Parlamenti i Malit të Zi votoi sot për një qeveri të re të pakicës, e para në historinë e saj, me një mandat njëvjeçar për t’u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme të pranverës së ardhshme. Me Dritan Abazoviç si kryeminister, tashmë në rajon kemi 3 kryeministra shqiptare.
Politika shqiptare ka uruar njëzëri kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç,
Presidenti Ilir Meta
Presidenti Ilir Meta uroi Dritan Abazoviçin për zgjedhjen në detyrën e lartë të kryeministrit të Malit të Zi.“Shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë”, tha Meta. Presidenti vlerësoi se progresi i Malit të Zi dhe avancimi në proceset integruese janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje, për të ardhmen e përbashkët europiane, si edhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë.
Kryeministri Edi Rama
“I lumtur që Dritan Abazoviç është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë”, u shpreh Rama.
.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla
“Urime dhe suksese Kryeministrit Dritan Abazovic dhe Qeverisë së re të Malit të Zi! Jam e bindur se bashkëpunimi shumë i mirë midis dy vendeve tona do të vijojë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Republikën fqinjë do të rritet e zgjerohet.”, shkruan në urimin e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Lulzim Basha
Edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka uruar kryeministrin e Malit të Zi, për zgjedhjen në krye të qeverisë në Malin e Zi. Sipas Bashës, zgjedhja e Abazoviç si kryeministër është një moment historik për kombin shqiptar.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi
‘Urimet më të sinqerta për Dritan Abazovic, kryeministrin e sapo zgjedhur të Malit të Zi. Suksese të mëtejshme qeverisë së re të Malit të Zi, për një ritëm të ri në përparimin e sundimit të ligjit, zhvillimit të përgjithshëm ekonomik e social dhe rrugës integruese në Bashkimin Europian. Si vende mike fqinje dhe aspirante drejt BE, e ardhmja e Shqipërisë dhe Malit të Zi është gjithmonë e lidhur, ndaj shpresoj për më shumë bashkëpunim konkret, për më shumë prosperitet të prekshëm për qytetarët e vendeve tona.’- shkruan Kryemadhi.
/Argumentum.al