REALPOLITIK FLASH NR. 85
4 – 18 SHKURT 2024
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1.Edhe Italia në Ballkan! Këtë tregoi Takimi i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor i zhvilluar më 5 Shkurt në Romë, me nisën e ministrit të Jashtëm italian Antonio Trajani. Mesazhi kryesor është se Italia po angazhohet më fort dhe më shumë për stabilitet dhe siguri në rajon. Normale kur sheh se Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia, madje dhe Rumania janë tejet aktive në këtë rajon të trazuar, Roma nuk mund të rri e mënjanuar në të gjitha rrafshet. Më parë, Kryeministrja Meloni caktoi një të Dërguar të Posaçëm për dialogun Serbi – Kosovë. Dhe më përpara kanë shkuar punët me Shqipërinë. Rikujtojmë Marëveshjen për pensionet, ajo për dërgimin e të burgosuve në burgjet shqioare dhe Marrëveshja e shumëdisktuar për strehimin e 3000 azilantëve në vit të cilët do të kapen në brigjet italiane.
Ky i shtohet takimeve të tjera që ”kanë mbirë si kërpudhat”. Gjithsesi, me shumë pak rezultate në terrenin konkret. Kjo mbasi siç kemi theksuar dhe më parë, Italia dhe BE-ja duhet ta kuptojnë se vendet e rajonit e kanë të keqen më të madhe nga brenda. Ndaj dhe zgjidhja do të vijë prej andej dhe jo nga jashtë. Ndaj dhe nga ky takim vështirë të pritej diçka tjetër, veç imazhit për Italinë që dhe ajo është në ballë me Ballkanin Perendimor.
2.Jo më një hap para dhe dy mprapa! Këtë vazhdon të bëjë qeveria Kurti në politikën e saj të jashtme. Ajo fitoi pikë dhe imazh me menaxhimin e situatës mbas sulmit terrorist serb në Banjzë më 24 Shtator 2023. Mirëpo, më vonë bëri hapa mprapsht, duke kulmuar me vendimin e BQ të Kosovës për dinarin serb. Vendim i cili ka hasur në kritika dhe kundërshtime kategorike nga aleatët perendimorë. Fillimisht me lutje për tërheqje nga ky vendim dhe më 13 Shkurt, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit O’Brian u detyrua të vinte në dyshim partneritetin amerikan me Kosovën. Tani, nga pikpamja ligjore dhe kushtetuese, Prishtina ka të drejtë të marrë një vendim të tillë. Mirëpo, jemi në kushtet kur Kosova nuk është shtet në kuptimin klasik të fjalës mbasi nuk njihet nga OKB-ja dhe shumë vende të tjera, kur stabiliteti dhe siguria e saj ndonëse nën ombrellën e NATO-s sërish mbetet e brishtë, kur ajo është në një proces dialogu me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja me mbështetjen e SHBA-ve, por që ka ngecur në vend dhe për kusuret e perëndimit, kur dihen tensionet me Serbinë dhe situata kërcënuese me Rusinë, me Kinën, Korenë e Veriut, Iranin dhe krizën në Lindjen e Mesme.
E pra në të tilla kushte ana ligjore dhe kushtetuese nuk mjafton. Ndaj duhet detyrimisht të dëgjosh, madje të pyesësh dhe t’u bindesh aleatëve, veç masave përgatitore parapake, kohës më të madhe në dispozicion e jo ” tak fak”! Shkurt duhet qetësim e jo tendosje e situatës. Ca më tepër kur SHBA dhe BE-ja po të thonë troç hiq dorë nga ai vendim dhe ti vazhdon në tënden, këtu je futur në një rrugë qorre, jashtë dhe brenda vendit. Në një kohë kur aleatët janë boll të ngarkuar me shqetësimet e lartpërmendura gjeopolitike, për ta është “too much” të merren dhe me cicmice diplomatike dhe teknike. Sa nuk është vonë, Kurti duhet të bëjë kthesën e duhur, sepse nuk ecet më me parimin leninist ” një hap para, dy hapa mbrapa” Ndryshe do të thotë të luash me zjarrin!
3.Blinken “betonon” Ramën në vizitën e tij në Tiranë më 15 Shkurt. E konfirmoi sapo u takuan kur e cilësoi ” lider dhe partner të jashtëzakonshëm…” Natyrisht këtu Blinken foli vetëm sipas interesave të Realpolitikës, pa u futur në vlerat demokratike, në problemet dhe sfidat e brendshme madhore që ulërasin. Ky “betonim” ndodhi një ditë përpara gjyqit të Gonigalit, duke shpërndarë kësisoj çdo re dyshimi dhe thashethemnaje për demek armiqësimin e Administratës amerikane me Ramën dhe demarshet e fshehta për zëvendësimin e tij. Ca më keq akoma, krahas superlativave për Ramën, Blinken injoroi tërësisht opozitën e çdo lloji; për herë të parë një Sekretar Amerikan Shteti nuk takon drejtuesit e saj, madje nuk iu përgjigj as pyetjes së gazetares mbi të. Për mirë a për keq, kjo ishte goditje fatale për opozitën dhe “non -gratën “ e saj, vetëm disa ditë përpara protestës së 20 Shkurtit. Parë sërish nga pikpamja e Realpolitikës, e nevojave të ngutshme për siguri dhe mbrojtje, ndonëse me doza të tepëruara, ky injorim ishte i pritshëm. Praktikisht, në moçalin ku ndodhet, opozita nuk përbën ndonjë aktor dhe faktor të besueshëm dhe më të mirë për përballimin e sfidave të tanishme të sigurisë se qeveria Rama; pavarësisht deficiteve demokratike të kësaj të fundit, të cilat kanë kaluar në plan të dytë dhe të tretë.
4. Pa siguri gjithçka është hiç! Ky pohim i Kancelarit gjerman Scholz ishte dhe mesazhi kryesor i Konferencës së 60 ndërkombëtare të sigurisë më 16 – 18 Shkurt në Mynih. Një forum jo zyrtar, ku ndonëse nuk merren vendime, aty “matet pulsi, bëhet nxemja, qepja dhe kopsitja” e dosjeve të ardhëshme. Mes 184 përfaqësuesve të lartë shtetesh dhe organizmash ndërkombëtare, ndër të cilët 50 kryetarë shtetesh/qeverish ishte dhe Presidenti ukrainas Zelevski, 100 ministra të jashtëm e të mbrojtjes e të tjerë. Dihet menuja e nxehtë politike e saj në dy vjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës, disa muaj mbas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit dhe kërcënimeve të tjera për sigurinë ndërkombëtare në prag të zgjedhjeve europiane, amerikane, etj.
Diskutimet në Munih dëshmuan qartë aforizmin romak “ në rast se do paqe, përgatitu për luftë”; ndaj, bashkësia demokratike do të përshkallëzojë veprimet në të gjitha fushat për mbrojtje dhe luftë e cila është është çështje vitesh. Vetëm përgatitja për luftë mund të stepë dhe të trembë agresorët nga çdo synim dhe veprim agresiv. Siç pohon historiani i mirënjohur francez Nicola Tenzer, tashmë duhet ” diplomacia e luftës” për t’i treguar dhëmbët, muskujt, me demonstrim force dhe me fuqinë e zjarrit Putinit që ta kuptojë se e ka të humbur davanë. Nuk ka më kuptim takimet, samitet dhe propozimet për paqe kur tjetri tregon hapur se do të të shkatërrojë tërësisht. Si pasojë e politikave të mëparshme naïve qetësuese, shtete si Gjermania pothuajse e kanë injoruar prodhimin e armatimeve ushtarake; për pasojë, sipas ekspertëve ushtarakë, nëse lufta do të fillonte në 3 – 5 vitet e ardhëshme, Europa rrezikon ta humbasë, sepse nuk ka mjaftueshëm armë dhe municione.
© 2024 Argumentum