Takimi i radhes i liderve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Shkup në Forumin Ekonomik në kuadër të “Mini-shengenit”, erdhi me nëj ndryshim të emrit të kësaj nisme, nga “Mini-Schengen në “Ballkan i Hapur” .
Duke qene se kjo nisme nuk është përqafuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, nëpërmjet këtij ndryshimi të emrit, synohet kështu një përfshirje me të gjere dhe me një vizion të përbashkët për zhvillimin e këtij rajoni.
Kështu Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës së tij, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për bashkëpunimin rajonal, të njohur me pare si “mini-Schengen”.
“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë.Emri i ri pasqyron realitetin e ri i cili pasqyrohet nga të gjithë ne”.
“Në Shkup po fryn sot një erë e re e bashkimit rajonal,” me këto fjalë e çeli kryeministri i RMV, Zoran Zaev fjalën e tij në Forumin Ekonomik të Shkupit, i cili ka bërë bashkë liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Forumi, i cili synon shtimin e bashkëpunimit rajonal në sferën ekonomike përmes masave lehtësuese u ndoq gjithashtu nga 350 kompani të vendeve pjesëmarrëse.
“Ky është një mesazh i fuqishëm që Ballkani po krijon në nivel të lartë një kuptim se ndërlidhja ekonomike dhe krijimi i një hapësire ekonomike vitale ballkanike është një ambicie e përbashkët,” u shpreh Zaev.
Kryeministri maqedonas tha se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i japin impuls të ri hapësirës së tregut të lirë ekonomik.
“Këtë që e ndërtojmë sot del nga vlerat evropiane për shkak se në vete në themelet e saj përmban të gjitha katër liritë e Bashkimit Evropia. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë “no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet tjera. Me harmonizimin e politikave të investimeve do të krijojmë një potencial të zhvillimit në rajon”.
Sipas Zaev, ky bashkëpunim rajonal mund të kontribuojë edhe në relaksimin e marrëdhënieve në rajon.
Zaev nënvizoi se vonesat në zgjerimin e BE dhe mos-liberalizimi i vizave për Kosovën janë kundër idesë së BE-së.
“Ne nuk mund të presim që të gjitha problemet e brendshme të Bashkimit Evropian të zgjidhen, që ne, qytetarët tani dhe ekonomia jonë të shkojë përpara. Mos-suksesi i BE-së për të përmbushur premtimet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe hapjen e kapitujve të parë me Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, është kundër idesë së BE-së”.
Kryeministri maqedonas shtoi se përpjekjet gëzojnë mbështetjen e plotë të liderëve Vuçiç dhe Rama.
Sipas Zaev, vetëm me një rajon të ndërlidhur dhe të integruar mund të lëvizet më tej drejt integrimit europian.
Qëllimi kryesor është të mos kemi ndalje të qytetarëve përkatës në kufi; të përgatiten politikat për lëvizje të lirë të shërbimeve përmes njohjes së përbashkët të kualifikimeve dhe nënshkrimeve elektronike; të sigurohet lëvizja e lirë e studentëve, ekspertëve dhe biznesmenëve; të lehtësohet lëvizja e kapitalit për një treg financar të lirë.
Pritet që liderët të nënshkruajnë një marrëveshje dhe dy memorandume bashkëpunimi.
Vonesat në zgjerimin e BE dhe mos-liberalizimi i vizave për Kosovën , kundër idesë së BE-së
Ne nuk mund të presim që të gjitha problemet e brendshme të Bashkimit Evropian të zgjidhen, që ne, qytetarët tani dhe ekonomia jonë të shkojë përpara, kështu sot në Forumin Ekonomik në Shkup kryeministri Zoran Zaev arsyetoi nismën rajonale për bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimore.
“Mos-suksesi i BE-së për të përmbushur premtimet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe hapjen e klasterëve të parë me Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën , është kundër idesë së BE-së”, tha mes tjerash Zaev.
Kryeministri Zoran Zaev në fjalët e tij hyrëse në Forumin rajonal Ekonomik në Shkup tha se nisma rajonale mes Shkupit, Beogradit dhe Tiranës përmban në vete katër liritë e BE-së, transmeton Alsat. Zaev tha se me këtë nismë synohet lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal.
“Këtë që e ndërtojmë sot del nga vlerat evropiane për shkak se në vete në themelet e saj përmban të gjitha katër liritë e Bashkimit Evropia. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë “no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet tjera”, tha mes tjerash Zaev.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në Forumin Ekonomik të Shkupit: “Me 1 janar të 2023 nuk do të kemi më kufij mes tre vendeve tona
“Me 1 janar të 2023 nuk do të kemi më kufij mes tre vendeve tona, nëse arrihen të realizohen tre kushte. Njëri kusht është të ndërtojmë besimin e ndërsjelltë, nëse ne tre vendet, qeverita tona, mund ti realizojmë shpejt këto rezultat, nëse mund ti kalojmë dobësitë e administratave tona apo jo. Nga Beogradi do të niseni drejt Tiranës dhe askush nuk do t’ju ndalë dhe anasjelltas.E dimë se të gjithë do të ruajmë sovranitetin dhe pavarësinë tonë”.
Kritikëve të nismës u rezervoi këtë përgjigje.
“Gjithmonë do të kemi oponentë ndaj kësaj iniciative, ata që mendojnë vetëm për zgjedhjet e afërta”.
Presidenti Vuçiç gjithashtu mohoi se Serbia është përfituesja më e madhe në këtë iniciativë.
“Ndonjëherë thuhet se Serbia përfiton më së shumti sepse është shteti i madh por kjo nuk është e vërtetë. Si do të tërheqim investitorë të mëdhenj? Hapen mundësi të shumta dhe të pafundme në favor të secilit vend. Të tre vendet tona do të mbyllin vitin me 76 miliardë euro Prodhim të Brendshëm Bruto. Na duhen 5-6 vite maksimumi. Mund të punojmë në drejtim të zhvillimit dhe të shtyjmë para zhvillimine rajonit. Shpresoj që edhe në mbledhjen e ardhshme në Beograd nuk do të na pengojë Covid, në fillim të tetorit do të takohemi në Beograd dhe më pas në Tiranë apo kudo tjetër në Shqipëri ku të na propozojë Edi”.
Vuçiç tha se kjo nismë është në funksion të së ardhmes dhe brezit të ri të tre vendeve respektive.
“Kur e nisëm këtë nismë, secilit nga ne të tre na u duk se është më mirë për të ardhmen dhe do të ndryshojë gjërat në Ballkan. Serbia dhe Shqipëria asnjëherë nuk kanë qenë në marrëdhënie aq të afërta por vendosëm të kthehemi nga e ardhmja për tu lënë diçka fëmijëve tanë. Kemi zhvilluar një besim të sinqertë mes nesh për zhvillimin në rajon dhe integrimin në BE. Duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të marrim përsipër fatin tonë. Dje shumë thjesht dhe lehtë arritëm marrëveshje. Gjithçka që propozoi Zaev dhe Rama unë i pranova, ato që propozova unë ata e pranuan”.
Kryeministri Edi Rama: “Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt”
“Nuk kemi marrë përsipër të bëjmë një karikaturë ballkanike të BE-së këtu që çohet njëri e thotë unë vë veton e ju nuk duhet të takoheni, apo çohet tjetri e thotë vë veton e ju nuk duhet të nënshkruani këtë apo atë. Këtë nuk bëjmë dot. Nuk kemi luksin të humbasim kohë se kemi humbur shumë. Kemi humbur shekuj.”
Kryeministri Edi Rama mbrojti nga Forumi Ekonomik i Shkupit idenë e bashkëpunimit rajonal si një nismë e duhur, ‘por edhe e vonuar’.
“Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë, për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shume punë, për të hapur më shumë perspektivë me vende punë të mirëpaguara, sidomos për të rinjtë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën,” u shpreh Rama.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe kryeministri shqiptar synojnë përmes këtij takimi të nënshkruajnë marrëveshje, të cilat sipas tyre do të lehtësojnë shkëmbimin e shërbimeve, mallrave dhe lëvizjen e njerëzve në Ballkanin Perëndimor.
Liderët e kanë mbrojtur këtë nismë si një mënyrë për t’i bindur vendet e Bashkimit Europian për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor.
“Për çfarë arsye ne duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend drejt BE, ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet, jo thjesht nga çfarë bëjmë ne por nga çfarë mendojnë të tjerët,” tha kryeministri Rama.
I ashpër u tregua kryeministri Edi Rama në forumin e Shkupit, ndërsa u ndal te refuzimi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë ftesës për t’ju bashkuar nismës së ‘minishengenit’.
Rama tha se kjo nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, por shtoi se së është i mirëseardhur kushdo që kërkon t’i bashkohet, por theksoi se nuk mund të pritet për konsensusin e të gjithëve.
“Nuk kemi pse presim që integrimin e Rajonit nga pikëpamja e të 4 lirive të Europës ta bëjmë pasi të kemi hyrë në BE, ne do ta bëjmë tani! Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është nisëm ekskluzive e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë? Kushdo që dëshiron mund të na bashkohet, por nuk mund të presim konsensus nga të gjithë për t’u takuar.
Se ne nuk mund të bëjmë karikaturë të BE që njëri të vendosë veton e të thotë jo nuk do takoheni. Ne nuk mund të humbasim kohë se kemi humbur shekuj. Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së tjerëve, nuk kemi parë se çfarë fitojmë ne nga bashkëpunimi, por sa keq heq tjetri nga konflikti.
Ko është një histori e gjatë dhe e dhimbshme që duhet lënë pas. Kush thotë që kjo është nismë e bërë në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të ringritjen e Jugosllavisë, jeton në një botë paralele, për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve. Harron se po të nisemi kështu, duhet të themi që edhe BE është një Jugosllavie e madhe, nëse është BE, atëherë dhe kjo është një Jugosllavie e vogël”, tha Rama.
Tre marrëveshjet e firmosura:
Marrëveshjet u nënshkruan nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
E para: Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.
E dyta: Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.
E treta: Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.
Pas firmosjes së marrëveshjeve është prezantuar emri i nismës ‘Ballkani i Hapur’ dhe nuk do të përdoret më termi që i është referuar deri më tani.