FOKUS
Genc Mlloja
Pak orë pasi kryeministri Edi Rama shpalli humnerën ku tashmë ka rënë Shqipëria në gjendje të ‘jashtëzakonshme energjitike’, Tirana të shtunën në mbrëmje vezullonte nga shkëlqimi shik. Të pispillosur ku s’ka më parakaluan në tapetin e kuq politikanët më të lartë, ajka ‘intelektuale’, e të zakonshëm pro- qeveritarë vendas e disa ambasadorë të nderuar nga vendet më aleate të Shqipërisë.
Rasti ishte shfaqja e një filmi të ri me vazhdimin e temës të agjentit britanik 007.
Duke parë kronikat vezulluese të TV-ve lokale me sfond ogurzezën e paralajmëruar nga kreu i qeverisë po atë ditë pak orë më parë, krizë që populli po e përjeton edhe më shumë në këtë kohë kur lengata kovidiane po egërsohet me fatalitete në rritje e gjendje ekonomike që po bëhet gjithnjë e më keq, me shkoi mendja tek skenat e filmit amerikan Godfather 2 në Havanë.
Kush e ka parë atë seri të ‘Godfather’ e mban mend harenë e pushtetit dhe të diplomatëve në sallën e mbrojtur nga tanket, ndërsa nëpër rrugë shpërthimi i revoltës popullore ishte i papërmbajtur … Kur tiktaku i orës shkoi 12 në atë natë diplomatët u përballën me atë çfarë po ndodhte nëpër sheshe e rrugë, jashtë farfurisë së VIP-ve në sallon.
Shkova larg në kohë ndoshta për çfarë përmenda, por kur thika të shkon në asht kushdo kujton 1997… e ngjarje të mëparshme të zemërimit popullor përballë varfërisë, skamjes e poshtërimit ndaj popullit në Shqipëri. Ky është realiteti pa iu fshehur.
Për skenaristët në pushtet me skenar diplomatik prapa kulisave, parada 007 e së shtunës së ka qenë zgjedhje e (ç)mençur pas zotimit të KM se as rroga as pensione nuk rriten për 3 vitet e ardhshme.
E mirëzeza kjo se a i mëson i plotfuqishmi se po i kthejnë mbrapsht edhe tani të moshuarit nevojtare tek arkat e zyrave ‘popullore’ me arrogancën se aktualisht nuk ka fonde për pensionet; atëherë ta kenë ‘gëzuar galanë pompoze, siç i quajnë sejmenet mediatike vendas, çfarë bëhet në Tiranë me taksat e popullit në shfaqje të tilla ekstravagante.
I përshtatet sipas mendimit tim modest kësaj situate sa mjerane aq edhe groteske ku janë bërë pjesë jo pa dashje disa qarqe diplomatike këtu se përballë situatave të tilla krize t’mos kërkohet djalli në hollesi por në dështimin për tu përballur me të.
E ndërkohë pse jo, qytetarët e thjeshtë shqiptarë, mezi po e ripresin 007 në variantin e ri dhe shumë të tjerë pas tij si spektatorë me shpresë se ‘agjenti britanik’ t’ju sjell më shumë mirëqenie dhe jo vetëm deklamime për zi e më zi për tre vitet e ardhshme.