Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të dielën tri ligje të paketës së pestë të masave ekonomike, që parashohin ndihmë ekonomike për qytetarët dhe kompanitë e prekura nga pandemia e koronavirusit.
Ligjet u miratuan me 113 vota, përfshirë opozitën, si dhe dy deputetë nga shumica, të sëmurë me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.
Ata kanë shkuar në Kuvend me veshje mbrojtëse, dhe janë dërguar në një dhomë të veçantë prej ku edhe votuan për ligjet ekonomike.
Kjo ka nxitur reagime të shumta, ndërsa partia e ekstremit të majtë “Levica” ka paralajmëruar padi penale për dy deputetët që votuan, por edhe për drejtuesit e Kuvendit, që kanë lejuar hyrjen e tyre në Kuvend, meqë ata janë të infektuar.
“Deri më tani keni bërë teatër nga Kuvendi, por sot keni bërë edhe një krim. Sot në Kuvend kemi dy deputetë, të cilët janë sjellë këtu në kundërshtim me ligjin. Që ironia të jetë edhe më e madhe, ky është një krim për të cilin nuk vlen imuniteti parlamentar…Unë ua bëj me dije kolegëve, të mos jem në lëkurën e tyre, se kur të bie ky regjim hibrid, do të jenë të parët që do të shkojnë në burg për krime kundër shëndetit të njeriut sipas neneve 205 dhe 206 të Kodit Penal”, tha deputeti Dimitar Apasiev.
Por, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se kjo ishte një situatë e imponuar dhe se këta dy deputetë nuk rrezikojnë askënd, pasi janë respektuar të gjitha masat për mbrojtje shëndetësore.
“Unë ju kam thënë dhe e përsëris, se për sa kohë që unë jam kryetar i këtij Kuvendi, puna do të zhvillohet sipas rregullores së punës së Kuvendit dhe jo sipas ultimatumeve dhe shantazheve siç mendoni”, tha Xhaferi.
Ndryshe, ligjet e miratuara kanë të bëjnë me mbështetjen financiare për individët që veprojnë të pavarur dhe që janë të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike, pastaj ligji për mbështetjen financiare të punëdhënësve të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike si dhe ligjin për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale.
Këto kategori do të marrin ndihma financiare për pagesën e të ardhurave mujore për muajt shkurt dhe mars.
Ndihmat që deri më tani ka ndarë Qeveria e Maqedonisë së Veriut për punëtorët dhe kompanitë, arrijnë në rreth një miliard euro.