Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi të hënën një takim informal me gazetarët ku u përgjigj për disa nga çështjet e nxehta të aktualitetit.
I pyetur lidhur me çështjen e mikrokredive, referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur para SPAK ku një qytetar i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, Dumani u shpreh se SPAK nuk heton kallëzimet e qytetarëve, por po heton një çështje që lidhet me kompetencat e veta.
Lidhur me dosjen ‘Partizani’ për të cilën po hetohet ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i SPAK tregoi se lidhur me këtë dosje vijojnë hetimet dhe janë sekuestruar disa pasuri.
Ai u shpreh se dosja Xibraka është rihapur, ndërsa rezulton se deputeti Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim.
I pyetur lidhur me çështjen Beleri, Dumani tha: “Tashmë Beleri është një person i dënuar me formë të prerë. Nuk ka më asnjë kompetencë SPAK sa i takon fazës së ekzekutimeve të vendimeve penale. Në momentin që vendimi merr formë të prerë, SPAK nuk ka me asnjë implikim procedural”.
Ai refuzoi të jepte komente lidhur me disa dosje të rëndësishme, si inceneratorët, shpërdorimin e fondeve të BE, çështjen Meta-Kryemadhi, Arben Ahmetajn, duke u shprehur se janë çështje nën hetim për të cilat duhet të ruhet konfidencialiteti.
Disa nga pyetje-pergjigjet me kreun e SPAK
Javët e fundit ka qenë në fokus Ilir Meta dhe Kryemadhi. Çfarë statusi kanë këta dy persona?
Dumani – Çështja është në hetim, nuk mund te jap asnjë koment.
A ka zyrtarë të Ministrisë së Shëndetëisë në hetim?
Dumani- Është çështje në hetim, çdo e dhënë që paraqet interes për hetimin, prokurori duhet ta hetojë.
Për Ahmetajn, keni pasur shkëmbim me partnerët?
Dumani – Është konfidencalitet me autoritetet.
Për Durim Bamin, keni ngritur shqetësimin për ekstradimin, në çfarë faze është ekstradimi? Si do zgjidhet ngerçi?
Dumani- Kemi detyrim vetëm të bëjmë kërkesë për ekstradim.