Presidenti rus Vladimir Putin ka ofruar ndihmën e Rusisë për Sirinë pas tërmetit shkatërrues të së hënës, tha shërbimi për shtyp i Kremlinit pas telefonatës së Putinit me homologun e tij sirian, Bashar Assad.
“Putini shprehu ngushëllimet e sinqerta për pasojat e tërmetit në Sirinë veriore që rezultoi në viktima të shumta njerëzore dhe ofroi ndihmë për palën siriane”, thuhet në deklaratë.
“Bashar Assad e pranoi këtë ofertë me mirënjohje dhe shpëtimtarët e ministrisë ruse të emergjencave do të nisen për në Siri brenda disa orësh”, thuhet në deklaratë.
Më herët, Putin i dërgoi telegrame ngushëllimi Asadit dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Një tërmet i fuqishëm tronditi provincën juglindore Kahramanmaras të Turqisë herët të hënën. Sipas raporteve të fundit, më shumë se 1000 njerëz janë vrarë në Turqi dhe më shumë se 400 në Sirinë fqinje. Me mijëra janë plagosur. Fillimisht, magnituda e tërmetit u vlerësua në 7.4 ballë, por më vonë autoritetet e emergjencave të Turqisë thanë se magnituda e tij ishte 7.7.
Sipas sizmologëve turq, ky ishte një nga tërmetet më shkatërrues në rajon në vitet e fundit. Shumë vende, përfshirë Rusinë, i kanë ofruar ndihmë Ankarasë dhe Damaskut. Ministria e Emergjencave të Rusisë tha se është gati të dërgojë dy avionë Il-76 me shpëtimtarë.