Genc Mlloja
Në skenën politike të Republikës Popullore të Kinës nuk ka pauza në asnjë moment, përkundrazi veprimtaritë politike, ekonomike e sociale ndjekin njëra- tjetrën në përputhje me ritmin e përshpejtuar të zhvillimit të gjithanshëm të këtij vendi të madh dhe përparimin e popullit të tij prej mëse 1.4 miliard njerëzish. Pa u shuar fryma entuziaste plot optimizëm e festës së magjishme të Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022 të pasuara më 4 mars nga Lojërat Olimpike Dimërore Paralimpike 2022, që e bënë Kinën pikën fokale për mbarë botën, vëmendja është përqendruar në sesionet vjetore të legjislaturës më të lartë dhe organit të këshillit politik.
Detyra madhore e ligjvënësve dhe këshilltarëve politikë është të analizojnë rezultatet e arritura në ekonomi dhe fusha të tjera më 2021, si dhe të përcaktojnë kursin për vitin 2022, që shikohet si një vit tejet i rëndësishëm i rrugëtimit drejt rigjallërimit të mëtejshëm kombëtar të vendit. Rreth 3000 përfaqësues të qarqeve të ndryshme të Kinës janë mbledhur në sesionin e pestë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, që u hap më 5 mars, kurse një ditë më parë (4 mars pasdite) filloi punimet sesioni i pestë i Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK), organi më i lartë këshillimor politik.
Në sesionet e të dy organeve më të larta të vendit, i cili aktualisht ka ekonominë e dytë më të madhe në botë, në qendër të vëmendjes të axhendës së tyre, janë arritjet e vitit 2021 dhe mbi bazën e tyre dhe në përshtatje me zhvillimet e brendshme dhe ndërkombëtare përcaktimi i objektivave të zhvillimit ekonomik gjate vitit 2022. Ka një specifikë të veçantë ky vit për mbarë botën, duke përfshirë edhe Kinën, lidhur me çfarë po ndodh midis Rusisë dhe Ukrainës të përfshira që nga 24 shkurti i këtij viti në një konflikt të armatosur me pasoja të rënda në njerëz dhe materiale të palëve ndërluftuese. Por efektet e këtij konflikti të armatosur në shkallë të gjerë, më i madhi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, janë ndjerë shpejt e në mënyrë kritike në aspektin ekonomik edhe si pasojë e sanksioneve që perëndimi dhe aleatët e tyre i kanë vënë Rusisë.
Konflikti i armatosur ruso-ukrainas, vazhdimi i pandemisë, politika konstante obstruksioniste e SHBA-së dhe e disa vendeve aleate të tyre ndaj Kinës e ndonjë vendi tjetër, dhe probleme të tjera serioze në rajone të ndryshme të botës sigurisht që po influencojnë negativisht, veçanërisht në ekonomi dhe aspekte sociale këtë vit. Domosdo lidershipi kinez dhe tani të dy sesionet më të larta që vazhdojnë punimet i kanë në qendër të vëmendjes sa më sipër, ashtu sikurse edhe zhvillimet e brendshme në Kinë, e cila ka përjetuar gjatë vitit 2021 arritje historike për rritjen e mëtejshme të potencialit ekonomik të vendit dhe të mirëqenies së popullit, çka kanë patur efekte pozitive edhe në plan global botëror. Ishte zhvillim tejet pozitiv që ekonomia kineze pati një rikthim të fortë me një rritje prej 8.1 për qind në 2021 duke u bërë e vetmja ekonomi e madhe në botë që shënoi rritje në 2020.
Në raportin e punës të qeverisë, që paraqiti kryeministri Li Keqiang në ditën e parë të punimeve (5 mars) të Asamblesë Kombëtare Popullore, vihej në dukje se vitin e kaluar, Komiteti Qendror i PKK-së, me shokun Xi Jinping në krye, udhëhoqi të gjithë Partinë dhe mbarë popullin në fitoren e betejës kundër varfërisë dhe realizoi sipas planit ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet, duke arritur objektivin e njëqindvjetorit të parë dhe duke filluar njëkohësisht një rrugëtim të ri drejt objektivit të njëqindvjetorit të dytë për të ndërtuar një vend modern socialist.
Vlera e këtyre arritjeve bëhet edhe më e çmueshme sepse ato janë realizuar përballë situatave komplekse të brendshme dhe të jashtme si dhe shumë sfidave, por sipas kreut të qeverisë i gjithë vendi ka punuar së bashku për të bashkërenduar parandalimin dhe kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror.
Në prill të vitit të kaluar u njoftua se 98.99 milionë njerëz të varfër në zonat rurale në Kinë kanë dalë nga varfëria, 832 konte të varfra kanë hequr etiketën e varfërisë, 128.000 fshatra të varfra kanë dalë nga skamja. Pas Kongresit të 18-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), nën drejtimin e presidentit Xi, partia në pushtet ka hartuar politikën për mbështetjen e saktë për të varfërit dhe ka nisur luftën me përmasat më të mëdha në historinë e njerëzimit për zhdukjen e varfërisë, duke nxjerrë nga skamja mbi 10 milionë njerëz në vit. Për Kinën, zhdukja e varfërisë ekstreme është jo vetëm një arritje historike në zhvillimin ekonomik e shoqëror, por dhe praktika më e mirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kina ka realizuar gjithashtu objektivin e zhdukjes së varfërisë të përfshirë në Axhendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030, 10 vite përpara afatit dhe ka krijuar një jetesë të qetë, të lirë dhe të lumtur për një të pestën e popullsisë botërore. Ky konsiderohet një kontribut i rëndësishëm për çështjen globale të të drejtave të njeriut.
Kina parashikon një rritje të PBB-së prej rreth 5.5 përqind
Por cilat janë disa nga pritshmëritë më kryesore për zhvillimin e ekonomisë kineze për këtë vit, që sikurse e thamë edhe më sipër, ka kompleksitetin e vet. Tërheq vëmendjen theksi që vuri kryeministri Li Keqiang mbi stabilitetin ekonomik përballë sfidave të shumta në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Konkretisht raporti i qeverisë ka propozuar që objektivat kryesorë për zhvillimin në vitin 2022 të jenë rritja e PBB-së prej rreth 5.5 % dhe krijimi i më shumë se 11 milionë vendeve të reja të punës në zonat urbane dhe mbajtja e nivelit të papunësisë së anketuar urbane brenda 5.5% gjatë gjithë vitit. Kurse rritja e çmimeve të konsumit parashikohet të jetë 3% dhe rritja e të ardhurave të banorëve duhet të sinkronizohet në thelb me rritjen ekonomike. Ndërkohë theksohet se importi dhe eksporti do të jenë të qëndrueshëm e të përmirësohen, dhe bilanci i pagesave të jetë në thelb i balancuar, kurse prodhimi i grurit të mbetet mbi 650 milionë tonë.
Në një kohë kur ekonomia botërore po përballet ende me presion në rritje për shkak të pandemisë dhe pasigurive të tjera, përfshirë tensionet gjeopolitike, objektivi i rritjes prej rreth 5.5 për qind për ekonominë e dytë më të madhe në botë pritet të nxisë ndjeshëm zhvillimin e pandalshëm të Kinës duke shmangur çdo stanjacion si dhe të vazhdojë të jetë kontribut konkret për rimëkëmbjen ekonomike globale.
Në fund të janarit, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi që ekonomia globale të rritet me 4.4 përqind në vitin 2022, që është 0.5 pikë përqind më pak se sa parashikimi i tetorit, pasi shumë ekonomi po përballen me ndërprerje të furnizimit, inflacion më të lartë, borxh rekord dhe pasiguri të vazhdueshme. Kurse Banka Botërore uli parashikimin e saj të rritjes globale në 4.1 përqind për këtë vit në mes të janarit, mes shpërthimeve të vazhdueshme të COVID-19, rritjes së inflacionit dhe pengesave të vazhdueshme të ofertës.
Duke marrë parasysh që objektivat afatgjatë të Kinës mbeten të pandryshuara, synimi i saj për një rritje ekonomike prej 5.5 përqind për vitin 2022 konsiderohet i realizueshëm dhe parashikohet që të ndihmojë në rritjen e besimit të tregut në afat të mesëm dhe afatgjatë, duke u bërë kështu shtysë në rimëkëmbjen ekonomike globale, Jiang Ying, zëvendës CEO i Deloitte China dhe një ndër këshilltarët politikë vendas, i tha agjencisë së lajmeve Xinhua.
Me frymë optimiste të mbështetur në realitetin kinez kryeministri Li siguroi se Kina do ti bëjë ballë çdo presioni të rënies ekonomike, e përkundrazi ekonomia e saj do të vazhdojë kursin e rritjes.
“Nuk ka dyshim se ekonomia e Kinës do të përballojë çdo presion rënieje dhe do të vazhdojë të rritet vazhdimisht në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë, duke përmendur kushte të shumta të favorshme për zhvillim të qëndrueshëm, duke përfshirë potencialin e madh për fillimin e bizneseve dhe përvojën e pasur në trajtimin e rreziqeve dhe sfidave të mëdha.
Xi udhëzon se sigurimi i drithërave ka rëndësi jetike për Kinën
Më sipër përmendëm se në raportin e qeverisë përfshihej edhe propozimi që prodhimi i grurit të mbetej mbi 650 milionë tonë. Po e nënvizoj këtë aspekt duke patur parasysh se sigurimi i drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore është jetik dhe detyrë komplekse për shtetet e mbarë vendeve të botës, duke përfshirë edhe Kinën. Kjo çështje është bërë më e komplikuar si pasojë e konfliktit midis Rusisë e Ukrainës, të dy ndër vendet me eksportin më të madh të drithërave në botë.
Pikërisht nisur nga fakti se bëhet fjalë për një aspekt jetik Presidenti Xi i kushtoi personalisht një vend të veçantë më 5 mars rëndësisë së sigurimit të drithërave dhe të zbatimit të strategjisë së rigjallërimit rural gjatë takimit me këshilltarët politikë kombëtarë të qarqeve të bujqësisë, mirëqenies dhe sigurimeve shoqërore, që po marrin pjesë në sesionin e 5-të të Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.
Sipas Presidenti Xi, bota ka hyrë në një periudhë të re me luhatje dhe ndryshime dramatike, ndërkohë që edhe Kina ka detyrën e vështirë për të realizuar zhvillimin me anë të reformës e stabilitetit. “Sigurimi i drithërave ka rëndësi jetike për vendin tonë. Pas përpjekjesh të jashtëzakonshme, Kina, me 9% të tokës së punueshme dhe 6% të burimeve globale të ujit të ëmbël, mban gati 1/5 e popullsisë së botës, duke u shndërruar nga një vend që mezi ofronte ushqim të mjaftueshëm për 400 milionë banorët e tij, në një vend ku 1.4 miliardë njerëz sot gëzojnë kushte të mira ushqimore. Kjo është një arritje e fituar nëpërmjet kapërcimit të vështirësive të panumërta, që ne duhet ta konsolidojmë më tej. Për sigurimin e ushqimit nuk mund të rrimë asnjëherë duarkryq. Nuk mund të mendojmë që me realizimin e industrializimit sigurimi i ushqimit nuk përbën më problem. Nuk duhet të mendojmë se ky problem mund të zgjidhet me anën e tregut ndërkombëtar”, tërhoqi vëmendjen Xi.
Nxitje e investimeve të huaja, qëndrueshmëri e tregtisë së jashtme
Nga ana tjetër në vijim të politikës së hapjes të nisur në vitin 1978 si një nga faktorët ekonomikë që ka bërë të mundur zhvillimin e paimagjinueshëm më parë të Kinës, në raportin qeveritar theksohet se është e nevojshme të zgjerohet fusha e inkurajimit të investimeve të huaja dhe të mbështetet shtimi i këtyre investimeve në sektorin e prodhimit të nivelit të mesëm dhe të lartë, në kërkim-zhvillim, në shërbimet moderne dhe fusha të tjera, si edhe të optimizohen shërbimet e nxitjes së investimeve të huaja dhe të përshpejtohet zbatimi i projekteve madhore në rajonet qendrore, perëndimore dhe verilindore.
Kurse tregtia e jashtme e Kinës, pavarësisht pasigurisë dhe presionit, pritet të mbetet në një interval të arsyeshëm në vitin 2022. Këtë e deklaroi Guo Weimin, zëdhënës i Sesionit të pestë të Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez. “Sektori i tregtisë së jashtme të Kinës ka një bazë të fortë industriale dhe elasticitet të lartë”, tha Guo gjatë një konference shtypi.
Përballë situatës komplekse në Kinë dhe jashtë saj, anëtarët e Komitetit dhanë disa sugjerime, duke përfshirë përshpejtimin e zhvillimit të formave të reja të biznesit si tregtia elektronike ndërkufitare dhe magazinat jashtë shtetit, duke promovuar integrimin e tregtisë së brendshme dhe të jashtme, si dhe përmirësimin e dixhitalizimit të tregtisë. Guo shtoi se tregtia e jashtme e Kinës ka bërë një hap të madh përpara gjatë viteve, duke theksuar se për sa i përket strukturës së saj të tregtisë së jashtme, kombi aziatik aktualisht eksporton jo vetëm produkte parësore, por edhe një numër të madh artikujsh.
“Në të njëjtën kohë, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në mbështetjen e tregtisë së jashtme të vendit, së bashku me ndërmarrjet shtetërore të administruara nga qendra dhe kompanitë e financuara nga jashtë”, theksoi Guo.
E për të folur në terma konkrete do të çohet përpara në mënyrë të qëndrueshme ndërtimi i zonave pilot të tregtisë së lirë dhe i Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, do të promovohet reforma dhe inovacioni në zonat e zhvilluara, do të përmirësohet niveli i zhvillimit të zonave me tarifa të ulëta doganore gjithëpërfshirëse dhe do të zbatohet programi pilot për zgjerimin e hapjes së industrisë së shërbimeve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se tregtia totale e mallrave kineze u rrit në vitin 2021, duke tejkaluar 6 trilionë dollarë për herë të parë, pavarësisht se pandemia vazhdon të rëndojë tregtinë ndërkombëtare. Kurse importet dhe eksportet totale të Kinës u rritën 13.3 për qind nga viti në vit në 6.2 trilion juanë në dy muajt e parë të vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare të bëra publike më 6 mars. Si eksportet ashtu edhe importet kanë vazhduar rritjen dyshifrore në periudhën janar-shkurt, duke u rritur përkatësisht me 13.6 për qind dhe 12.9 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. E konvertuar në dollarë amerikanë, tregtia totale arriti në 973.45 miliardë dollarë amerikanë gjatë kësaj periudhe, 15.9 për qind më shumë nga viti në vit.
Mbrojtja e ambjentit që ‘Qielli Blu’ i Pekinit të shtrihet në tërë vendin
Në raport i është kushtuar vëmendje e dukshme edhe problemeve të punës për mbrojtjen e ambientit. ‘Qielli blu’ i Pekinit gjatë Lojërave Olimpike Botërore të shkurtit të këtij viti do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve në këtë veprimtari madhore ndërkombëtare dhe shpresë për ambient më të shëndetshëm për banorët e kryeqytetit kinez, mbarë vendit por edhe për botën mbarë.
Në këtë kuadër raporti i qeverisë propozonte që cilësia e mjedisit ekologjik të vazhdojë të përmirësohet dhe shkarkimi i ndotësve kryesorë të vijojë të ulet kurse objektivi i intensitetit të konsumit të energjisë do të vlerësohet në një mënyrë të gjithanshme gjatë periudhës së “Planit të 14-të pesëvjeçar” me elasticitetin e duhur, dhe konsumi i energjisë së re të përtëritshme dhe i lëndëve të para nuk do të përfshihet në kontrollin e konsumit të përgjithshëm të energjisë.
Mbi 2.1 miliardë doza vaksinash anti-Covid nga Kina për popujt e tjerë
Por një ndër aspektet që shpalos natyrën humane dhe solidare të Republikës Popullore të Kinës është dhe do të mbetet historikisht kontributi i saj mbarëbotëror në luftën kundër pandemisë. Edhe pse e goditur vetë rëndë nga virusi vdekjeprurës, të cilin e mposhti në një kohë rekord, udhëheqja e Pekinit ofroi menjëherë ndihmën e saj humane për popujt e tjerë në vështirësi, përfshi edhe Shqipërinë.
Nuk është propagandë çfarë vihet në dukje në këtë shkrim mbi kontributin human kinez se ngjarjet janë konkrete dhe shifrat flasin vetë. E realisht Kina ka furnizuar me mbi 2.1 miliardë doza vaksinash anti-Covid mëse 120 vende dhe organizata ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ajo ka dërguar 37 ekipe ekspertësh mjekësore në 34 vende dhe ka siguruar materiale antipandemike, duke përfshirë maska, kostume mbrojtëse, ventilatorë dhe materiale testimi për 150 vende dhe 13 organizata ndërkombëtare. Këto të dhëna u parashtruan nga Guo Weimin, zëdhënës i sesionit të pestë të Komitetit të 13-të Kombëtar të organit më të lartë këshillimor politik.
Pa mëdyshje mund të thuhet se Kina la prapa një vit të suksesshëm në të gjitha aspektet me një ekonomi në rritje dhe sikurse po tregojnë edhe punimet e dy sesioneve të organeve të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore dhe të KKPPK, organi më i lartë këshillimor politik, perspektivat për vitin 2022 janë optimiste megjithë sfidat e shumta, të cilat janë në krye të vëmendjes së veprimtarisë ekonomike dhe politike të të gjithë hallkave të pushtetit popullor qendror dhe lokal.
Viti 2022, nga ana tjetër, ka simbolikën e vet historike se në muajin tetor do të mbahet Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës, dhe kjo ngjarje rrit më tepër optimizmin se Kina me ekonominë, e cila faktikisht ka rritjen më të shpejtë në botë, do të bëjë realitet objektivat e ëndrrës së popullit të saj për tu bërë një vend modern socialist në njëqindvjetorin e dytë. Realiteti i zhvillimit të pandalshëm i parashtruar edhe në punimet e të ashtuquajturëve ‘Dy Sesione’ vjetore, dëshmon se lokomotiva ekonomike kineze do të ecë përpara drejt arritjeve të reja në të mirë të popullit të vet, por edhe të mbarë njerëzimit duke forcuar më tej rolin konstruktiv të Kinës në rimëkëmbjen globale dhe mbi të gjitha për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në botë në këto kohë të trazuara./CRI