Kryeministrja britanike, Theresa May i ka kërkuar në një letër Bashkimit Europian shtyrjen tjetër të Brexit deri më 30 Qershor. Në letër thuhet, se Britania e Madhe do të bëjë përgatitjet për zgjedhjet europiane.
Afati i shtyrjes së Brexit ishte 12 Prill, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë për një dalje të rregulluar me marrëveshje të Britanisë së Madhe nga BE. Kryeministrja britanike, Theresa May i lutet tani BE të zgjasë afatin e daljes nga BE, më 30 Qershor. Në të njëjtën kohë Britania e Madhe do të bëjë përgatitje për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane, thuhet në letrën drejtuar kreut të Këshillit të BE, Donald Tusk. Nëse të dyja palët e kanë ratifikuar marrëveshjen e daljes nga BE më parë, atëherë dalja nga BE do të hyjnë fuqi.
Në një prononcim pak më parë, Donald Tusk kishte kërkuar shtyrjen e Brexit me një vit. Ai tha se do t’ua propozojë këtë 27 vendeve anëtare të premten (05.04). Në Londër Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe ka refuzuar 3 herë marrëveshjen me BE dhe nuk ka rënë në ujdi për asnjë plan të daljes nga Bashkimi Europan. Zëvendëskryetari i laburistëve, Tom Watson tha se, partia e tij ka nevojë për pak kohë për të sqaruar pozicionet e saj me Theresa May.
Donald Tusk
Merkel: Të mënjanohet Brexit pa marrëveshje
Të mërkurën e javës së ardhshme është planifikuar mbajtja e një samiti të posaçëm të BE për të rënë dakord për shtyrjen e Brexit. Nëse nuk ka asnjë ujdi e asnjë zgjatje, Britania e Madhe do të “divorcohej” me BE pa asnjë rregullim të ndarjes, gjë që kundërshtohet ashpër nga përfaqësues të ekonomisë. Kjo do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë britanike, por edhe për atë të vendeve europiane dhe qytetarëve të BE.
Kancelarja Merkel gjatë një vizite të enjten në Irlandë u shpreh, se do të përpiqej deri në fund që Britania e Madhe të mos dalë në mënyrë kaotike nga BE. Taksapaguesit gjermanë do të duhej të dërgonin një shumë prej disa qindra milionë eurosh drejt BE, nëse Britania e Madhe do të dilte pa asnjë rregullore nga Bashkimi Europian.