Ylli botëror i pop muzikës, me origjinë shqiptare, Dua Lipa ka qëndruar në Shqipëri të enjten dhe të premten.
Ajo u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama si dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.
Edi Rama e ka quajtur këngëtaren një “vajzë të edukuar dhe modeste”, pas takimit që ata patën.
“Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj”, shkroi Rama në Facebook.
Dua Lipa së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipa si përfaqësues të fondacionit Sunny Hill, ishin së bashku në Tiranë për të nisur punimet në rindërtimin e një çerdheje që ishte dëmtuar nga tërmeti që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019.
“Mburrem shumë që e kam mundësinë të jem këtu sot që me Sunny Hill Foundation të ndihmojmë në çfarëdo mënyre. Veçanërisht për një komunitet që më ka dhënë shumë, për të gjithë shqiptarët përreth botës që më kanë mbështetur”, tha Dua Lipa në një konferencë për media.
Artistja Dua Lipa e lindur në Kosovë e cila jeton dhe vepron në Mbretërinë e Bashkuar është këngëtare e mirënjohur e cila ka thyer rekorde dhe ka fituar çmime.
Së fundmi ajo fitoi dy çmime në ceremoninë e ndarjes së çmimeve muzikore për artistët më të mirë në Britani.
Në Kosovë, vitin e kaluar dhe këtë vit është anuluar mbajtja e festivalit “Sunny Hill” për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Festivali pritet të mbahet vitin e ardhshëm.