Mbi veriperëndimin e Shteteve të Bashkuara lëviz një balonë e madhe e bardhë nga Kina. Qeveria amerikane dyshon për spiunazh. Kina e mohon. Sekretari amerikan i Shtetit Blinken shtyn një udhëtim për në Pekin.
Balona u pa të mërkurën (01.02.2023) mbi shtetin Montana në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, njoftoi Departamenti Amerikan i Mbrojtjes në Uashington. Trajektorja e balonës po ndiqet me saktësi. Ajo që është domethënëse është se në Montana ndodhet Malmstrom Air Force Base, vend ku ndodhet bunkeri i një rakete bërthamore.
Ka “shumë siguri” se baloni është një balon spiun kinez, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit, i cili dëshironte të mbetej anonim. Ai tha se për incidentin ndodhen në kontakt me qeverinë në Pekin.
Balona “relativisht e madhe” ka hyrë para disa ditësh në hapësirën ajrore të SHBA dhe është duke fluturuar në lartësi të madhe mbi veriperëndimin e SHBA, tha zyrtari. “Qëllimi i balonës është spiunazhi dhe rruga e saj aktuale e çon atë mbi baza të ndjeshme”, u shpreh përfaqësuesi i Pentagonit. Këtu përfshihen edhe baza të forcave ajrore dhe vendndodhjet e raketave nëntokësore.
Kina flet për një mjet ajror civil
Nga ana tjetër Kina e mohon se bëhet fjalë për një balonë spiunazhi, Bëhet fjalë për një mjet ajror “civil” për qëllime kërkimore, kryesisht të natyrës meteorologjike, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin. Për shkak të kapacitetit të kufizuar për të mbajtur drejtimin si pasojë e erërave të forta perëndimore, ajo ka “devijuar shumë nga kursi i planifikuar”. Zëdhënësi shtoi se “Kinës i vjen keq për hyrjen e papritur në hapësirën ajrore të SHBA si pasojë e një force madhore”. Kina do të vazhdojë të komunikojë me SHBA dhe ta trajtojë siç duhet këtë “situatë të papritur”.
Pas zbulimit të balonës presidenti amerikan Joe Biden thuhet të ketë urdhëruar shqyrtimin e mundësisë për goditjen e saj. Ministri i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe zyrtarët e lartë ushtarakë vendosën në fund kundër këtij opcioni, sepse nëse do të goditej balona shumë njerëz do të rrezikoheshin nga pjesët, që do të binin në tokë.
Jo rrezik – por moment i papërshtatshëm
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, konfirmoi më vonë se balona është ende në lëvizje mbi territorin amerikan. Por po fluturon “mbi lartësinë e trafikut ajror” dhe “nuk paraqet rrezik ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë”.
Incidenti me balonën, që supozohet si balonë spiunazhi, po tensionon më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes SHBA dhe Kinës. Për shkak të fluturimit të balonës Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shtyu një udhëtim për në Pekin të planifikuar për këtë fundjavë.
Balonat me të mirat dhe disavantazhet e tyre
Balonat si ajo që është parë mbi SHBA veprojnë zakonisht në një lartësi prej 24,000 deri në 37,000 metra, shumë më lart se niveli i udhëtimeve ajrore komerciale.
Ndër avantazhet e balonave ndaj satelitëve bën pjesë mundësia për të skanuar territore të gjera nga distanca më të afërta dhe për të shpenzuar më shumë kohë mbi një territor të synuar. Në dallim nga satelitët, të cilëve u duhen mjete lëshimi, që kushtojnë qindra miliona dollarë, balonat mund të lëshohen me kosto të ulët.
Megjithatë sipas një studimi të vitit 2005 për Airpower Research Institute të Forcave Ajrore, balonat nuk mund të kontrollohen direkt, por mund të drejtohen përafërsisht në një zonë të synuar, vetëm përmes ndryshimit të lartësisë, duke përdorur rrymat e erës.
Sipas informacioneve të SHBA në vitet e fundit janë parë disa balona të tilla. Megjithatë objektet fluturuese zakonisht nuk kanë qëndruar shumë gjatë mbi territorin amerikan.