Eksperti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph për Deutsche Wellen shprehet kritik ndaj qasjes aktuale amerikane të konfliktit Kosovë-Serbi të fokusuar tek ekonomia dhe jo tek njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.
Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten (04.09) një marrëveshje ekonomike në Uashington në prani të presidentit amerikan, Donald Trump. Takimi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, ishte ndër të tjera edhe rezultat i ndërmjetësimit të të ngarkuarit amerikan për Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell. Qasja e Grenell ndaj konfliktit Kosovë-Serbi është ekonomike. Eksperti amerikan, Edward P. Joseph shprehet kritik pikërisht ndaj kësaj qasjeje amerikane të konfliktit të vjetër Kosovë-Serbi, sipas së cilës, ndryshimi ekonomik do të ndryshojë edhe dinamikën.
DW: Ku janë problemet me qasjen që Richard Grenell ka në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës. Ju e keni kritikuar ashpër atë edhe në një artikull të publikuar në revistën Foreign Policy në qershor.
Edward P. Joseph: “Problemi kryesor është se ai hoqi dorë nga çdo përpjekje serioze për të zgjidhur konfliktin. Kjo as nuk është akuzë vetëm e imja. Ai ka thënë në intervistat e fundit se “ne nuk do të adresojmë çështjet politike, ne vetëm do të trajtojmë vetëm çështjet ekonomike.” Dhe kjo është tërheqje. Sic e kam thënë edhe në artikullin tim, negociatorët amerikane kanë gati një besim religjioz në pushtetin e ekonomisë, si e sheh po ashtu Grenell, se ekonomia ndryshon dinamikën. Arsyeja pse them religjioz është se njerëzit duhet të besojnë në gjëra, për të cilat nuk ka asnjë evidencë. Kur merremi me çështjet e politikës, ne përpiqemi të përdorim evidencën empirike.
Nëse shikoni tek Ballkani, ju nuk evidencë për këtë teori. Kështu [Grenell dhe SHBA] hoqën dorë nga adresimi i një sfide të fortë, e cila është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Deri sa të zgjidhësh këtë, nuk do të keni shumë progres ekonomik. Kjo është arsyeja pse gjërat janë keq – Kosovës i është mohuar legjitimiteti ndërkombëtar. Ata nuk e kanë të mundur të procedojnë në rrugën më të mirë të reformave të krijuar ndonjëherë, që është procesi i integrimit në BE. Ata kanë ngecur në këtë gjendje të pezullt dhe kjo është shumë e pashëndetshme. Kjo është keq për Europën, dhe keq për Gjermaninë të ketë një shtet të tillë kaq pranë. Një arsye tjetër pse duhet kritikuar Grenell: Ai mori koncesione nga një shtet më i dobët si Kosova, me qëllim që të zbusë një shtet më të fortë, Serbinë. Kjo është shumë e pashëndetshme ta bësh dhe budallallëk.
Pse jeni kaq skeptik ndaj qasjes së Grenellit “economy first”? Negociatat në rajon kanë zgjatur më shumë se 10 vjet pa shumë sukses, kështu pse të mos provosh një qasje tjetër?
Kjo është e drejtë të pyetet. Ka një sërë arsyesh, Natyrisht që zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike në rajon është një gjë e mirë. Madje është tepër e nevojshme në Ballkan për të penguar shpopullimin. Por nuk është e qartë, nëse Grenell do të arrijë shumë në drejtimin ekonomik duke e bërë këtë, sepse pengesa kryesore për rritje ekonomike është fakti, që Kosova në veçanti nuk po bën përpara në drejtim të BE. Ju keni rritje ekonomike, kur e filloni procesin, kjo është ajo që shohin investitorët: shenja për stabilitet dhe sundimin e ligjit. Ka edhe probleme të tjera […]Kosova është shumë më e vogël. Ka deficitin më të madh tregtar në rajon. E çfarë do të thotë kjo, kur ju hiqni të gjithë barrierat tregtare, kush përfiton? Serbia, vendi më i fuqishëm. E madje deficiti tregtar aktualisht në Kosovë mund të zhvillohet më negativisht.
Po bashkëpunimin mes SHBA dhe Bashkimit Europian në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi si e shikoni?
Nëse dëgjon atë që ka thënë vetë Grenell, ai thotë, se SHBA nuk është e përfshirë në atë që po bëjnë europianët. Ne do të ndihmojmë ndoshta, nëse ata na pyesin. Dhe [Miroslav] Lajçak, [përfaqësuesi special i BE për dialogun Kosovë-Serbi shën. red.] tha se “SHBA vetëm na njoftoi, se ata janë duke e mbajtur këtë takim, po ata nuk u konsultuan me ne, për atë se çfarë janë duke bërë.” Nuk duket se ndonjë palë është kaq shumë e interesuar për kooperim.
E si mund që SHBA të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit të ashtuquajtur “konflikt i ngrirë”?
Nuk më pëlqen ky term, sepse supozon, se është gjithmonë i ngrirë. Por ai nuk është dhe nuk pa pse të jetë i tillë. Ai është totalisht i pangrirë, kjo është ajo që duhet ditur: Ky konflikt mund të zgjidhet brenda natës, nëse katër vende të BE e njohin Kosovën, dhe këto janë Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia. Dhe këto janë vende të BE! Aleatë të NATO-s. Nuk u kërkohet atyre të bëhet e pamundura. Po u kërkohet të bëhet ajo që kanë bërë BE dhe vendet e tjera të NATO-s ndërkohë. SHBA dhe BE mund t’i shprehin rezervat e tyre. Me këtë influenca e dëmshme e Rusisë do kufizohej dhe rajoni do të stabilizohej, ky do të ishte një përmirësim i jashtëzakonshëm.
E kjo vetëm sepse katër vende të BE njohin Kosovën, dhe vendi mund të nisë procesin e bashkimit në NATO, e drejtë?
Po kështu. Arsyeja e vetme pse Beogradi e bllokon këtë, dhe ata i dalin kundër presionit të kombinuar të SHBA dhe BE është, se Serbia ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB. Kështu Serbia është e lirë nën këtë ombrellë të siguruar nga Rusia dhe Kina. Ajo që po ndodh tani [me takimin e Uashingtonit] është teatër. Vuçiq i tregon Lajçakut, Merkelit e Macronit “Oh, unë jam duke marrë pjesë!”. Po ai nuk e bën këtë. Negociata do duhej të ishte për njohjen, dhe ai e ka thënë, se ai nuk do ta bëjë këtë. Ai është i mbrojtur nga Rusia dhe Kina. Kjo është ajo që duhet ndërprerë dhe kjo qëndron në atë rrugë që katër vende të BE të thonë po.
Çfarë interesi ka Uashingtonime Ballkanin? Kjo duket një çështje më e vogël krahasuar me fokusin e politikës së jashtme amerikane që tani është Kina, Irani, Lindja e Mesme…
Ballkani nuk është thjesht një problem europian. Europa nuk mund të bëjë këtë e vetme. Kjo është e provuar, se funksionon më mirë kur ka një bashkëpunim të fortë transatlantik. Interesat amerikane në këtë rajon janë në rritje. Ne gjithmonë kishim interes të stabilizonim rajonin që të mos jetë problematik, të mos jetë burim i kriminalitetit ndërkombëtar, korrupsionit dhe rrjeteve potenciale terroriste. Ne këtë nuk e duam as në Europë. Ne kemi një interes në rritje, për shkak të kërcënimit nga Rusia, Kina dhe Turqia. Prezenca dhe influenca e tyre është shumë shqetësuese në Ballkan dhe pjesë të tjera të Europës. Dhe ne kemi edhe interes më të madh në përballimin e përpjekjeve të Rusisë për të përçarë e sunduar. Rusia është e përfshirë në përçarjen e politikës tonë këtu në SHBA. Rusia është një kërcënim serioz ndërkombëtar. Kina është një kërcënim në rritje ndërkombëtar. Kështu ne kemi interesat tona në zbrapsjen e influencës së dëmshme ruse dhe kineze madje edhe në pjesë të tjera të botës, përveç Ballkanit.
Ne kemi interes për demokraci të stabilizuara. Ne kemi interes për të vërtetën e bazuar në fakte, për media të lira dhe jo ato që përçojnë dezinformacione. Kemi interes për sundimin e ligjit. [..]Kemi interes për të gjitha këto dhe interesi është në rritje për shkak të sfidave të shumëanshme dhe kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe Turqia dhe rolin e veçantë që këto vende po luajnë në Ballkan sot. Konfliktet në Kosovë startuan në vitin 1999. Sot kemi vitin 2020. A nuk ka ardhur koha ta mbyllim këtë kapitull? Ka diçka qesharake që pjesë të Europës ende duhet të luftojnë me këto konflikte të kohës otomane. Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe e rrezikshme. Kështu ne nuk mund të bëjmë më teatër duke pretenduar se ky është një proces që nuk është real.
Edward P. Joseph ka shërbyer në Ballkanin Perëndimor për shumë vite, përfshirë edhe postin e zëvendësdrejtuesit të Misionit të OSBE-së në Kosovë në vitin 2012. Ai është studiues dhe profesor i asociuar në Universitetin Johns Hopkins School of Advanced International Studies.
Biseda e krye nga Carla Bleiker dhe është shkurtuar për qartësim./DW