Nga Dr. Jorgji KOTE
E them me keqardhje se sa herë që jep intervista në median e huaj, Kryeministri Rama bën gabime dhe referenca pa vend, sidomos kur u referohet ngjarjeve dhe personaliteteve të shquara historike. Kjo vjen nga mungesa e formimit në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe, sepse historia politike ndryshon nga ajo e artit dhe pikturës, por dhe nga zelli i veçantë për t’i vënë dhe personalitetet me ngjarjet historike në funksion të propagandës, duke i nxjerrë ato edhe jashtë kontekstit historik. Shembulli më tipik ishte në Konferencën e shtypit në Moskë më 26 Shkurt 2020, kur pa kurfarë verifikimi tha se me Rusinë nuk kemi patur asnjë kontakt qysh nga vdekja e Stalinit. Kur dihet se pas vitit 1991, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ka patur jo pak shkëmbime dhe të nivelit të lartë. Këtë gafë që flet për memorien e dobët historike institucionale e korrigjoi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se kishte qenë vetë në Tiranë në Dhjetor 2004, madje kishte nënshkruar dhe Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit dypalësh, duke e kapur gafil ish kryetarin e radhës së OSBE-së dhe ish ministrin tonë të Jashtëm.
Këtë gabim të përsëritur dhe më vonë, Rama e bëri sërish më 19 Shtator, në intervistën për të përditshmen gjermane ” Spiegel”. Duke i dalë në mbrojtje, edhe pse pa ia kërkuar askush Vuçiçit për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por tani duke e justifikuar dhe për mosnjohjen e Kosovës; çka ka habitur, këdo kudo, në një kohë kur BE-ja dhe SHBA-të po ushtrojnë presion ndaj Beogradit!.
Ndër të tjera Rama tha se dhe ish Kancelari gjerman Willy Brandt nuk u gjunjëzua as më 1946 në Varshavë por vetëm më 1970! Mirëpo, si mund t’i kërkosh Brandt një diçka të tillë, kur më 1946, ai sapo ishte kthyer në Berlin nga emigracioni i gjatë politik në Norvegji dhe Suedi, i përndjekur nga rregimi nazist? Madje, më 1946 nuk ekzistonte as vetë RFGJ-ja, e cila u krijua më 23 Maj 1949!
Nga ana tjetër, Brandt u zgjodh Kancelar në Tetor 1969 dhe ndër ”veprat” e tij monumentale politike ishte ” Ostpolitik”! Në kuadrin e saj u bë dhe pajtimi me ish vendet lindore. Pikërisht në këtë kuadër, gjatë vizitës në Varshavë më 7 Dhjetor 1970, ndryshe nga paraardhësit, të cilët sipas Protokollit vendosnin lule, ai pasi e zbatoi atë protokoll, u kthye dhe ra në gjunjë përpara Monumentit të Heronjve hebrej, duke bërë bujë në gjithë botën. Kjo ndjesë fare spontane i çeli rrugën pajtimit me Poloninë, ndër viktimat më të mëdha të nazizmit gjerman.
Pra, Brandt-it, nuk mund t’u kërkosh llogari apo ta qortosh, qoftë dhe mes rreshtave për këtë “ vonesë ”apo ca më keq ta përdorësh për të justifikuar Serbinë! Sa për afrimin, pajtimin dhe dëmshpërblimin moral dhe financiar të viktimave të nazizmit, këtë e filloi Adenauer qysh më 1949 e në vazhdim. Gjermania filloi reparacionet e Holokaustit me Izrazelin qysh më 1952. Çdo kancelar, sapo shkel në zyrë, shpreh ndjesën publike ndaj hebrejve! Ndërsa me vendet lindore procesi i afrimit dhe pajtimit u vonua disi, por prapë jo më shumë se 20 vjet, për shkak të sistemeve të ndryshme politike.
Gafa e dytë historike ka të bëjë me pohimin lidhur me përparimin sipas Ramës të ngadalshëm të procesit të pajtimit franko-gjerman! Është krejt e kundërta, ky proces njihet dhe vlerësohet në radhë të parë për shpejtësinë rekord të afrimit dhe pajtimit në të gjitha planet e jo vetëm në atë diplomatik. Kështu, vetëm 1 vit pas zgjedhjes si Kancelari i parë gjerman i pasluftës, Adenauer iu përgjigj ”flakë për flakë” thirjes së Schumanit më 9 Maj 1950 për një Europë të re. Pas disa hapave të mëdha, më 1957, bashkë me Franën dhe tri vende të tjera krijiuan Komunitetin Ekonomik Europian! Më 1958, Adenauer i shkoi në rezidencën e tij private De Golit dhe ky i fundit pak më vonë u prit si hero në Gjermani! Më 22 Janar 1963, të dy nënshkruan Traktatin e famshëm të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Elizesë në Paris, baza ligjore dhe institucionale e gjithë bashkëpunimit të tyre gjithëpërfshirës që vijon dhe sot. Pra, shihni, të gjitha këto dhe të tjera procese të mëdha, të cilat filluan me njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve që në tri shekujt e fundit kishin zhvilluar 27 luftra të përgjakshme ndodhën brenda 14 viteve! Ndërsa Serbia, 20 vjet pas përfundimit të konfliktit, 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 12 vjet pas njohjes së saj nga GJND jo vetëm nuk ka bërë asnjë hap përpara drejt pranimit të realitetit, njohjes së krimeve dhe afrimit me Kosovën, por po bën krejt të kundërtën! Mirëpo, kur nuk e bën dot aq gjë Vuçiç që ka në dorë ” dhe gurin dhe arrën” kush tjetër do ta bëjë?
Gafa e tretë e madhe e Ramës është se duke iu referuar këtyre ngjarjeve emblematike, ai synon të vendosë shenjën e barazimit të Vuçiç me Brandt, Adenauer, de Gol e me radhë, madje me një mision më të vështirë se ata vetë! Edhe pse në fakt, Serbisë nuk i kërkon njeri akte emblematike, se nuk ka këllqe për këtë, por thjesht të njohë Kosovën dhe të përcaktojë se nga do t’ia mbajë, nga lindja apo nga Perëndimi? Sepse të dyja ka 32 vjet që nuk shkojnë më bashkë.
Në këto kushte, edhe alternativa ”Ballkani i Hapur” nuk ofron asnjë garanci dhe mundësi afrimi e bashkimi, por vetëm ndan e përçan. Pastaj, ç’na duhet ky trilateral kur kemi Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, të cilët ” na dalin dhe na teprojnë!” Mirëpo, Vuçiç e do Kosovën në ”Ballkanin e Hapur” sepse kështu e ligjëron si provincë të saj, siç e ka dhe në Kushtetutë; në funksion të ” botës serbe“ e më vonë ku i dihet dhe më shumë.
Së fundi, i sugjerojmë zotit Rama të jetë më i kujdesshëm në referencat e huaja historike, sidomos ato franko-gjermane, sepse në ” vend t’i verë vetullat” mund t’i nxjerrë sytë ” vehtes.
© 2022 Argumentum