkon domosdoshmërisht kompromis me Maqedoninë e Veriut, nuk është aq e lehtë sa ç‘mund të duket; sepse, Sofja është zhgënjyer mbasi Shkupi, sipas saj, nuk e ka zbatuar Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017; ndaj Bullgaria dhe ditët e fundit, nëpërmjet Presidentit Radev ka sinjalizuar se nuk do të tërhiqet nga vetoja nga asnjë ultimatum ndërkombëtar, pa marrë një premtim nga Shkupi, sidomos lidhur me përfshirjen e të drejtave të pakicave bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani është shprehur dhe më pesimist, kur pohoi se “ky bllokim mund të kthehet në konflikt të ngrirë“.
Tani, disa habiten se si është e mundur që as SHBA-të dhe as BE-ja nuk kanë qenë në gjendje ta detyrojnë Sofjen për ta hequr veton. Fare e thjeshtë duke patur parasysh gjendjen e turbullt në Bullgari vitin e kaluar, kur u bënë tri palë zgjedhje të përgjithshme, ku kjo dosje ishte “bombë“ zgjedhore në të dy vendet. Gjithashtu, koalicioni shumëpartiak i krijuar me shumë vështirësi në Sofje është tejet i brishtë. Për pasojë, e vetmja mundësi për çbllokimin e këtij ngërçi të madh është që me trysninë dhe nën kujdesin e BE-së dhe SHBA-ve të nënshkruhet një tip Marrëveshje fjale ose Memorandum Mirëkuptimi, në të cilin Shkupi të zotohet për plotësimin e kërkesave më të mundshme bullgare; pastaj, në këmbim, kjo e fundit të heqë veton. Nëse Shkupi nuk do të plotësojë këto kërkesa, bie fjala brenda 6 – 12 muajve, atëhere Sofja do të bllokojë vazhdimin e negociatave. Kjo është parashikuar dhe në Procedurat e Zgjerimit Europian të vitit 2020. Ama ne vijojmë të qetë negociatat. Mirëpo, a do të jetë e gatshme Maqedonia e Veriut dhe deri në ç‘masë të realizojë këto kërkesa, çka mund të shkaktojë kundërshtime masive deri në rrëzimin e koalicionit të brishtë qeveritar maqedonas?
Nëse nuk hiqet vetoja bullgare, atëhere, ndarja jonë nga Shkupi këtë Qershor, le ta themi troç është e pamundur, madje as që zihet në gojë në kancelaritë dhe qarqet e BE-së. Pavarësisht kërkesës së palës sonë dhe ndonjë vendi të BE-së që mund të na mbështesë, kjo ndarje mund të bëhet vetëm me konsensusin e plotë të 27 vendeve antare të BE-së, çka, hë për hë është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
Këtë e pohoi dhe Kancelari gjerman Scholz në Konferencën e Shtypit me Kryeministrin Rama në Berlin; këtij qëndrimi i bashkohet dhe Franca, si nismëtare e “Çiftëzimit“ të dy vendeve tona në Tetor 2019 por dhe vende të tjera. Para një muaji pamundësinë për këtë ndarje e shprehu hapur dhe Rumania.
Në BE nuk e duan ndarjen sepse nuk shkon të çelen negociatat me ne përpara Maqedonisë; jo vetëm se kjo e fundit ka 17 vjet “në radë“ ndërsa ne 8 vjet, por sepse ata janë më përpara në shumë drejtime. Mbi të gjitha, pas agresionit rus në Ukrainë dhe vizionit të mësipërm te Macron, logoja nuk është “Decoupling“, dmth Ndarja, por Solidariteti, BASHKE! Ndaj dhe SHBA është shprehur dhe po punon që negociatat të çelen për të dy vendet tona në Qershor dhe jo veç e veç!
Natyrisht nëse nuk do të ketë vendim pozitiv në Qershor, ndarja mbetet opsion i mundshëm për në pjesën e mbetur të vitit. Natyrisht ne kemi çdo të drejtë ta kërkojmë, pavarësisht se sa do të na dëgjohet zëri. Vetëm se kjo nuk do shprehur publikisht dhe me zë të lartë nga qeveritarët tanë, por në mënyrë diskrete, në rrugë dhe kanale diplomatike. As nuk duhet përmendur e ca më pak qortuar Bullgaria për këtë bllokim, ca më tepër kur ajo është shprehur pozitivisht për ne.
/Argumentum.al