Drejtuesit më të lartë të institucioneve në Bruksel në unison përmes një letre u kërkojnë vendeve anëtarë të BE-së që të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi i kanë plotësuar të gjitha kushtet që u kërkuan. Letra është firmosur nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, ai në largim Jean-Claude Juncker, David Sassoli kryetar i Parlamentit Evropian dhe Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk.
“Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019. Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Nëse BE vendos tani për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Unionit për të përmbushur premtimet e tij dhe për të parë të ardhmen.
Bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e kësaj.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë.
Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësimi nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate. Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet” mbyllet letra.