EDITORIAL
Ditët e fundit, analisti i mirënjohur i BBC-së, Gabriel Partos, në një analizë të shkaqeve që çuan në shpalljen “non – grata“ nga Britania e Madhe për ish Presidentin Berisha, pohon se një nga arsyet kryesore ishte roli përçarës i Berishës dhe kundërshtimi ndaj nismës “Ballkan i Hapur“ Kjo e fundit bën përshtypje dhe krijon shumë dyshime.
Nëse është kështu vërtet, ky do të ishte “safi dhe puro“ monizëm; dmth të shpallësh të padëshiruar një person, dhe më vonë ndoshta ta dënosh atë, vetëm se shprehet kundër një nisme rajonale por gjysmake, ca më tepër tejet kundrathënëse në thelbin e saj! Vetëm në diktaturë ndëshkoheshe për qëndrime të ndryshme nga vija zyrtare. Në demokraci, sado e brishtë dhe problematike të jetë, këto praktika i takojnë të kaluarës.
Megjithë respektin e veçantë për Zotin Partos, ky argument është i stitur dhe shumë i trashë, ai nuk ka “këmbë ku të qëndrojë“.
Po përmendim vetëm pak nga shumë argumentet që e hedhin poshtë supozimin e lartpërmendur. Së pari, “Ballkanin e Hapur“ nuk e kundërshton vetëm Berisha por një numër i madh qytetarësh dhe intelektualësh kudo, shoqata, forca politike, deputetë, etj. Plus, janë tri nga 6 vende që nuk e pranojnë për arsye të njohura tashmë. Por dhe në tri vendet nismëtare ka shumë kundërshtime nga kryetarët e shtetit, shoqëria civile, media, ekspertët, akademikët, etj. Është e vetmja nga 20 nisma të mëparshme rajonale pa konsensus dhe jo gjithëpërfshirëse. Dhe vetë BE-ja dhe Berlini nuk e ka njohur në asnjë dokument zyrtar, sepse ato mbështesin Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal.
Me logjikën e zotit Partos, nëse ky do të ishte qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar për “Ballkanin e Hapur“ duke penalizuar vetëm Berishën, ç‘të themi për Brexit? A duhej që BE-ja ta shpallte “non grata“ Boris Johnson si frymëzuesin e saj?
Po kundërshtarët e BE-së dhe euroskeptikët që duan të ç‘bëjnë BE-në, a janë shpallur dhe a duhet të shpallën non-grata? Kursesi! Madje ata synojnë të vijnë dhe në pushtet si Le Pen në Francë, janë dhe eurodeputetë, kanë goxha grup parlamentar deri në Parlamentin Europian dhe në ato të vendeve antare; përfitojnë goxha fonde buxhetore nga BE-ja me të cilat i shpalosin hapur dhe me agresivitet pikpamjet e tyre kundër saj, por dhe NATO-s, SHBA-ve, etj, por prapë “asnjë gjemb nuk u hyn në këmbë“! Pse? Sepse Shyqyr Zotit, jemi në demokraci!
Kursesi nuk mund të veprohet ndryshe, ka marrë fund ajo epokë, zoti Partos! Nuk mund më, jo të shpallësh non-grata, por as të diskriminosh e ca më pak të dënosh dikë për idetë dhe pîkpamjet e ndryshme dhe të kundërta që ka dhe propagandon,sidomos një lider, kjo është dhe në themel të të drejtës anglo-saksone!.
Ndaj, me keqardhje, nuk të besojmë këtë radhë! Se ndryshe do të ishte për të venë duart në kokë dhe fatkeqësi që një vend si Mbretëria e Bashkuar të na ringjallte praktikat moniste!
© 2022 Argumentum