Pezullimin e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina e kërkon edhe Gjermania, shkruan “Koha Ditore”.
Burime të sigurta i kanë treguar gazetës se këshilltarët e kancelares Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg, e kanë shprehur të hënë në Prishtinë qëndrimin zyrtar të Berlinit se tarifat e vendosura ndaj mallrave të Serbisë po e pengojnë vazhdimin e dialogut, prandaj ajo duhet të pezullohet.
Një gjë e tillë është theksuar në tri takimet që kanë pasur këshilltarët e kancelares Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, mer kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj.
Çështja e pezullimit të taksës është diskutuar veçanërisht në takim me kryeministrin Haradinaj, ka treguar burimi i “Kohës Ditore”, i cili ka folur me kusht të anonimitetit.
Burimi ka thënë se dy këshilltarët e kancelares Merkel e kanë përsëritur qëndrimin gjerman në lidhje me marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Ata kanë përsëritur edhe pozicionin e Berlinit zyrtar kundë ndryshimit të kufijve të Kosovës, pozicion ky që është shprehur qartësisht nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.