Prof. Dr. Katerina Todorovska
Më 19 gusht 2024 doli një tekst, i cili ngjalli interesimin tim profesional dhe për të cilin vendosa të shkruaj një recension.
Bëhet fjalë për tekstin e Marjana Dodës, me titull “Jehona e irredentizmit dhe minoriteti bullgar në Ballkan” në portalin Argumentum (https://www.argumentum.al/jehona-e-irredentizmit-dhe-minoriteti-bullgar-ne-ballkan/).
Tema që autorja vendosi të prezantojë para publikut është mjaft aktuale dhe qasja e saj është jashtëzakonisht racionale dhe e përshtatshme me situatat që ajo ka parë vitet e fundit. Si një historian profesionist i cili me dekada është marrë me historinë e marrëdhënieve maqedono-shqiptare nga shekulli i 19-të deri në ditët e sotme, lexova tek Doda një nga pikëpamjet e mia të kahmotshme se “…pakicat minoritare në këndvështrimin tim janë një urë lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve pavarësisht vendeve ku janë, ose të paktën kështu do duhet të ishte, pasi ato kanë gjithë potencialin që si ambasadorë të vërtetë të veprojnë si urë lidhëse midis kombeve, duke nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkulturor”. Pikërisht kështu ka qenë dhe duhet të jetë roli i pakicave në një vend. Por Doda vëren se “…sikundër na ka treguar historia jo shumë e largët në Ballkan, pakicat mund të bëhen burime tensioni dhe konflikti”. Këtë konstatim ajo e shpjegon me rolin bashkëkohor të Bullgarisë dhe aspiratën e saj për t’i transformuar maqedonasit në bullgarë, kudo që janë. Doda komenton këtë tendencë të shtetit bullgar: “Pretendimet e Bullgarisë në lidhje me minoritetet në rajon varen nga konteksti historik dhe politik. Po ndërsa historianet, akademikët e shkencave nuk kanë dalë ende me fakte e dokumente që të përcaktojnë qartë çështjen e minoriteteve në vendet tona, politikanët janë ata që këtë boshllëk e mbushin sipas oreksit dhe interesit të tyre politik”. Me këtë rast do të them se historianët dhe akademikët shkencorë maqedonas e kanë shpjeguar shumë hollësisht sulmin bullgar prej dekadash ndaj popullit maqedonas, eksponenti më i madh i të cilit ishte Todor Zhivkov. Ai ishte krijuesi i një grupi prej disa “shkencëtarësh” të paguar mirë, të cilët duhej të “krijonin” një histori të origjinës bullgare të maqedonasve. Edhe pse historia ka vërtetuar prej kohësh se populli bullgar është pasardhës i fiseve “Asparuhe” tatare, ndërsa maqedonasit i kanë rrënjët nga fiset e antikitetit dhe sllave. Kjo është e qartë për të gjithë në botë, përveç trakëve të sapolindur.
Më tej Doda shkruan se: “Pretendimet e Bullgarisë në lidhje me minoritetet janë rizgjuar ethshëm sidmos pas anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, ku pakicat e ndryshme që jetojnë përgjatë kufirit në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi, u joshen nga pasaporta bullgare, që i mundësonte largimin drejt BE-së. Gjithashtu, Bullgaria ka përdorur ndikimin e saj në Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet e minoriteteve dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre në rajon. Kjo është bërë në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”. Si konfirmim i qëndrimit të saj, dua të përmend hartimin e një strategjie nga Bullgaria të quajtur “Politika bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë” e nxjerrë në vitin 2008. (https://mk.wikisource.org/wiki Бугарската_политика_спрема_Република_Македониjа).
Kujtojmë se Bullgaria u pranua politikisht në BE në janar 2007. Fakti që kjo strategji bullgare u përgatit menjëherë pas anëtarësimit të saj në BE dhe u lëshua vetëm një vit më vonë, vërteton atë që shkroi Doda se: “Pretendimet e Bullgarisë për minoritetet janë rizgjuar në mënyrë të ethshme, veçanërisht pas anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian…”. Në atë strategji, përveç hedhjes së falsifikimeve dhe komenteve toksike për popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas, “evropianët” bullgarë shkruanin se kërkojnë: “1.1.3. Barazia e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë (të gjithë ata që vetë-identifikohen qartë si të tillë) me grupet e tjera etnike në përputhje me legjislacionin vendor kombëtar, i cili parasheh numërimin e tyre në preambulën e Kushtetutës së vendit; krahas shqiptarëve, turqve, vllehëve dhe romëve të listuar, e më pas serbëve dhe boshnjakëve të shtuar, vend duhet të gjejnë edhe bullgarët, pavarësisht numrit të tyre, zyrtarisht të deklaruar në Republikën e Maqedonisë”. Sipas asaj strategjie për realizimin e saj ishin paraparë edhe “2.1.1. Instrumentet për zbatimin e politikës bullgare (institucionet si ministritë, agjencitë shtetërore, bashkitë, ambasadat, si dhe institucionet shkencore, lobistët, politikanët, etj.); dhe e gjithë makineria bullgare do të përfshihej për të gjetur bullgarë në Maqedoni, dhe mënyrat për të krijuar një “lobi natyral bullgar” duhet të kishin ndodhur në këtë mënyrë: “2.2.13. Të krijohen kushte për ruajtjen dhe zgjerimin e fushës së arsimit në kolegjet dhe universitetet bullgare për studentët nga Republika e Maqedonisë; për të krijuar forma të përshtatshme për mbajtjen e kontakteve të mëtejshme midis dhe me ta, si një lobi natyral bullgar në vendin e tyre dhe si pjesëmarrës potencialë të dëshirueshëm në tregun bullgar të punës gjithnjë e më tërheqës”. Por strategjia bullgare nuk ishte e përgatitur tërësisht vetëm për Republikën e Maqedonisë, pavarësisht nga titulli, por edhe për vendet e tjera ku jetojnë maqedonas. Kështu, duke përdorur sërish rolin e saj margjinal, por të merituar politikisht, në BE, strategjia bullgare i mëson autoritetet në Shqipëri të sigurojnë “1.2.1. Barazia e bullgarëve në Shqipëri me grupet e tjera etnike në përputhje me praktikën dhe legjislacionin e vendit në atë fushë, d.m.th. njohja zyrtare e pakicës bullgare krahas pakicave të tjera të njohura zyrtarisht – pavarësisht nga numri i të vetëidentifikuarve si bullgarë”. Duke dashur të avancojë drejt integrimit europian, shteti shqiptar përmbushi kërkesën e Bullgarisë “evropiane” dhe pa asnjë bullgar të vetëidentifikuar në asnjë census zyrtar, në vitin 2017 bullgarët “u gjetën” në Ligjin për Mbrojtjen e Pakicave në Republikës së Shqipërisë.
Natyrisht, e njëjta kërkesë paraqitet edhe në strategjinë bullgare për Kosovën.
E përbashkëta e tre vendeve është kërcënimi në strategjinë bullgare, të cilën shteti bullgar po e shtyn me zell, e cila thotë: “Respektimi i kësaj barazie duhet të jetë pjesë integrale e vlerësimeve të Bullgarisë dhe BE-së për progresin e Shqipërisë në arritjen e kushteve dhe standardeve të detyrueshme për anëtarësimin në BE dhe në mënyrë të ngjashme për NATO-n.
Nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri në vitin 2023, u dëshmua qartë se strategjia e shkencëtarëve bullgarë u zbatua plotësisht nga politikanët bullgarë.
Por teksa po shkruaja recensionin e këtij teksti, meqë ra fjala, doja të ndalesha më gjatë, në të njëjtin portal u shfaq një reagim ndaj artikullit me titull: „Reagim ndaj artikullit “Jehona e irredentizmit dhe minoriteti bullgar në Ballkan”
Nuk do të humbas kohën tuaj për të lexuar tekstin e tij, sepse zakonisht nuk analizoj tekste të autorëve njëpërdorimëshe me pamje diametralisht të ndryshme të shkruara në varësi të nevojave të mentorëve të autorit. Përkatësisht, Anton Pançev në një nga tekstet e tij “Është koha të ndryshojmë politikën tonë ndaj Shqipërisë” të datës 20 maj 2024 shkruan se “Është koha për të ndryshuar politikën tonë ndaj Shqipërisë. Ultimatumi dhe ndërprerja e mundshme e mëvonshme e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë nuk do të kërcënojë interesat bullgare as në vetë Shqipërinë dhe as në Ballkan. Minoriteti bullgar në Shqipëri tashmë është i njohur dhe çdo veprim kundër tij do të ndikojë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Marrëdhëniet ekonomike mes vendeve tona nuk janë veçanërisht të zhvilluara dhe Bullgaria është subjekt kyç në marrëdhëniet ekonomike, veçanërisht në fushën e energjisë. Ne nuk kemi nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në asnjë sferë të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare”. Me këtë qëndrim të tij nënvizohet qartë se e ardhmja evropiane e shtetit shqiptar do të varet nga qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj bullgarëve inekzistent në Shqipëri. Por kritika e Pançevit vazhdon me deklaratën “Kjo situatë na ofron një mjedis të favorshëm për veprim. Bullgaria duhet t’i vendosë kushte të qarta dhe ultimatum Tiranës: falje publike nga Edi Rama për Bullgarinë për deklaratat dhe veprimet e tij kundër vendit tonë në dy vitet e fundit, fundi i çdo propagande antibullgare nga autoritetet në Shqipëri, mbështetje e qartë për të drejtat e bullgarëve në Maqedoni. Vetëm presioni i hapur bullgar ndaj Tiranës zyrtare mund të sjellë rezultate dhe të mbrojë bullgarët në Republikën e Maqedonisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Çdo hezitim në këtë drejtim vetëm sa do të dëmtojë politikën tonë në vendet e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor dhe do të dëmtojë të drejtat e komuniteteve bullgare në këtë rajon”.
Prandaj ky “gorostas” i një shkencëtari, në reagimin e tij ndaj tekstit të Dodës, vëren se “Politika e Bullgarisë ndaj Shqipërisë mund të karakterizohet si një politikë shumë miqësore dhe për këto 110 vite të marrëdhënieve tona diplomatike, Bullgaria e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim armiqësor ndaj saj”. Këtë do ta kuptoja nëse në marrëdhëniet ndërkombëtare vendosja e kushteve të qarta dhe ultimatum do të hynte në kategorinë e “politikës shumë miqësore”.
Dhe kur Anton Pançev fillon të analizojë ndjenjat e pjesëtarëve të minoritetit maqedonas në Shqipëri, mendoj se është e këshillueshme ti lexoj veprat e tyre, të cilat, meqë ra fjala, janë shtypur pa asnjë ndihmë financiare nga askush.
Sa për informacion, vetëm pak tituj, pa detaje: Miranda Shutina, Na Raduch (poezi); Cvetan Mazniku, Fjalë të urta; Gure Duma, Mala Prespa; Letra për nipin tim Ariane në Tiranë: dërguar nga Maqedonia dhe Kosova, 13 mars-13 prill 1975; Velo Cfarku, Golloborda në optikën e kohës; Pavli Nikola, Vërnica, Spase Mazenkovski, Historia e popullit maqedonas; Mehmet Hoxha, Goranët maqedonas në Shqipëri (Gora dhe goranët – rishikim fizik, historik dhe etnokulturor).
Do të ishte e këshillueshme që Anton Pançev t’i lexonte edhe artikujt në gazetat e MAQEDONISE të botuara në Shqipëri si “MIR”, “Prespa” dhe gazeta “Ilinden”.
Ose, nëse dëshiron të vazhdojë diskutimin për këtë temë, mund të më tregojë të njëjtat vepra të bullgarëve nga Shqipëria, të cilët, për vetëdijen e tyre, investuan mundin dhe paratë e tyre për t’u lënë amanet pasardhësve të tyre.
Mund të jetë jo modeste, por me këtë rast do t’i rekomandoj edhe Anton Pançevit librin tim “Dobrososedska Lakrdija”, për të cilin besoj se do të shkruaj një kundërlibër, sepse kjo është punë e mercenarëve që nuk dinë çfarë dhe kur kanë shkruar.
Por sigurisht, leximi edhe të teksteve të këtilla të porositura mund t’ju mësojnë. Në pjesën ku Anton Pançev “ekspertisht” shpjegon se “Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfshin të drejtat kolektive në baza etnike dhe asnjë bashkësi etnike nuk mund të diskriminohet dhe të privohet nga asnjë e drejtë që është në Kushtetutën e shtetit. Shteti bullgar asnjëherë nuk i ka bërë presion shtetit maqedonas se çfarë modeli kushtetues të pranojë, por nuk mund të lejojë që të kufizohen të drejtat elementare të komunitetit bullgar në këtë vend. Modeli kushtetues i Republikës së Bullgarisë është një model liberal i bazuar në mbrojtjen e të drejtave individuale. Çdo bashkësi etnike dhe fetare ka të drejtat e saj të plota kulturore dhe të drejtën individuale për pjesëmarrje të barabartë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit”.
Nga kjo pjesë e Pançevit mësova se maqedonasit në Bullgari e paditën më kot shtetin bullgar “kolektivisht” në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, sepse ata duhej ta kishin paditur “individualisht” dhe kështu si individë të luftonin për të drejtat e tyre themelore të njeriut për tu vetëdeklaruar si maqedonas. Dhe pastaj, si individë të organizohen kolektivisht. Dhe, sinqerisht mendoj se edhe përfaqësuesi ligjor i maqedonasve nga Maqedonia e Pirinit, Toni Menkinovski, duhet të mendojë për mësimin që na jep albanologu bullgar.
© 2024 Argumentum