Nga Enver Bytyçi
Ne nuk e dimë dhe nuk do ta dimë asnjëherë me saktësi, nëse Hitleri, Stalini, Enver Hoxha, e të tjerë diktatorë ishin ose jo psikopatë. Ashtu siç nuk do ta dimë me saktësi edhe nëse Aleksandër Vuçiq, apo Edi Rama janë ose nuk janë të tillë. Të ndërmarrësh një inciativë të përshkrimit dhe studimit psikologjik të tyre është e vështirë. Por si në çdo gjë, edhe për ta përshkruar personalitetin e kryeministrit të Shqipërisë e të tjerëve si ai, mjaftojnë indiciet, disa fakte dhe prova, që përsëriten në vazhdimësi. Nga një fakt shkohet në arsyetimin e teorisë dhe e kundërta, nga teoria qëmtohen dhe zbulohen fakte, prova dhe dëshmi.
Të shtunën kryeministri mbajti një fjalim për të njoftuar sërishmi shtetin e ri të bektashinjve. Tha se bektashinjtë kanë bërë shumë për kombin. Tha se ata nuk janë sekt. Dmth se janë religjioz, njësoj si të krishterët katolikë, derisa foli për ngjashmërinë midis shtetit të bektashinjve dhe Selisë së Shenjtë. U hoq si patriot, sepse e dinte se po bënte një akt anti-patriotik, anti-shqiptar e përçarës për besimet fetare në Shqipëri. Kur Edi Rama tha se “Nuk do të hyj në listën e atyre që i bëjnë keq këtij vendi”, në fakt në stilin e sjelljes së psikopatëve bëri mashtrimin e tij të radhës. Ashtu siç e bëjnë psikopatët. Pa u skuqur, pa u turpëruar për të këqijat që ia ka sjellë këtij vendi me detin, me bashkëpunimin me krimin dhe me realizimin e projektit të shpërnguljes së shqiptarëve nga Shqipëria për ta populluar me kombe të tjera aziatike. Njësoj si psikopatët, që për ta mashtruar viktimën e tyre, edhe Edi Rama të shtunën u përpoq të hiqet se punon për Shqipërinë për ët fshehur tradhtinë që ia bëri Kosovës me përpjekjet për ndarjen e saj, apo me planin serb të Open Balkan. Simbolikat i konsideron “patriotizëm”! Punë kjo e paqtë për psikopatët, të cilët kanë axhendën personale si ambicie, ndërsa si mjet intrigën dhe mashtrimin.
Kush e ka ndjekur retorikën e Edi Ramës në këto gati 12 vite e më parë dhe kush ka analizuar veprimet e tij politike e jopolitike, nuk e ka të vështirë të shkojë drejt provës së një hipoteze, sipas së cilës, sa më shumë që Edi Rama qëndron në pushtet, aq më të theksuara bëhen qëndrimet fjalimet dhe veprimet e tij si psikopatike, pra si mashtrime publike. Madje i ngjan një psikopatie makiaveliste të një lloji të çuditshëm. Psikopatia e bazuar në egoizmin makiavelist është ndoshta tipari kryesor i Edi Ramës. Sipas analizës së Makiavelit, politikanët e sidomos liderët shtetërorë psikopatë kanë si cilësi mungesën e empatisë. Ata, për të arritur qëllimet e tyre, distancohen nga njerëzit e tjerë. Nuk kanë miq, nuk kanë empati as për bashkëpuntorët e tyre e as për pjestarët e familjes. Mbi gjithçka qëndron interesi i pushtetit. Dhe nëse për pushtetin duhet të vidhet pasuria e demokracia, ata nuk ngurojnë ta bëjnë këtë. Nëse për pushtetin duhen bërë kurban bashkëpuntorët në krim e madje pjestarët e familjes, edhe kjo duhet të ndodhë. Nëse duhet të vidhen votat e qytetarëve, edhe kjo është në axhendën e psikopatëve.
Kushdo që i njeh marrëdhëniet e Edi Ramës me familjen e tij, me prindët (sidomos babain e tij), ish-gruan dhe kushdo që i njeh marrëdhëniet e kryeministrit me bashkëpunëtorët dhe ish-bashkëpunëtorët e tij, e di se këto marrëdhënie janë në funksion të pushtetit të Edi Ramës në Shqipëri. Për këtë arsye të gjithë “hanë dardha pas shpinës së tij”, por ama vetëm kur faktet publikohen. Edhe pse dardhat i hanë bashkë me psikopatin, ato nuk hidhen mbas shpine sa kohë që publiku nuk e di këtë fakt. Para dy ditësh ai u shpreh se “Prindët e mi të ndjerë më kanë edukuar…” dhe shiste moral e madje hiqej si “i virgjëri” i politikës shqiptare në çeshtjet e moralit. Në fakt është e kundërta. Djali problematik i familjes dhe i lagjes rreth Bllokut të Byrosë Politike as donte t’ia dinte për prindët. Kësisoj, nëse një psikopat i rëndomtë e shumta gënjen disa njerëz, psikopati shqiptar në krye të ekzekutivit ushtrohet ta mashtrojë një komb.
Kjo karakteristikë e tij i jep Edi Ramës edhe një karakteristikë tjetër psikopatie, aftësinë për t’u shfaqur sharmant, për t’u pastruar nga veset dhe për të ndërruar lëkurën e tij. Vetëm në këtë mënyrë psikopatët mund të mashtrojnë, të genjejnë dhe të shiten si “babaxhanë” ose “engjuj”! Mungesa e empatisë i detyron psikopatët të fshihen pas perdes së parimeve të së mirës e të së keqes. Mungesa e përgjegjësisë e bën Edi Ramën të hiqet si ai që nuk është. Por në fakt është e kundërta. Edi Rama është në këtë rast antisocial, si çdo psikopat në botë. Ai nuk kujdeset aspak për shoqërinë shqiptare, siç pretendon, por për imazhin e tij personal dhe mbështetjen e qarqeve të caktuara ndërkombëtare për të qëndruar në pushtet. Për ta realizuar këtë synim ai bën gjithçka që mund të bëjë një psikopat pa turp, pa norma dhe pa parime. Shkel mbi këdo që i del përpara. Në rastin e shtetit bektashi cënon ashpërsisht harmoninë midis dy sekteve muslimane, atij bektashi e atij sunit. E gjitha kjo, sepse dikush i ka premtuar se “po luftove për shtetin bektashi, do ta sigurojë në pushtetin e krimit në Shqipëri”!
Sipas Ericson psikopatët kanë bindjen se ata duhet të jenë mbi çdokënd tjetër dhe duhet ta jetojnë jetën e tyre duke shfrytëzuar të tjerët. Rasti McGonigal na bën me dije se si Edi Rama ka shfrytëzuar të tjerët për të paguar lobimin e tij për, shpalljen non-grata të Sali Berishës. Nëse SPAK heton, atëherë ai do të zbulojë se kryeministri ka detyruar një dyzinë sipërmarrësish shqiptarë të depozitojnë te ndërmjetësit e tij miliona euro për lobim në SHBA në ditët kur ai shkoi në Nju Jork për gjoja takime me shqiptarët e Amerikës! Më tej akoma, nëse ai hetohet, do të zbulohet lehtësisht fakti se si Rama i detyron kompanitë e mëdha që përfitojnë tendera nga qeveria për të marrë çantat e parave e për të paguar për votat e blera. Salillari është njëri prej këtyre rasteve, i zbuluar në Kuçovë dhe i harruar nga SPAK.
Një psikopat beson se ai ka gjithmonë të drejtë dhe imponohet për gjithçka. Madje ai beson thellë se ka të drejtë të menaxhojë, koordinojë dhe bashkëpunojë edhe me bandat kriminale e mafioze. Shembull më të plotë sesa Edi Ramën nuk mund të gjendet. Me një zyrë koordinimi me bandat në kryeministri, me të ngarkuar nga politika e partisë së tij për koordinim me këto banda, me aftësi për të koordinuar edhe përfitimet financiare nga taksat tona për këto banda, kryeministri i Shqipërisë është tipizimi i psikopatit të inkriminuar. Aftësia e psikopatit Rama dallohet nga grupet kriminale, se ai është poliglot. Ndërsa grupet kriminale janë të specializuara për krimin e tregtisë së drogës, për organizimin e kanabizimit të vendit, për transport parash, për vjedhje e grabitje etj, psikopati Edi Rama, kur bashkëpunon me to ka aftësi poliglotësh. Atij i duhet të njohë fushën e secilit kriminel dhe të koordinojë veprimtarinë e përgjithshme kriminale për të gjitha llojet e krimit, madje edhe ta financojë atë me paratë tona.
Megjithatë duhet thënë se psikopati ynë kryeministër ka krijuar imunitet nga stresi. I çliruar nga çdo lloj stresi e përgjegjësie ai na bën moral deri në fyerje dhe poshtërim, për të besuar në predikimet e tij. Prandaj dhe duhet të ndahemi nga koha e psikopatisë! T’i themi jo psikopatëve. Mjaft bashkëjetuan ata me ne. Ishim ne që i ndihëmuam dhe mbështetëm ata, ndaj dhe vegjetuan kaq gjatë, 12 vite! Nëse duam që të çlirohemi nga psikopatët, atëherë i duhet thënë ndal Edi Ramës. Ndryshe do na ndodh ajo që thoshte Driteroi: “Një i çmendur, çmend një vend të tërë”!
© 2025 Argumentum