Drejtuesja e opozitës së Bjellorusisë Sviatlana Tsikhanouskaya u takua me Presidentin Joe Biden të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar gjendjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në ish republikën sovjetike.
Në një postim në Twitter, Presidenti Biden tha “Ndjehem i nderuar që u takova me @Tsihanouskaya në Shtëpinë e Bardhë këtë mëngjes. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Bjellorusisë në rrugën e tyre për demokraci dhe të drejtat universale të njeriut”.
Zonja Tsikhanouskaya e quajti takimin “shumë të ngrohtë” dhe tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit të Bjellorusisë.”Nuk kaluam shumë kohë bashkë, rreth 15 minuta, por ishte një takim shumë i ngrohtë,” i tha ajo shërbimit rus të Zërit të Amerikës. “Unë pashë një njeri që nuk është indiferent ndaj asaj që po ndodh në Bjellorusi. I përcolla Presidentit Biden mesazhin tonë: Ajo që po ndodh në Bjellorusi nuk është një luftë gjeopolitike, është lufta jonë kundër dhunës, kundër paligjshmërisë. I thashë se ne ndajmë të njëjtat vlera. Dhe unë po largohem nga Shtëpia e Bardhë me sigurinë se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah popullit bjellorus tani dhe pas zgjedhjeve të reja”.
“Po largohem me sigurinë se gjithçka që diskutuam me këshilltarët e Presidentit Biden dhe përfaqësuesit e tij, do të ndiqet në vazhdimësi,” shtoi ajo.
Bjellorusia ka përjetuar trazira politike që kur Presidenti Alexander Lukashenko u rizgjodh gushtin e kaluar në ato që shumë vende perëndimore i quajtën zgjedhje të manipuluara.
Zonja Tsikhanouskaya ishte sfiduesja kryesore e Lukashenkos në zgjedhje. Ajo u largua nga vendi pas zgjedhjeve ndërsa qeveria e Lukashenkos shtypi protestat.
Zonja Tsihanouskaya ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të marrin masa më të rrepta kundër qeverisë së Lukashenkos. Kohët e fundit, ajo ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të sanksionojnë sektorët e potasit, drurit dhe çelikut në vend.
“Sanksionet nuk janë plumbi i artë, por ato mund të ndihmojnë për të ndaluar dhunën në Bjellorusi dhe për t’i detyruar përfaqësuesit e regjimit të fillojnë dialogun me shoqërinë civile,” i tha zonja Tsikhanouskaya Zërit të Amerikës në fillim të këtij muaji.
Në të njëjtën intervistë, ajo tha se kërkoi që Shtetet e Bashkuara të sigurojnë më shumë mbështetje për grupet e shoqërisë civile në Bjellorusi dhe se u takon vendeve demokratike “të mbështesin ata që po luftojnë tani”.
Gjatë qëndrimit të saj në Uashington, ajo gjithashtu u takua me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan./Voa